Ajo është gruaja që i ka ndenjur pranë deri në momentin e fundit mjeshtrit. Teksa ndodhet në Tiranë për ekspozitën “Shqipëria fantastike”, Luljeta Faslliu tregon njohjen e saj me piktorin Ibrahim Kodra, si ishte një ditë e zakonshme e tij, marrëdhënien e tij me femrat, rreth 8000 fotot në shoqëri femërore, arsyen pse nuk krijoi një familje, ditët e fundit të jetës dhe amaneti i papërmbushur.
“Një ditë, ai më tha…”. Luljeta Faslliu mund të tregojë histori pa fund. Janë 15 vjet njohje dhe çdo moment i kaluar pranë maestro Kodrës është një ngjarje më vete. Bashkëshorte e drejtuesit të fondacionit “Kodra”, Fatos Faslliut, Luljeta, apo shkurt Luli, është njeriu që i ka ndenjur më afër se kushdo piktorit Ibrahim Kodra. Teksa ndodhet në Tiranë bashkë me të shoqin, me rastin e hapjes së ekspozitës retrospektive të Kodrës “Shqipëria fantastike”, ajo e ndien si një domosdoshmëri të flasë. Ai e thërriste Regina kohëve të fundit edhe mama. Ishte me të derisa vdiq dhe dëgjoi edhe amanetet e fundit. Luljeta Faslliu, e cila prej 20 vjetësh jeton në Milano, na tregon për Ibrahim Kodrën, për jetën e tij, marrëdhëniet me femrat, për ditët e fundit, dëshirën për të ardhur në Shqipëri, pengjet, për amanetin dhe varrosjen e gabuar në Ishëm.
Si e keni njohur maestro Kodrën?
E njihja maestron prej 15 vjetësh. Për herë të parë e kam takuar në Festën e Flamurit që ne organizojmë në Milano çdo vit. Ishte 28 Nëntor. Aty erdhi edhe maestro, por të them të drejtën unë nuk e njihja, madje as kisha dëgjuar më parë për të. Ishte shumë emocionues momenti kur mbajti fjalimin dhe u prezantua me emrin Ibrahim Kodra. Të gjithë shqiptarët që ishin aty u gëzuan, sepse më në fund po njihnin një piktor të madh. Kur mbaroi festa, iu afruam të gjithë dhe filluam ta pyesnim për jetën, për veprat. Që aty lindi një miqësi shumë e madhe me ne shqiptarët. Në fillim e kishte të vështirë të komunikonte në shqip, pasi kishte ikur shumë herët nga Shqipëria dhe fliste gjysmë italisht e gjysmë shqip.
Megjithatë, ju jeni njeriu që i ndenji pranë derisa mbylli sytë…
Prej ’93-shit familja ime u bë pjesë e jetës së tij. I kemi ndenjur pranë të gjithë këto vite. Festonim bashkë ditëlindje, festa… Shkonim e vinim në shtëpitë e njëri-tjetrit. Ai gjeti një familje tek ne. Unë i qëndrova pranë deri në momentin e fundit, i mbajta dorën, i mbylla sytë… U mundova vetëm t’i jepja sadopak dashuri.
Ç’njeri ishte Ibrahim Kodra?
E donte shumë jetën. Ishte njeri shumë i thjeshtë, i dashur. I pëlqenin shëtitjet në natyrë. Nuk i donte ambientet e mbyllura dhe vazhdimisht na kërkonte të shkonim për të ngrënë jashtë. Ishte i dashur me të gjithë. I donte shumë fëmijët. Më kujtohet kur erdhi në ’97-n në Shqipëri, bëri një vizitë në Ishëm në një shkollë dhe drejtori e pyeti për jetën e tij, nëse ishte i martuar, nëse kishte fëmijë dhe ai ia kthen: Pse, pak fëmijë ka këtu?
Si ishte një ditë e tij?
Kishte një program të vetin. Ngrihej në mëngjes, përgatiste tryezën me gjërat që i pëlqenin atij, pastaj bënte gjimnastikë. Kishte një dhomë me të gjitha pajisjet e gjimnastikës. Pushonte dhe pastaj zbriste në një restorant që e kishte poshtë shtëpisë dhe hante drekë. Një drekë shumë të lehtë. Darkën e hante pak më të rëndë. Nga ora 5:00 punonte dhe sa vinte ora 8:00 binte telefoni: Ciao Fatos, Ciao Lulieta, nuk po vini? Jeta e tij ishte shumë e gjallë, e mbushur me njerëz. Edhe kur u sëmur, dhoma e spitalit ishte gjithnjë e mbushur plot. Nuk kishte asnjëherë orare për të. Pas një jave, kur u mësua se ai ishte një piktor i madh, për të nuk kishte rregulla. I vumë flamurin shqiptar edhe në spital, ndërsa në shtëpinë e vet e mbante te koka e krevatit. E donte flamurin shqiptar dhe fliste vazhdimisht për Shqipërinë.
Pak para vdekjes, zakonisht njerëzit “bëhen” sërish fëmijë, si ishin ditët e fundit të maestros?
Është shumë e vërtetë. Kohëve të fundit donte gjithnjë të na kishte pranë, dhe nëse largoheshim për pak, ankohej se nuk ktheheshim më. Ishte aq i lidhur me mua, saqë filloi të më thërriste mama, kurse Fatosin, “papa”. I kisha premtuar se do të rrija me të deri në fund, duke u përpjekur për t’i dhënë atë dashuri familjare që atij i mungonte prej shumë vitesh. Pas vdekjes, kur shtëpia e tij u mbyll dhe bëmë inventarin e gjithë pasurisë që ai la në Milano, zbuluam shumë vizatime nënash me fëmijë, në një moshë kur ai kishte mbetur jetim. Ishin imazhet e një nëne që mbante një fëmijë 6-7 vjeç. Ne nuk i kishim parë ndonjëherë. Ishin punë të tij, që i kishte mbajtur të mbyllura në dollap. Ishte prekës fakti që ai gjithë jetën e kujtonte të ëmën. Dhe në shtëpinë e tij, mbi portën kryesore të studios ishte imazhi i së ëmës, para së cilës ai qëndronte gjithmonë, e dukej sikur çmallej. Gjithë jetës i kishte munguar një familje.
Ky ishte një nga pengjet e tij?
Po e kishte peng, sidomos familjen që e lindi.
Për disa gjëra nuk ka një “përse”, megjithatë a tregonte ndonjëherë se pse kishte zgjedhur të mos ngrinte një familje?
Familja e tij ishin shoqëria. Ai kishte një shoqëri shumë të gjerë. Një herë kur e pyetën nëse kishte dashur ndonjë vajzë, ai tha se “po, kam dashur dhe të dashura kam pasur shumë, madje dhe do martohesha”. Maestro ishe i pagëzuar dhe i kthyer në fenë katolike. Bashkë me vajzën që dashuronte shkoi në kishë, caktuan dhe datën e martesës. Kur ma tregonte këtë ngjarje, qeshte me të madhe: “U mendova gjithë natën. Ajo kishte 9 veta në shtëpi. Thashë me vete, si të rri unë me 9 veta. Të nesërmen shkova tek ajo dhe i thashë se, nëse do të rrish me mua pa u martuar mirë, në të kundërt…”. Shoqëria ishte familja e tij, ai nuk e kuptonte dot jetën ndryshe.
Pra, nuk i ka munguar prania femërore në jetën e tij?
Jo, jo femra kishte pasur plot ai. Në shtëpinë e tij janë fotografi pa fund, ndoshta 8 mijë foto me fotomodele, artistike… shumë vajza. Por edhe një herë që deshi të martohej, nuk i shkoi deri në fund. Vetëm që të mos lidhej, të prishte regjimin e tij…
Nuk donte të kishte fëmijët e tij?
Ndoshta edhe ka dashur, por ne na thoshte: Familja ime janë miqtë e mi.
Ju thatë se ai fliste shumë për Shqipërinë…
Është folur shumë për amanetin e Kodrës, si është e vërteta e tij?
Unë isha pranë tij edhe në momentin e amanetit dhe mbylljes së testamentit. Kur noteri hyri në dhomë, ai tha: Regina do të qëndrojë. Amaneti i tij nuk ishte të varrosej në Ishëm. Amaneti i tij ishte që, nëse nuk kishte vend në Tiranë, atëherë të varrosej në Durrës. Ai nuk e kujtonte kurrë Ishmin, nuk e lidhte ndonjë gjë. E ndiente shumë të afërt Tiranën dhe Durrësin. Kështu që tashmë dëshira ime e vetme është që të plotësohet amaneti i maestros. Shpesh dëgjoj në televizione apo në gazeta që amaneti i Kodrës u krye, por kjo nuk është e vërtetë. Kemi dëshmitarë për amanetin e tij. Për mua është shumë e rëndë. Kur një njeri të lë një amanet, duhet ta çosh deri në fund. Ndoshta mund të rregullohet më vonë dhe të spostohet varri i tij. Nuk e di se kush e bëri atë gabim dhe e varrosën në Ishëm, në një vend aspak të përshtatshëm, pranë depos së ujit. Po të ishte për t’i shkelur amanetin, ne e mbanim në Milano, në varrezat më të mira, ku janë varrosur kokat e kulturës italiane.
ALMA MILE
Panorama






Leave a Reply