Nga: William F. Dankenbring and John D. Keyser
Ndonëse kudo në botë krishtlindjet festohen si një festë e krishtere, a është e krishtere krishtlindja në rend të parë?Merrni në konsideratë këtë: shqyrtoni Biblën fund e krye, dhe nuk do të gjeni as një fjalë të vetme të krishtlindjes që festohet nga të krishterët. Madje kjo nuk përmendet as një herë të vetme. Në anën tjetër, paganët e festonin këtë ditë për mijëra vjet përpara se të lindej Krishti. Nga vijnë këto rite dhe ceremoni misterioze që e rrethojnë këtë ditë?
“Në kohën e krishtlindjes, Betlehemi është në acar, dhe në Tokën e Premtuar, në fusha, nuk mund të ketë qenë as një bagëti në atë temperaturë…”
“Rreth kohës së krishtlindjeve në ditët tona, në Palestinë, kafshët dhe barinjtë janë të mbyllur [dmth nuk ka kullosa]…”
Ndërsa kërkojmë kohën e saktë të lindjes së Jezusit, gjejmë se ai nuk ka lindur as afërsisht datës 25 dhjetor, të cilën bota e ka zgjedhur për ta “festuar” ditëlindjen e tij.
Miliona të krishterë të pretenduar, të cilat mendojnë që janë pasues të fesë së Jezusit, janë mashtruar. Jo vetëm që si të pa mend kanë përqafuar traditën e gabuar sikur të jenë të krishterë, por ata janë gënjyer e mashtruar nga predikuesit dhe priftërinjtë, ndonëse Jezusi vetë ka paralajmëruar:”Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. Më kot më adhurojnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyut – rregulloret që i qitën njerëzit… Ju lëni pas dore urdhërimin e Hyut për të ruajtur traditën tuaj!” [Marku 6-8]
Kush është lindur më 25 Dhjetor?
Nëse Jezusi nuk është lindur më 25 dhjetor, kush është lindur atëherë? Me fjalë tjera, ditëlindjen e kujt po e feston bota e krishtere, më 25 dhjetor?
Në librin “Historia e Romës”, nga Michael Grant, lexojmë siç vijon:
“Ka pasur po ashtu një tjetër besim pagan gjatë kësaj epoke, që garonte me Krishtin për kontrollin e botës perëndimore. Ky ishte kulti i diellit, i cili respektohej nga miliona banorë të perandorisë romake, madje ky besim njëherë e një kohë qe bërë fe zyrtare…”
“Në Romë, karakteri hyjnor i diellit erdhi shumë më herët, dhe më pas, shekuj më vonë, në kuben madhështore të Panteonit të Hadrianit, hapja qendrore, e rrethuar me rozeta në formë ylli, paraqiste sferën diellore… Kohë më parë, perandori Aureli kishte themeluar një tempull masiv të Diellit të Pamposhtur si një pikë qendrore e gjithë sistemit fetar të shtetit [274]. Ditëlindja e zotit qe menduar të jetë më 25 dhjetor, dhe kjo, e transformuar në krishtlindje, është një nga trashëgimitë që krishterimi ia ka borxh këtij kulti” [f.391-392].
Vini re! Krishterimi mori ditëlindjen e zotit-diell, kultit të diellit, dhe e transformoi atë në krishtlindje, ditëlindjen e Jezusit! Në fakt kjo është lindja e një zoti pagan, që adhurohej nga miliona njerëz gjithandej perandorisë romake.
Kjo ka ndodhur në shekullin e katërt pas Jezusit. Asokohe Kisha inkorporoi ditëlindjen e zotit-diell në kalendarin e ashtuquajtur të krishterë, dhe konvertoi “ditëlindjen” e tij në ditëlindjen e vetë Jezusit. Ajo që përfundimisht dhe pa dyshim kishte qenë pagane, tash u “pagëzua” dhe me anë të një akti magjik u transformua në diçka të krishtere. Së paku, për vrojtuesin, kjo dukej të ishte e krishtere. Tash quhej e krishtere. Por, në fakt, kjo ende kishte një zemër dhe bërthamë pagane.
Paganizmi nuk qe mundur nga Kisha. Ajo e invadoi Kishën dhe e ngashënjeu përbrenda. Kisha e deklaruar krishtere u bë fytyra e re e paganizmit. U ndryshuan vetëm emrat. Në disa raste, si në pashkët, nuk u prekën madje as emrat e vjetër paganë.
“Respektimi i të Shtunës Çifute, prapë, të transferuar në të dielën Mitraike, është një veçori e rëndësishme e shumë kulteve të krishtere… Ai [Jezusi] nuk e ka thënë as një fjalë për adhurimin e nënës së tij, Marisë, në maskën e Isis, mbretëreshës së qiejve. Shkruesit skeptikë kanë pasur guximtari të mohojnë nëse Jezusi mund të quhet një i krishterë në rend të parë” [f.445].
Çka në lidhje me plakun e vitit të ri [Babadimrin apo Babagjyshin]?
Madje edhe plaku i vitit të ri nuk ka një origjinë dashamirëse! Ky karanxholl i trashë dhe gazmor mund të gjurmohet deri te legjenda e lashtë skandinave. “Enciklopedia Botërore” pranon:
“Disa nga veçoritë e babadimrit janë të vjetra me shekuj. Për shembull, besimi që babadimri hyn në shtëpi nëpërmjet oxhakut është zhvilluar nga një legjendë e vjetër skandinave. Skandinavët besonin që perëndesha Hertha shfaqej në vatër dhe sillte fat të mirë në shtëpi”.
Ndonëse shumica e njerëzve mendojnë që babadimri origjinal ka qenë një peshkop me emrin Shën Nikolasi i Azisë së Vogël i shekullit të katërt, kjo në fakt s’është e vërtetë. Fjala “Nikolas” do të thotë: i fuqishmi, i forti. Traditat e një “zoti” që jepte dhurata nën një bredh, i paraprijnë peshkopit të Azisë së Vogël për mijëra vjet. Midis skandinavëve ka qenë zoti Odin apo Woden, i cili linte dhurata të posaçme gjatë sezonës së krishtlindjeve nën bredh, drurin e tij të shenjtë.
Tony van Renterghem shkruan në “Kur Babadimri ka qenë Shaman: Origjina e Lashtë e Babadimrit dhe e Bredhit të Krishtlindjeve”:
“Në rajonet rishtazi të krishtëruara, ku keltët paganë dhe kultet gjermane mbeten me ndikim, legjendat e zoti Woden u përzien me ato të shenjtëve të ndryshëm të krishterë – Shën Nikolasi qe një prej këtyre. Ka patuar rajone të krishtera, ku shën Nikolasi sundonte i vetëm; në të tjera rajone, ai ndihmohej nga Ndihmësi i Errët pagan [një rob të cilin e kishte trashëguar nga zoti pagan Woden]. Në të tjera rajone të largëta… gjepa të lashtë traditash të kontrolluara nga fetë e Vjetra. Këtu Ndihmësi i Errët sundonte i vetëm, nganjëherë në mënyrë më ngatërruese, duke përdorur identitetin e rremë të Shën Nikolasit [apo Klausit], pa e ndryshuar në asnjë mënyrë pamjen e tij kërcënuese, i veshur me lesh. [Kjo qe figura që më vonë u përdor nga artisti Nest, si model për babadimrin e hershëm amerikan (Ang. Santa Claus)]” [f.96].
Katoliku Shën Nikolas po ashtu pati një të kaluar të paqartë. Van Renterghem thotë: “Ai qe një përmbledhje e dy shenjtëve të ndarë [një nga Mira në Azinë e Vogël, tjetri nga Pinora]. Të dy s’kanë qenë – siç pranon edhe Kisha sot – asgjë më shumë sesa perëndi të krishterë ujërash [Me gjasë të ndërlidhura me zotin greko-romak Posejdon-Neptun]” [Ibid]. Në 1970-tat, Këshilli i Dytë i Vatikanit zyrtarisht pohoi që kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë peshkop katolik me emrin Nikolas. Vatikani II më tej pranoi që legjendat të cilat i janë atribuuar këtij “shenjti”, nuk kishin origjinë të krishtere dhe me gjasë erdhën nga traditat pagane.
Kush ka qenë ky farë Odini apo Wodeni, “babadimri” i vërtetë? Ai ka qenë zoti suprem i mitologjisë skandinave, një luftëtar i ashpër i cili mbartte një shtizë si armë të veçantë. Ai ka qenë i njohur si një gjuetar i fuqishëm dhe për fuqitë magjike të tij. Po ky autor deklaron më tej, për sa i përket lidhjes mes Odinit/Wodenit dhe shën Nikolasit: “Woden/Odin: zoti-diell gjerman/skandinav; mik i njeriut, kalorësi misterioz Schimmel. Duke e tërhequr zvarrë me zinxhir robin e vet të errët e djallëzor Eckhart [Ekhart], ai kalëron nëpër qiejt e stuhishëm. Ai udhëheq një gjueti të egër, duke mënjanuar, dhe përfundimisht nënshtruar, fuqitë e së keqes. Ai po ashtu mbart një kapelë të gjerë me rreth, një pelerinë të gjerë, mban shtizën e vet dhe kalëron nëpër qiej [zëvendësoni kapelën e tij me një kapelë peshkopi dhe shtizën me një shkop që ka kryq në fund, dhe do të kemi shenjtin holandez Nikolas]” [f.111].
Origjina e vërtetë e “Krishtlindjeve”
Vërtet është e çuditshme qe një ditë e cila kurrë s’është përmendur apo miratuar në Bibël të bëhet festa kryesore e gjithë vitit. Kjo ditë kurrë s’është festuar nga Jezusi, apo nga dishepujt e tij, apo nga Kisha e hershme e Dhiatës së Re.
Cila është origjina reale e festimit të 25 dhjetorit? Një shqyrtim i kujdesshëm në fjalën “Krishtlindje” [Ang. Christmas] duhet të na tregojë diçka. Vëni re! Kjo është një përzierje. Ndonëse përfshin emrin e Krishtit, kjo po ashtu përmend meshën [Ang. Mass]. Nga erdhi mesha me ritualet, ceremoninë e përpunuar, lutjet pagane për të vdekurit etj?
Alexander Hislop, në librin e vet “Dy Babilonitë”, thekson që mesha është diçka e cila përfundimisht kthehet prapa tek ritet dhe zakonet e paganëve të lashtë. Ai e shpjegon këtë me një gjuhë të qartë: “Ndaj, gjejmë që gratë e Judesë kryenin ‘djegien e temjanit, mbushjen e gotave të pijes, dhe ofrimin e tortave mbretëreshës së qiejve’ [Jere. 44:19]. Tortat kanë qenë ‘sakrifica e pagjak’ që ajo i kërkonte… Në shekullin e katërt, kur mbretëresha e qiejve, nën emrin Mari, po fillonte të adhurohej në Kishën e krishtere, kjo ‘sakrificë e pagjak’ po ashtu përfshihej. Mu forma e sakrificës së pagjak në Romë mund të tregojë se nga ka ardhur. Ajo përbën një tortë të rrumbullakët e të hollë; dhe në formën e rrumbullakët të saj, Kisha e Romës e vë një theks të veçantë… Rëndësia të cilën Roma ia kushton formës së rrumbullakët të tortës duhet të ketë një arsye, dhe arsyeja mund të gjendet nëse shikojmë në altarët e Egjiptit. ‘Torta e rrumbullakët dhe e hollë’, thotë Wilkinson, ‘gjendet në të gjithë altarët’. Pothuaj çdo grimë në adhurimin egjiptian ka një domethënie simbolike. Disku i rrumbullakët, aq i shpeshtë në emblemat e shenjtë të Egjiptit, simbolizon diellin” [“Dy Babilonitë”, f.159-160].
“Zoti-diell” në Egjiptin e lashtë ka qenë Osiris. Disku i rrumbullakët i meshës egjiptiane simbolizonte diellin, dhe ka qenë një sakrificë që simbolizonte zotin-diell. Ai konsiderohej jeta dhe ushqimi i shpirtrave të njerëzve!
Ndaj, mesha e krishtlindjeve s’është asgjë më shumë sesa festimi i lindjes së vetë “zotit-diell”, Mesisë së rremë, shpëtimtarit të rremë, dhe vetë mesha po ashtu paraqet sakrificën apo tortën që i bëhet mbretëreshës së qiejve, “Nënës” së Shpëtimtarit pagan, sakrifica e pagjak. Prapë, mesha provohet të jetë pagane në thelb.
Është një fakt që 25 dhjetori qe festuar për mijëra vjet përpara lindjes së Mesisë, si ditëlindje e një zoti të lashtë pagan – zotit-diell. Alexander Hislop thekson të vërtetën në këto fjalë ngjethëse – së paku duhet të jetë tronditëse për këdo me mendje të pastër, të panjollosur dhe të ndërgjegjshme:
“Vërtet, është pranuar nga shkruesit më të dijshëm dhe të paanshëm e të gjitha palëve, që dita e lindjes së Jezusit s’mund të vendoset, dhe se përbrenda Kishës së krishtere kurrë s’është dëgjuar për një festival të tillë përpara shekullit të tretë. Atëherë, si e ka vendosur Kisha romake 25 dhjetorin si krishtlindje? Përse, kështu: shumë përpara shekullit të katërt dhe shumë përpara vetë epokës së krishtere, një festival qe festuar ndër paganët, pikërisht në këtë kohë të vitit, për nder të birit të mbretëreshës së qiejve të Babilonisë. Dhe, mund të merret me mend që, me qëllim për të bërë për vete paganët dhe për të shtuar numrin e ithtarëve formalë të krishterimit, festivali i njëjtë u adoptua nga Kisha romake, duke ia dhënë vetëm emrin e Krishtit. Tendenca e krishterëve për t’i dalë përpara paganizmit qe zhvilluar mjaft herët… Njerëzit e drejtë u përpoqën ta frenojnë këtë rrjedh, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, kjo vazhdonte, derisa Kisha, me përjashtim të një pakice, u fundos në besëtytninë pagane” [f.93].
Vazhdon Hislop:
“Që Krishtlindjet në origjinë janë një festival pagan, kjo s’ka kurrfarë dyshimi. Kjo kohë e vitit dhe ceremonitë me të cilat ende festohet, provojnë origjinën e tij. Në Egjipt, i biri i Isis, titulli egjiptian për mbretëreshën e qiejve, u lind pikërisht në këtë kohë, diku rreth kohës së solsticit dimëror. Mu emri me të cilin Krishtlindjet njihen tek njerëzit [Ang. Yule Day] provon edhe një herë origjinën e tij pagane e babilonase. [Ang. Yule] ‘Jull’ në gjuhën e kaldeanëve [Babilonisë] do të thotë: foshnje apo fëmijë i vogël. Dhe siç është quajtur 25 dhjetori nga paraardhësit Anglo-Saksonë, ‘yule-day’ [Dita e Jullit], apo ‘Dita e Fëmijës’, dhe nata përpara saj ‘Nata e Nënës’, shumë më herët përpara se të binin në kontakt me krishterimin, provon mjaftueshëm karakterin e vërtetë të krishtlindjeve” [f.93-94].
25 dhjetori është nderuar gjerë e gjatë në botën antike. Kjo ditë ka qenë ditëlindja e Diellit të Pamposhtur. Cungu i Jullit paraqiste trupin e vdekur të Nimrudit, një i rebeluar kundra Zotit pas Vërshimit, dhe me sa duket pema e krishtlindjeve ka qenë Nimrudi i rilindur – zoti i rilindur u kthye në jetë!
Krishtlindja është pagane, dhe rreth kësaj nuk ka kurrfarë dyshimi.
———————————————
Historia e Krishtlindjes

(Historia e meposhtme eshte treguar nga nje mik i Jezusit qe i i qendroi prane gjate 3 viteve te fundit te jetes se Tij ne toke)
Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë.
Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas.
Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç`është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t`i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre“.
E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë:“Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t`i venë emrin Emanuel, që do të thotë: “Zoti me ne”“.
Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.
Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem, duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar“.
Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi. Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.
Dhe ata i thanë: “Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit: “Dhe ti, Bethlehem, tokë në Juda, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin”“.
Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë. Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj“.
Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.
Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.
Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.


Leave a Reply