
Ilirian Agolli
Një grua humbi jetën dhe 3 persona të tjerë janë plagosur rëndë të premten në mbrëmje kur një autobus me 54 turistë shqiptarë, që kthehej nga Kroacia doli nga rruga dhe u përmbys disa metra poshtë segmentit Ulqin – Tivar. Ministria e brendshme bëri të ditur se 4 udhëtarë u dërguan me urgjencë në spitalet e kryeqytetit të Malit të Zi, sepse ishin në gjendje më të rëndë, 13 të tjerë po mjekohen në spitalin e Tivarit, ndërsa pjesa tjetër janë jashtë rrezikut për jetën me dëmtime të lehta.
Turistët shqiptarë po ktheheshin në Tiranë nga Dubrovniku, ku ishin për një udhëtim turistik 3 ditor, kur një automjet i vogël me shpejtësi i ka zënë rrugën, duke e detyruar të dalë nga rruga për të shmangur përplasjen. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes pohuan se rruga në atë segment ishte e ngushtë, pamja e kufizuar nga errësira, ndërkohë që binte edhe shi i rrëmbyer.
Aksidenti përfshiu gati gjysmën e udhëtarëve, dhe autoritetet malazeze po u japin ndihmën e nevojshme. Drejt vend-ngjarjes u nis ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj. Drejtues të policisë së Shkodrës shkuan në vendngjarje për të ndjekur nga afër gjendjen dhe për të marrë më shumë informacion.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply