
GazetaDitore
Shqiptari u dënua me nëntë vjet burg, pasi qëlloi në zemër Peyman Hatamin, gjatë një mosmarrëveshje për drogën në vitin 2012
Eriklit Musollari u largua nga vendi i tij, Shqipëria, për t’i shpëtuar gjakmarrjes, vetëm për të vrarë në Kanada.
Kështu shkruajnë mediet për shqiptarin që u dënua me nëntë vjet burg në qershor, pasi qëlloi në zemër Peyman Hatamin, gjatë një mosmarrëveshje për drogën në vitin 2012. Gjykatësi Robert Maranger e cilësoi këtë një “vrasje të rëndë dhe theksoi se “një dënim i drejtë për këtë krim të tmerrshëm do të ishin nëntë vjet paraburgim”.
Musollari, 25 vjeç mbërriti në Kanada përmes bagazhit të një makine nga Michigan-i. Ai nisi të punonte si pjatalarës, por tregtia e drogës iu duk më fitimprurëse, dhe përmes lidhjeve të ndryshme ai u përfshi tek tregtia e kokainës.
Hatami, 31 vjeç dhe Mustafa Waili, e njihnin shqiptarin si një blerës të rastit të marijuanës. Por ky i fundit i kishte hyrë tregtisë së drogës, duke u futur kështu në telashe, pasi po ndërhynte në punën e tyre.
Kur Musollari kishte rënë dakord për t’i shitur një personi kokainë me vlerë 40 dollarë, më 29 mars 2012, Hatami dhe Waili e kapën atë në një sedilje makine, dhe njëri prej tyre filloi ta godiste.
Në panik e sipër Musollari nxori armën që kishte në xhep për të trembur dy burrat, por në fakt ai bëri të kundërtën, qëlloi njërin prej tyre.
“Unë u përpoqa të tërheq armën, por ajo shpërtheu. Hapa derën dhe fillova të vrapoj”, shpjegon ai.
Hatami vdiq në vend. Musollari hodhi poshtë armën, dhe u ndal në një restorant aty pranë, ku piu tre shotsa me “Jack Daniels” për të zbutur nervat.
Avokati i Mbrojtjes Michael Smith kërkoi katër deri në gjashtë vjet burgim, duke theksuar faktin që Musollari nuk kishte precedentë penalë të mëparshëm dhe pendimin e tij për këtë ngjarje. Por kjo kërkesë u rrëzua, dhe tashmë Musollari ka edhe pesë vjet burg për të kryer.


Leave a Reply