
Esat pashë Toptani kish mbaruar shkollë jo të lartë ushtarake në Turqi dhe eci shpejt në karrierën ushtarake, jo falë aftësive të tij personale por pozicionit dhe peshës së familjes pinjoll i së cilës ishte.Gjatë gjithë karrierës së tij të koklavitur, ai nuk u dallua për ndonjë aftësi të veçantë prej strategu ushtarak, por për aftësinë e tij për të ndryshuar flamur sa herë kjo ti dukej interesante. Në foton e parë, Esati paraqitet me uniformën e gjeneralit turk. Fotografia është bërë diku rreth vitit 1912-1913 në Shkodër, në studion Marubi. Esati ka veshur uniformën e madhe, me të gjitha nishanet dhe medaljet. Në gjoks midis të tjerave, dallohen Ylli i Madh i Urdhrit të Mexhidijes dhe Ylli i Oficerit të Madh të Osmanijes. Krahëqafë shihet fasha e Urdhrit të Mexhidijes, të cilin e kanë marrë vetëm 6 personalitete shqiptare. Edhe shpata që mban, ka një goxha histori, por që nuk është vendi këtu ta shpjegoj.
Në foton e dytë, kanë kaluar dy vjet, Turqia ka shkuar përgjithmonë, Shqipëria u shpall e pavarur dhe Evropa i solli një princ për ta qeverisur. Esati, në qeverinë e Princ Vidit, mbante pikërisht dy postet që nuk duhej të mbante, atë të Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Luftës. Në foto, e cila është bërë në Durrës në mars 1914, ai mban veshur uniformën e gjeneralit, uniformë të cilën ja solli me vete princi. Këto uniforma u krijuan “ex novo” për ushtarakët e principatës së re dhe ishin sipas stilit austriak të kohës, ngjyrë të kaltër me fileto të zeza dhe të arta sipas rastit. Esati ka hequr dorë nga nishanet e kohës së Turqisë dhe për këtë arsye nuk mban më asnjë dekoratë.
Në foton e tretë kanë kaluar edhe dy vjet të tjerë dhe jemi në vitin 1916. Ka filluar Lufta Botërore, Vidi ka ikur nga Shqipëria e cila është pushtuar pjesë pjesë nga ndërluftuesit, ndërsa Esati e ka gjetur veten në anën e francezëve me qendër në Selanik. Ka formuar atje një njësi me rreth 500 njerëz të cilët pretendon se përfaqësojnë ushtrinë shqiptare. Në këtë fotografi Esati paraqitet me një uniformë të sajuar prej vetë atij, prej gjenerali me tre yje. Natyrisht që yjet i ka vënë vetë, sipas asaj që i ka thënë mendja se meritonte, ndërsa dekoratat ja kanë dhënë vërtet. Në gjoks shihet dekorata franceze e Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit, Kryqi i Madh i Urdhrit serb të Shën Savës dhe Kryqi i madh i Urdhrit italian të Shën Lazarit. Esati ja doli të marrë dekorata nga gati të gjitha fuqitë e kohës, por asnjëherë nga vendi i vet. Duket që të gjithë përpiqeshin të merrnin me të mirë këtë njeri që arrinte gjithmonë të binte në këmbë pas çdo katastrofe të vendit të tij, derisa, siç thotë populli, shtamba shkon e shkon për ujë por një ditë thyhet.


Leave a Reply