Imazhi që unë kisha për nënën time ishte totalisht i kundërt me atë çka ajo ishte dhe bënte në të vërtetë. Prindërit e mi ishin ndarë që kur isha në një moshë fare të vogël dhe unë jetoja me nënën time. Gjatë gjithë kohës ajo ishte e përqendruar tek unë dhe mundohej që mua të më plotësonte çdo tekë apo kapriço që mund të kisha. Nga ana tjetër, ajo kërkonte prej meje që të isha një vajzë tepër e rregullt dhe asnjëherë të mos devijoja nga “rruga e vajzave të mira”, siç e shprehte edhe vetë ajo. Vazhdimisht interesohej duke pyetur në shkollë mbi ecurinë dhe sjelljen time. Në ato pak raste kur ndodhte që të mos merrte një përgjigje maksimale mbi rezultatet e mia, ajo mërzitej jashtë mase shumë duke më kritikuar në mënyrën më dashamirëse të mundshme. Gjithmonë më thoshte se priste më të mirën prej meje dhe donte që unë të isha e para në çdo vend. Kur kam zbuluar se çfarë pune bënte nëna ime, sa nuk më është shembur e gjitha bota mbi kokë. Nëna ime prostitutë… Kurrë nuk e kisha menduar për asnjë çast, një fjalë të tillë nuk kisha kaluar në mendjen time. Ajo gjithmonë largohej nga ora 4 pasdite dhe vinte mbas orës 12 të natës duke më thënë se lokali ku ajo punonte mbyllej vonë, prandaj edhe ajo ishte e detyruar që të vinte mbas asaj ore. Gjithmonë i lutesha që të merrte qoftë dhe një herë të vetme me të, por ajo më thoshte se nuk është një ambient për vajza të vogla dhe të edukuara si unë. Sa turp më vinte që ajo ishte nëna ime mbas asaj që kisha zbuluar. Si mundej ajo të më fliste për sjellje dhe edukatë kur ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një prostitutë rrugësh. Si jam treguar aq naive sa për shtatë vjet nuk kam arritur të kuptoja diçka. Unë kam më shumë se një vit që nuk flas më me të dhe nuk e di nëse ajo vazhdon të bëjë të njëjtën punë si më parë apo jo. Nuk e di nëse do të gjej ndonjëherë kurajën ta takoj e të flasë me të, por për një gjë jam e sigurt, ishte ajo “gruaja e rrugës” që më mësoi si të sillem dhe të jem e zonja
Bashkëshorti im ideal kishte një të dashur
Kur u njoha me Gencin ai ishte student në Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte një djalë fantastik në sytë e mi. Ai binte në sy për shkak të inteligjencës së tij dhe mënyrës së komunikimit që kishte me të tjerët. Ne filluam të shoqëroheshim shumë bashkë dhe unë ndjehesha shumë mirë me të. Ai po fitonte zemrën time pak nga pak dhe dukeshim sikur ishim të prerë për njëri-tjetrin. Genci dinte të depërtonte në shpirtin tim dhe dinte të lexonte mendimet dhe ndjenjat e mia, ose të paktën kështu më dukej mua. Sa herë që unë ndjehesha e mërzitur ose sa herë që mund të kisha diçka që mund të më shqetësonte, ai e kuptonte mjaft mirë dhe ishte aty për të më thënë fjalën e tij, që sigurisht do të më bënte që të ndjehesha më mirë. Unë u martova me Gencin dhe bashkë kemi një vajzë të mrekullueshme që do të jepja dhe jetën time për të. Dhe kur atëherë që unë mendoja se gjithçka funksiononte mjaft mirë brenda shtëpisë sime, fillova të zbuloja për marrëdhënien që bashkëshorti im “ideal dhe parimor” kishte me një nga infermieret e spitalit ku ai punonte. Ishte e pamundur, nuk mundesha ta besoja, si ka mundësi që një njeri me parime aq të forta brenda vetes të ishte përfshirë në një batak të tillë? Qaja pa pushim gjatë gjithë ditës dhe ndjenja të forta urrejtje më gërryenin në shpirt. Si mundi ai të ma bënte këtë, ku kishin ngelur të gjitha premtimet, fjalët, dashuria jonë ku kishte përfunduar? Debatet tona ishin të panumërta dhe unë kuptoja se shpesh kriza histerie të forta më përfshinin dhe nuk isha e aftë të kontrolloja as veten time më. Ishte më se evidente se jetesa ishte bërë e pamundur dhe ne nuk mund të jetonim më bashkë. Tashmë unë jetoj vetëm me vajzën time dhe ai është akoma me infermieren e tij. Tani që gjendja është më e qetë, e shikoj me një sy tjetër historinë time. Genci ishte një njeri vërtet i mirë dhe unë në ato kohë duhet të kisha luftuar për dashurinë dhe familjen time, dhe jo të kaloja në skena histerizmi, duke ja çuar në një pjatë të argjendtë asaj tjetrës.
Ti kurrë nuk ke për ta takuar dashurinë
Jam shumë e bindur brenda vetes që ti nuk më kupton dhe kurrë nuk ke për të më kuptuar, por disa fjalë ty nuk mund të t’i lë pa t’i thënë, pasi ishe ti ai që ndërhyre në jetën time dhe ishe po ti ai që u largove pa më thënë asnjë fjalë. Tashmë jam e mbytur nga ankthi dhe vetëm lotët janë shoqëruesit e mi gjatë ditës. Përse u tregove kaq mizor, përse u tregove kaq i padrejtë. Kush është qëllimi yt në jetë, të shkatërrosh jetën e vajzave që ty mund të duken simpatike? Unë të dua shpirt, edhe pse e di shumë mirë që ti je njeri që nuk meriton dashurinë e askujt. Kur rri e mendohem pyes veten; si ka mundësi që një njeri të shtiret në atë formë dhe të flasë për dashurinë në atë mënyrë kur vetë as nuk e ka provuar ndonjëherë se çfarë është dashuria? Ti ishe ai që hyre në jetën time, ti ishe ai që më flisje për ndjenjat dhe emocionet e tua ndaj meje në një formë sikur të ishe një nga personazhet e kryeveprave botërore. Ti hyre në zemrën time duke sjellë shumë vuajtje me vete dhe sa herë që mendoj për dashurinë tonë të pamundur, sytë më mbushen me lot të nxehtë dhe pikëllimi mbyt shpirtin tim. Por e di çfarë, në fund të fundit më vjen keq për ty, pasi ti je një njeri i vogël dhe gjithmonë i vetëm do të ngelësh, pasi ty të ka privuar i madhi Zot nga ndjenja më e bukur e botës. Ti kurrë nuk ke për ta takuar dashurinë, kurrë nuk ke për të provuar ëmbëlsinë dhe përkëdhelitë e saj, pasi je tepër egoist dhe tepër individualist. Lamtumirë, lamtumirë një herë e përgjithmonë, rrugë të mbarë shpirt në jetën tënde të vetmuar dhe mua më vjen mirë që nuk jam me ty.
GAZETA SHQIPTARE


Leave a Reply