
Vdekja e njerit prej bashkëshortëve çon në vejushëri. I veji bie në një gjendje shpirtërore të keqe, që përjetohet në mënyra të ndryshme nga mashkulli e femra, por edhe në mënyrë individualisht të ndryshme. Por të gjithë ata që jetën bashkëshortore e kanë jetuar si një bashkim, dashuri komplekse e shkrirje të shpirtrave e trupave, periudhën si të vejë e kalojnë të mbushur me dëshira e keqardhje, kujtime seksuale e kujtime që mallëngjejnë e rrisin ankthin e ngashërimin, që e bëjnë gjendjen shumë të rëndë sidomos poqese të vejët janë të vetëm e veçanërisht në ditët e para. Kurse dhoma e gjumit aq e dashur dhe e ngrohtë bëhet tashmë dhoma më e ftohtë e shurdhër dhe e zbrazët; disa kjo i trondit aq shumë saqë nuk mund të hyjnë më aty e mbas shumë kohësh ndërrojnë pamjen e mobiljet. Disa dëshirojnë të afrohen me individë të seksit tjetër të vejë, pra të së njejtës gjendje shpirtërore, e të flasin për njeriun e humbur.
Në historinë e njerëzimit në disa popuj gruan e dënojnë të shoqërojë burrin në varr, jo si simbol i përjetësisë së bashkqenies, por për të treguar se gruaja është një gjë, send, që duhet ta shoqërojë burrin e vdekur, e për këtë jeta e saj duhet të zgjasë aq sa ajo e të zotit të saj. Kurse për burrin nuk është kështu.
Interesante janë edhe rastet në botën e kafshëve, si e veja e mjelmës që mbas humbjes së shokut të saj qendron gjithë jetën e vejë apo lejlejkut që pasi humb shokun shikohet të kthehet gjithmonë vetëm për shumë vjet.
Këto raste të admirueshme të lidhjeve bashkëshortore arrijnë kulmin në atë që ndodh me mjelmat që pas vrasjes apo ngordhjes së shokut apo shoqes së tyre qendrojnë pa u ushqyer përpara trupit derisa bien përfundimisht. Raste të tilla janë të shpeshta edhe tek papagajtë të cilët me të drejtë janë quajtur të pandashëm. Bonnet tregon për një kopje papagajsh: “femra e vjetër nuk mund të lëvizte ndërsa mashkulli i saj e ushqente me sqep dhe, kur ajo vdiq, ai qau”. “Duke bërë të ndihej – shkruan Kanestrini – dhembjen e tij me klithma derisa përfundoi edhe ai”. Kështu janë të pafund studimet e natyralistëve Franklin, Franzolini, Kanestrini e tjerë për sjelljet e kafshëve dhe shpendëve e kryesisht me papagajtë, pëllumbat, dallëndyshet, gardalinat, gargujt etj.
Vejusha tek njeriu është më pak e goditur, se amësia mbizotëron mbi ndjenjën seksuale. Ajo e di se rreth saj mblidhen lidhjet ndjesore të familjes, se rreth saj mblidhen fëmijët. Për këtë e veja me fëmijët, kur nuk e shtyjnë kushtet ekonomike rri e vejë, besnike e kujtimit të burrit. E ngushëllojnë shpirtërisht fëmijët; por kur nuk ka fëmijë, nevoja e amësisë e çon të kërkojë një martesë të dytë. Por për motive shoqërore një grua jo gjithmonë mund të qëndrojë pa u mbështetur moralisht e shpesh edhe financiarisht nga një burrë, i cili nga ana e tij po të ishte i vé mund të jetonte e punonte vetëm, i mbyllur në dhembjen e tij.
Gruaja e vé është objekt në çdo epokë e aluzioneve për besnikërinë e saj; një proverb thotë: “Dhembja e së vejës është si dhembja e bërrylit” që do të tregojë një dhembje të fortë por që kalon shpejt. Por sidoqë të jetë e për këdo burra a gra të mbeturit i vé është pak a shumë e vështirë, kjo sipas lidhjes, dashurisë dhe kohës që kanë kaluar bashkë. Vejushëria shtërngon në ndarje materiale, por kur shkrirja e bashkëshortëve është e plotë, vdekja e njerit shënon edhe vdekjen e tjetrit, nëqoftëse jo fizikisht, psikologjikisht. Në këto raste nuk ka humbje tjetër që mund të barazohet me të. I veji është i vdekur për jetën, të paktën për gëzimin. Dhembja e ka mbërthyer e do ta pushtojë me më të ziun pesimizëm. Jo vetëvrasja siç do donte Shopenhaueri, por lëvizja dhe puna shërbejnë si antidodë, siç ka thënë Leopardi. Mua më duket se të qënit e një dopio uni që duket tek ata që kanë humbur objektin e dashurisë së tyre të plotë, ndjejnë se uni shpirtëror është goditur o shkatërruar e se është kthyer në një tek fizik, material, që vazhdon të jetojë ose më mirë vegjetojë e mbizotërojë të paktën me forcën e nevojave të jetës vegjetative. Këtë e ndjejnë mirë ata të vé që dashuruan fuqimisht shokun e tyre të humbur. Tek ata mund të ndjehet dëshira seksuale, por çfarë ndryshim bashkimi, në çfarë shpirti, truri e zemre bashkëpunonin si një, në shkrirjen e plotë të të dy qënieve. Të bërit seks krejtësisht material, në raste të tilla, mund të ngjasojë me të ngrënit e atij që ulet në tavolinë i shtyrë nga një nevojë për t’u ushyer (nga uria), por me mendje e shpirt të trazuar e diku tjetër, kalimthi dhe e trishtë e pa shije që kalon deri në neveri. Kështu mbetet i neveritur një i vé pas një akti seksual vetëm fizik, se shpirti e dëshira është drejt të humburit. Ose nevoja kthehet periodikisht me impulsivitetin material të shtytjes hormonike, por mbetet inerte dhe e pashpirt. Dhembja dhe respekti i të vejëve karshi kujtimit e dashurisë për shokun e humbur i çon në ndërprerjen e marrëdhënieve seksuale. Kështu sipas një statistike të dok. Jaeger (Zyrih), të vejët zenë vendin e fundit në të bërit seks, me l.7 %, kjo ndoshta edhe për shkak të moshës së pjesës më të madhe të tyre, por pa mohuar edhe faktorin psikologjik që mbizotëron atë fizik. Mbajnë vendin e parë me 13 % të ndarët, se në fakt asnjë ndjenjë nuk i lidh me shokun e humbur me dëshirën e tyre.
Respekti karshi vejushërisë është ekuivalent me besnikërinë shpirtërore. E thyen këtë ai që kalon në një martesë të dytë. Shpirti popullor, i ndjeshëm, dënon martesën e re për të vejët, nga vendi në vend në forma të ndryshme. Shembuj të tillë të mos aprovimit kemi edhe tek kafshët të studjuara nga Büchner e Kanestrini.
Logoreci.com


Leave a Reply