
Praktika e kartolinave të urimit me rastin e vitit të ri, është një traditë goxha e vjetër e nisur që në vitet ‘30 dhe që vazhdon ende sot. Përveç kartolinave me pamje të ndryshme që shiteshin për publikun, një pjesë e institucioneve prodhonin edhe kartolina të posaçme, të cilat ishin përgjithësisht me referime ideologjike më të dukshme. Por nëse pas viteve ’90 kjo kategori kartolinash është kthyer në normalitet, janë pikërisht ato të periudhës së diktaturës përmes së cilave mund të lexohet trajektorja e mendësive të kohëve të shkuara. Kartolina e parë uron vitin e ri 1962 dhe në të ndjehet ende ndikimi i traditës së dikurshme perëndimore (bredhi, fletët e kalendarit që bien) si edhe ndikimi i stilit artistik sovjetik. Kartolina e dytë na çon në ditët e fundit të vitit 1968. Shqipëria po përjeton periudhën e dashurisë së madhe me KInën dhe, nën ndikimin e saj, po zbaton edhe revolucionin kulturor, që aq shumë e deformoi kulturën tonë. Kartolina ka humbur çdo lloj reference normale dhe zor të gjendet symbol më i saktë se eskavatori për të shprehur së bashku idenë e përmbysjes së botes së vjetër, të punës së pakursyer dhe të hovit revolucionar. Kartolina e tretë është vetëm pak vjet më pas, por gjithshka ka ndryshuar. Në dhjetor 1972, Shqipëria ka rreth një vit që po përjeton një pranverë të drojtur kulturale. Eshtë përuruar “Ekspozita e Pranverës”; vetë Enver Hoxha ka folur frëngjisht me nxënësit në një takim me ta; pak ditë më parë është mbajtur “Festivali XI i Këngës”; e plot shenja të tjera. Në këtë kartolinë nuk duket asnjë PPSH, RROFTE, RPSH, asnjë simbol ideologjik. Viti ‘72 me këtë kartolinë u mbyll dhe filloi viti ‘73. Në ditët e para të vitit të ri, shoku Enver mban “fjalimin historik” për rrezikun e shkarjes drejt qëndrimeve liberale në kulturë dhe art; dhe brenda pak muajsh u zbulua dhe demaskua edhe komploti përkatës. Festivali XI, u varros me gjithë festivalistë e kuç e maç; Ekspozitës së Pranverës, ju zhduk nami e nishani me gjithë piktorë e artistë. Në kartolinën e fundit, furtuna e mesviteve ’70, tashmë ka kaluar prej kohësh. Pranvera e drojtur është harruar. Ideologjia është rivendos në fron dhe çdo njeri që merrte penën a penelin të shkruante a pikturonte qoftë edhe një shenjë të vetme, duhej të mendohej mirë më parë. Jemi në ditët e fundit të vitit 1985 dhe gjithshka është kthyer në binarët e sigurt të ideologjisë, brenda të cilëve çdo gjë është e sigurt. Në këtë kartolinë janë të gjitha, edhe emri i PPSH-së edhe flamuri i kuq edhe dyshja e kahershme kazmë e pushkë. E vetmja gjë që mungon është fantasia dhe ndjenja njerëzore, por këto janë të tepërta dhe me zarar. Artistikisht absurde, por politikisht korrekte.
Burimi – Facebook


Leave a Reply