
Asaj nate të brishtë s’di si t’ia vë emrin. Ato lule të zverdhura midis verës, e që s’të ngjanin aspak në lulet dhe aromën e tyre të dikurshme, nuk pata fuqi t’i këpus e as t’u afrohem e t’u marr erë, sepse kishin humbur çdo bukuri të lules. Por, ajo që e bënë më të veçantë gjithë këtë, është se po ajo lule kishte kohë që ishte në pritje të njeriut të vetëm që do vinte e ta këpuste me shumë dashuri për mua. Por, jo si gjithë herë, kësaj radhe ai njeri u zhduk pa lënë gjurmë dhe jo vetëm që më bëri mua njeriun më të lig e më të vetmuar, por i bëri edhe lulet, të cilat ishin mësuar që çdo vit t’i këpuste dora e njëjtë… Ishte po ai vend, buzë një kodrine, e që nga lart shihej përrocka, e cila kalonte përskaj lisit, të cilin e emëruam druri i dashurisë. Po ai vend ishte takimi i përmotshëm imi me Petritin.
Meqë unë vija nga fshati, më duhej të bëja një orë rrugë për të shkuar në shkollë, sepse në fshat nuk kishte shkollë të mesme. Shumë herë më ndodhi të udhëtoja vetëm, pa shoqërinë e askujt, sepse dy shoqet e vetme që kisha shpeshherë nuk vinin në shkollë, meqë të dyja ishin fejuar.
Prindërit brengoseshin shumë për mua, sepse unë isha në orarin e pasdites dhe kthehesha në orët e vona në shtëpi. Rruga ishte pa ndriçim, nuk kishte shtëpi afër dhe nata bëhej e vështirë për të kaluar andej, sidomos për vajzat. Unë isha fëmija i vetëm në familje, isha gëzimi i vetëm për prindërit që më kishin mua, pas 20 vjetësh martesë, prandaj më kishin lazdruar paksa dhe nuk ma prishnin qejfin për asgjë.
AVENTURA NË SHQIPËRI
Në shkollë flitej shumë lidhur me ekskursionin që po planifikohej të bëhej nga fundi i majit për maturantët në bregdetin e Shqipërisë. Vajzat të gjitha kishin vendosur të shkonin, e unë ende nuk kisha biseduar me prindërit e mi. Një ditë, kur u ktheva nga shkolla, u tregova prindërve për ekskursionin. Frikësoheshin se mund të më ndodh ndonjë e keqe dhe ishin kategorikisht kundër. U mërzita shumë, sepse isha e vetmja që ndahesha nga shoqëria. Nga zemërimi dy ditë nuk shkova fare në mësim. Klasa ime ishte shqetësuar për mua dhe pas përfundimit të mësimit erdhën të më vizitonin. Atyre u tregova se çfarë kisha arritën t’i bindnin prindërit e mi për të më dhënë leje që të shkoja edhe unë në Shqipëri. Ditët kaluan aq shpejt sa që s’besoja as vetë. Erdhi edhe dita për t’u nisur. Atë natë nuk bëra gjumë në sy nga emocionet që më kishin kapluar. U përgatita dhe u nisa bashkë me prindërit. U takuam në vendin ku e kishim lënë të takoheshim. Në fund, u përshëndeta edhe me prindërit me lot në sy, sepse ishte një ndarje që kurrë se kisha përjetuar, meqë gjithnjë kishim udhëtuar bashkë. Edhe ata u mërzitën shumë , më lutën të bëja kujdes të veçantë dhe asnjëherë të mos rrija vetëm askund. U premtova se do kujdesesha shumë.
Rruga ishte e gjatë dhe e mundimshme. Në Durrës u vendosëm në hotel. Aty takuam njerëz nga më të ndryshmit. Aty takova edhe Petritin, djalë nga Durrësi, e që punonte në një firmë, e cila ishte pronë e tij. Ishte paksa i moshuar, rreth 28 vjeç, por ishte i sjellshëm dhe, mbi të gjitha, ishte nga një familje intelektualësh. Petriti ishte shumë më ndryshe se të tjerët. Nuk ishte me flokë të gjata e të pakrehura si shumë të tjerë. Ishte shumë i thjeshtë, shtathedhur, syzi, flokëzezë , simpatik. Pas asaj dite vinte vazhdimisht në hotel për t’u takuar me mua. Nganjëherë shtiresha para profesorëve se isha e sëmur vetëm e vetëm për të qëndruar në hotel, sepse e dija që do takohesha me Petritin. Shoqet e mia e dinin dhe nuk bënin zë, e sidomos Artiola, e cila ishte shoqja ime më e mirë e më e besuesshmja. Disa profesorë filluan të shqetësoheshin për mua dhe kërkuan të më dërgonin te mjeku, por nuk pranova, sepse puna ime s’kishte të bënte me mjekun, por me shpirtin.
Dita-ditës Petriti filloi të më pëlqente më shumë, edhe pse e dija se lidhja jonë nuk do të ishte fatlume, se prindërit e mi s’do e pranonin një gjë të tillë. Më thoshte se atë që ndiente për mua kurrë në jetë s’e kishte ndier për dikë tjetër përpara. Më thoshte se kishte filluar të dashurohej në mua.
Unë, si e re, fillova të fluturoja në iluzione, më dukej se gjithçka po më shkonte mirë dhe se kurrë më parë s’kisha qenë e lumtur siç isha atyre ditëve. Petriti më tha se kishte një banesë në Kosovë, e cila ishte e pabanueshme, por që e shfrytëzonte kur vinte në vizitë. Kjo më bënte ende më të lumtur, sepse, pavarësisht gjërave, unë fillova të ndjeja diçka për të, diçka që sa herë merrja frymë më bënte të ndihesha ndryshe.
FATKEQËSIA NË FAMILJE
Me prindërit nuk isha dëgjuar dy ditët e fundit, sepse askush nuk përgjigjej në telefon. Fillova të brengosesha tej mase. Një ditë para se të ktheheshim në Kosovë, thirra në shtëpinë e fqinjëve për të pyetur për prindërit e mi. Ata më thanë se janë pak të sëmurë, por më lutën të mos brengosesha shumë, por të kthehesha sa më shpejt që ishte e mundur. Ajo natë ishte më e mërzitshmja. Nuk më zihej vendi – vend pa ditur se çfarë kishte ndodhur. Ndihesha në faj që nuk i dëgjova prindërit kur më thanë të mos shkoja në ekskursion. E dija se çfarëdo që t’u ndodhte, do ishte me fajin tim. Me Petritin e lamë të takoheshim kur ai të vinte në Kosovë. Atë ditë që u nisa për Kosovë mora nga Petriti edhe puthjen e parë në jetë.
Kur u ktheva në shtëpi, nuk gjeta askënd, madje as babai s’kishte dalur të më priste… Shtëpia ishte e boshatisur. Me vrap shkova te fqinjët. Më thanë se do më dërgonin menjëherë te prindërit. Rrugës më treguan se çfarë kishte ndodhur. Babai dhe nëna kishin pësuar aksident trafiku dhe gjendja e tyre shëndetësore ishte e rëndë. Që të dy ishin në komë dhe gjasat për të jetuar ishin minimale. Se ç’ndodhi pastaj, nuk di, por kur më doli kllapia pashë se edhe unë isha në spital.
Të nesërmen isha më mirë dhe menjëherë kërkova t’i takoja prindërit e mi. Tërë ditën qëndrova shtrirë në pritje të ndonjë lajmi, kurse tërë natën më shoqëronin lotët që pikonin parreshtur. Dhe, në ato çaste të vështira të jetës sime, e kisha harruar Petritin se ekzistonte diku. Tek pas disa ditësh prindërit e mi bën më mirë dhe se shëndeti i tyre filloi të përmirësohej… Ishte po ajo ditë kur m’u dha mundësia edhe t’i vizitoja. Ishte moment rrëqethës kur i pashë në atë gjendje… Qaja me gjithë fuqinë që kisha, duke mos mundur t’i ndihmoja asgjë.
VDEKJA E NËNËS
Por, pas dy ditësh që bën më mirë, nënës për një çast iu keqësua gjendja. Po atë ditë m’u nda zemra në dy pjesë. Ime ëmë vdiq. Vdiq me lot në sy, duke mos mundur të më jepte përqafimin e fundit për këtë botë. Ishte vërtet dhimbje, tmerr… Thërrisja me gjithë fuqinë që kisha për ndihmë, por kot, ajo veç kishte hyrë në një botë tjetër, shoqëruar nga engjujt e shumtë, siç ishte edhe vetë. Babait s’i treguam për vdekjen e saj, sepse ishte në gjendje jo stabile për të marrë këtë lajm të dhimbshëm. Të nesërmen u mora më shumë me përgatitjet e varrimit. Të gjithë më qëndonin pranë, duke ndarë dhimbjen bashkë me mua. Madje, edhe Petriti, me të mësuar për vdekjen e nënës sime, kishte ardhur t’më rrinte pranë, në ato momente të vështira. Dhe, më dukej se edhe mua më kishte ardhur fundi, sidomos kur mendoja se gjithë kjo fatkeqësi s’do kishte ndodhur po të mos shkoja në Shqipëri.
Pas varrimit të nënës fillova ta vizitoja me shpesh babanë. Kisha nevojë të takohesha edhe me Petritin, por këtë e bëja më rrallë. Me Petritin takohesha gjithmonë në vendin e njëjtë, e që ishte në fshatin tonë. Vendi ku takoheshim ishte një lis, skaj një kodrine, ku rridhte uji pranë tij. E quajtëm druri i dashurisë. Petriti, me sjelljet e tij, më bënte që për pak çaste ta harroja dhimbjen time të madhe për vdekjen e nënës. Matanë lisit ishte një livadh i gjerë me lule nga më të ndryshmet. Sa herë që shkonim aty, Petriti këpuste nga një lule dhe ma dhuronte.
Pas një jave babai u përmirësua dukshëm dhe mjekët e lëshuan nga spitali. U gëzova shumë, sepse sadopak nuk isha më e vetme. Vetëm kur erdhi në shtëpi i tregova se çfarë kishte ndodhur me nënën, ani pse ai, gjatë qëndrimit në spital, pyeste vazhdimisht për të. U mërzit shumë. Më luti ta dërgoja te varri i saj. Me atë rast në sytë e tij pashë pika loti, e që më mërzitën edhe më shumë.
MJERIM PAS MJERIMI
Me Petritin takohesha çdo ditë. Kalonim shumë mirë me njëri – tjetrin. Një ditë më ftoi të dilnim në shëtitje. Nuk më tregoi se ku, sepse më thoshte se ishte surprizë. I thashë se nuk guxoj të vonohem, sepse e tashmë e kam babanë vetëm dhe nuk ka kush të kujdeset për të. Më tha se do të kthehemi shpejt. U nisëm. I besoja aq shumë sa që edhe në fund të botës të shkoja me të, nuk frikësohesha aspak. Më erdhi paksa çudi pse vetura me të cilën nisëm udhëtimin ishte në të gjitha anët e errët. Më tha se ishte për shkak të diellit të fortë. Rruga ishte shumë e gjatë sa që më kishte zërë gjumi në veturë. Kur u zgjova, isha në një botë krejt tjetër. Përreth shihja njerëz të panjohur. Ishin tubuar në një dhomë paksa të errët ku më prisnin mua. Në mesin e tyre ishin edhe dy vajza, më të vjetra se unë. Aty pashë edhe Petritin, fytyrën e tij prej djalli, që u zbulua po atë ditë. Ai nuk më kishte dashur, por në mua kishte llogaritur një mall prej të cilit pritej të përfitonte. Po aty pashë edhe fytyrën e atij mafiozi, që dikur e kisha parë në tarracën e hotelit në Durrës. Ajo fytyrë e prishtë, që ngjante në fantazmë, pa pikë mëshire ma mori gjënë më të shtrenjtë në jetë… Po atë natë mua më ndryshoi jeta, sepse isha shitur me para për një njeri vagabond, i cili mbyllur më mbajti me muaj rresht.
Pre e mashtrimeve ishin edhe shumë vajza të reja e të pafajshme, që u kishte prirë fati i tillë si mua… /L.S./Kosovarja/


Leave a Reply