Ajo dhe loti i saj
…..
E diel e rëndomtë e fundjavës. Koha ishte me diell se vetë rrezet e diellit kishin depërtuar në dritaren time gjysmë të mbyllur me roleta … rrezet e dellit kishin rënë në dhomë e reflektonin dritën e tyre në pasqyrën time si në mëngjeset e pranverës, kur ke kureshtjen të zgjuar për çdo ditë se do të vijë dielli të të falë në sy dashurinë e përkëdheljen e tij….
Nuk ishin vetëm rrezet e dellit atë mëngjes që kishin trokitur në portën time, po në ndërdijen time ishin zgjuar ca kujtime shkollore mbasi…. bashkë me diellin në gjumë me kish ardhur në ëndërr edhe shoqja ime e shkollës….
Ka kohë që ajo ishte tërhequr nga bisedat e zjarrta e të pafundme. Ajo ishte si një yll që ishte shkëputur e rënë nga qielli për mua, pasi që ditë as natë nuk na ndante …
Rrugën e shkollës e bënim bashkë, bashkë me një bankë e kur qeshnim na kishte zili tërë shkolla.
Në orët e mësimit ishim të disiplinuara, por edhe nëse qeshnim pa dashur asnjëri nuk na pengonte se e qeshura ishte një sëmundje ngjitëse, me një humor të lehtë i involvonte të gjithë në të qeshurën e saj, madje edhe mësuesin apo edhe profesorin… Ajo nuk qeshte kurrë pa vend.
E një ditë për çudi të gjithë kur prishem qetësinë e një profesori, që ishte edhe përgjegjës shkolle dhe një personalitet në vete… të gjithë, jo vetëm që ia kishim frikën por edhe e respektonin të gjithë …
Për çudi ajo në atë situatë me sharmin e saj e elanin që kishte tha: unë për veten time nuk dijë pse këta qeshin po do ishte mirë që për një të qeshur pas shpine mos t`i mbetemi borxh profesorit por t`i themi pse qeshim e me siguri edhe profesori do na falë dhe do qeshet bashkë me ne… dhe vërtet ndodhi ashtu. Ajo jo që e bëri tërë kl. e profesorin të qesh, por edhe nga vërejtja e tërë kl na shpëtojë, gjë që edhe na bëri të jemi kl. më e mirë në periodën që kishte shkolla traditë të ndjekë “Aksionin klasa më e mirë e nxënësi më i mirë’…e kuptohet asaj i takoi vendi i parë në tri paralelet, sa kishte një drejtim…nga ajo ditë edhe raportet me profesorin, që kishte qëndrim autoritar, u bën për ne pothuajse më të favorshme.
Ne ishim krenarë që ajo jetën e kuptonte ndryshe nga ne… e në veçanti ajo vetë ishte krenare se jeta e dashuria për të ishin të lidhura me një fjongo, ndërsa ajo sikur i kishte të dyja në duar…
Jetën ajo e kuptonte duke dashuruar e duke marrë rrezet e diellit, aromën e luleve, e duke pasuruar horizontin e diturisë. E motivuar për mësime, për të punuar e lexuar, ajo edhe ne po na falte shkëndijat e para. Më vonë bëmë Fletushkën shkollore me aktivitetet tona e ajo pa dyshim filloi me shkrimet e saja….
Ne e kishim si motivim punën e elanin e saj….Ajo edhe në pushim të orëve gjithnjë mbante diç në dorë… një libër, një poezi, një hartim, një tregim, një gazete etj.
Kur një ditë ajo në pushimin e gjatë po lexonte me zë, e ne ishim mbledhur afër saj, ajo po lexonte një gazetën “Bota e Re”… “Nën maskën e mysafirëve” (Ibrahim Kadriu mos gabofsha)…e tërë shkolla ishte mbledhur e dëgjonim pa zë, të heshtur e plotë kureshtje për guximin e saj… ishte plotë dy javë mbas Demonstratave të `81… ajo e mbaroi leximin… kur ia bëhu një nga profesorët se ndërtesa për ballë shkollës ishte ajo e policisë… e ata kishin alarmuar pse nxënësit janë tubuar… Gazeta iu mor nga dora e ajo si t`ishte një aktore e gjallë e ngjarjeve bile as hapin, as syrin nuk trembi; ja gazeta, kjo e botuar në Prishtine…
Për ta lexuar është…. mori rrugën për në klasë, nga ajo ditë e tërë shkolla e shikonte me një sy tjetër. Kishte një muaj më parë që kishin bërë presion në të në mbledhjen e mbajtur nga LKJ…e cila kishte detyrë që njerëzit të “rrinin urtë” e mos të përhapnin propagandë apo të ngjallnin një fryme të re…
Ajo një javë më parë, në mbledhjen e mbajtur nga lidhja e rinisë ku merrnin pjesë përfaqësues të komunës dhe vetë kryetarja e asaj kohe M.B., i mahniti të gjithë me mendimin e saj sa të matur e dinjitoz… Kur bën propozimin e anëtarëve të ri në LKJ, e para ishte ajo që propozohej, bile me një herë një detyrë me një post i afrohej…. por, ajo me sharmin e saj dhe çapkëne si ishte mori fjalën mbasi gati miratuan pa e pyetur se a do pranonte… e gjithë masa me duar lartë ishin për po… e ajo tha: me falni, a ka mundësi t`i them dy fjalë…
Ju faleminderit që me besoni këtë post dhe që me ofroni një anëtarësim që çdo i ri e lakmon, por mua sikur me duket se nuk jam edhe ajo që mendoni ju…. sepse, unë në mesin e shkollës sonë shoh vajza shumë më të gatshme e që janë në gjendje të mos kursejnë kohën e tyre për këto aktivitete… unë nuk e shoh veten të më besohet një detyrë aq me përgjegjësi… jo se kam frikë, por s`kam kohë… këto ditë kam edhe një motër të vogël dhe me duhet t`i ndihmojë nënës më shumë në shtëpi… pastaj, koha për të mësuar, për përgatitjen e dramës që
kemi për ta vënë në skenë nuk me mjafton…ju lutem për mirëkuptim… Asnjëri nuk po i besonte këto që ajo po i fliste aq qartë e rrjedhshëm. Por, unë e dija ku e kishte ajo qëllimin. Nuk donte të jetë në LKJ. Të jetë…
Ajo sërish mori fjalën dhe tha: kam një propozim…përmendi tre emra të vajzave dhe të një shoku të kl. Për mendimin tim, tha, këta janë shumë më të shkathët se unë dhe e meritojnë këtë anëtarësim… E në postin e saj propozoi një vajzë të kl. sy II, tha ajo është një ndër vajzat më aktive e suksesi nuk i mungon, as koha.
E falënderuan të gjithë, përveç njërit që kishte ardhur nga komuna i cili e shikonte me admirim por edhe me një qik xhelozi, sikur me vete thoshte si ka mundësi të mos pranojë kjo … iu drejtua duke i thënë: shiko, në mbledhjen e ardhshme do të shohim, bile për herën tjetër të kesh kohë më shumë sepse kemi nevojë për një nxënëse si ju.
Ajo nga ajo ditë fillojë të admirohet nga shumë shoqe e shokë. Ishte tejmase e zgjuar… edhe profesorët i linte pa tekst… kur ajo bënte ndonjë pyetje, profesori ose bëhej se nuk e shihte e dëgjonte ose i thoshte se në orën tjetër do t`i përgjigjej, sepse “tani është fundi i orës”….
E, një profesor i ri, që kishte ardhur plotë elan, një dite për përgjigjen e saj tha: po të kishte notë më të madhe se pesa, ti do të ishe e para që do ta merrje…
Ajo ishte si dielli, si vetë rrezja… ne mundoheshim të marrim sa më shumë rreze, sa më shumë thesar prej saj… me një fjalë të gjithëve na bënte për vete dhe ne e çmonim zgjuarsinë e saj, vërtet e meritonte të çmohej.
Por, edhe për të jeta ishte një rrugë nëpër errësirë e me plotë befasira…
Plagët që të shkakton jeta duhej t`i merrnim ashtu siç i sillte fati, me shpresë se koha do i shëron… apo deri sa nga kriza të dalim e gëzimi të na rikthehet.
Jeta e saj ishte ngushtë e lidhur me librin, nuk bënin pa njëra tjetrën. Teksa një ditë ajo u bë e heshtur e iu iku të gjitha bisedave dhe kontakteve me njerëzit… asgjë më nuk i zgjonte kureshtjen, vetëm mësimet…
E pamë atë me lot në sy, kur lajmi u përhapë në shkollë se tre profesorët tanë ishin arrestuar…. ne heshtëm të gjithë, e vetëm ajo u shkreh në vajë, lotin nuk e fshehu….
Atë ditë pamë se asaj iu ngri buzëqeshja në buzë… kush do na jepte mësim neve tani? kuadro të përshtatura! Këtë e kishte ndier ajo e para … Ishte një kohë e rëndë për ne nxënësit, duhej syqeltësi sepse besimi ishte rrënuar… Situatat si ato i bënin njerëzit labilë dhe, mbase, i ndryshonin tërësisht për të keq… e si të thyheshin barrierat pastaj…
Ajo ishte pa dyshim e para që u tërhoq në vetmi. Pikëllimi i saj reflektohej në tërë klasën. Ndërsa, profesorët që erdhën për t`i zëvendësuar ata që i burgosen, filluan sikur të mos kishte ndodhur asgjë…
Si sot me kujtohet kur një profesor kërkoi të prezantohemi me emra e mbiemra, ajo ishte e katërta me radhë dhe tha: Shkurte Fejza hahahhaa Zot asnjë njeri nuk bëri zë, se ajo ishte shumë serioze… profesori tërë orën nuk luajti nga karrigia, duke e vështruar e kërkuar emrin e saj…s`e gjente dot…
Ah nga ajo ditë e kuptuam se në sytë e saj ishte fikur një fije drite e bashkë më të edhe diç më shumë… ajo kishte humbur një njeri të saj që e përkrahte në çdo hap, por, ishte aq e fortë sa dhembjen nuk donte ta ndajë me askënd… ajo kishte vendosur të mbyllet më tërë dhembjen e saj në vetvete… ishte betuar që jetën ta shikojë me sy tjetër, por dhe ta dojë atë si kurrë më parë, për çka çdokush do t`ia kishte zili një ditë… E, loti saj një ditë do të ishte lot gëzimi….
Tani ajo jeton diku e lumtur, por ka vite që nuk jemi parë…
Besoj se nëse ka rast t`i lexoi këta rreshta, do ta rigjejmë njëra tjetrën në këto kujtime të pashlyera…
Nga larg e përqafoj dhe i fali një lot plot mall mërgimtareje…
http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=143633
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply