Preng Cara
Oficeri i Policisë Ymer Hajdari vritet për gjakmarrje pikërisht dy ditë mbas provokimit të familjeve me artikullin ‘Gjakmarrja drejt Shuarjes’ ku i bëhej temena njerëzve ordinerë të implikuar me krimin që krijojnë shoqata fantazmë në emër të gjakmarrjes e pajtimit për ti bërë qejfin qeverisë e përfituar projekte.
Mediat shqiptare duhet të jenë të qarta se pavarësisht nga qëllimi, shpesh transmetojnë aktivitete e botojnë artikuj që i provokojnë familjet në gjakmarrje, që e thellojnë krizën dhe depresionin në shoqëri, që i nxisin vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje sa herë kur para tyre shfaqen njerëz tillë apo deklarime të papërgjegjshme të policisë dhe të qeverisë. Asambleja Kombëtare e misionarëve të pajtimit dhe Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar kanë paralajmëruar që në pranverë 2011, për ekzistencën e 11 sekserëve në Tiranë që kanë krijuar “institute” e “shoqata pajtimi” vetëm për përfitime nëpërmjet mashtrimit të qytetarëve dhe publikut në emër të misionareve dhe asamblesë së tyre.
Institucionet shtetërore shqiptare dhe ato ndërkombëtare e kanë marrë këtë informacion nga raporti i ekspeditës dy mujore të misionarëve të pajtimit, 20 mars – 20 maj 2011, ku konfirmohej mbi aktivitetin kriminal të këtyre individëve të papërgjegjshëm. Individë të tillë janë të lidhur edhe me oficerë të policisë së shtetit dhe bëjnë lojë të dyfishtë me hasmëritë e gjakmarrjen duke nxjerrë në pritë njerëz që kërkohen nga gjakësi kundrejt 50 000 deri në 100 000 euro.
Ata fshihen mbrapa aktiviteteve mediatike e artikujve të paguar që tu bëhet reklamë ashtu si Sudja e Xhaferri mashtronin qytetarët për t’iu marrë paratë e thithur gjakun me firmat e tyre kriminale piramidale. Theksojmë me shqetësim se më të shumtit e sekserëve të lartpërmendur, të shpallur si drejtues institutesh, shoqatash a misionesh pajtimi, kanë qenë e janë kryesisht truproja e ish-truproja në Ministrinë e Brendshme e të Drejtësisë.
Disa janë të liruar nga detyra për lidhje me kriminelët e hajdutët në veprimtari gjobvënie e vjedhje. Një pjesë tjetër e vazhdojnë aktivitetin kriminal duke qenë në polici nëpërmjet baballarëve të tyre si kryetar “shoqatash” “institutesh” apo “misionesh pajtimi”. Komiteti ka zbuluar se në disa raste këta sekserë kanë falsifikuar edhe vulën e firmën e kryetarit të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për të përfituar me avokatët në lirimin e të burgosurve para kohe ose dhënie vërtetimesh për azil.
Këta individë ordinerë kanë guximin të lidhen edhe me emigrantë të përfshirë në rrjete kriminale në Kanada, Belgjikë, Angli, ShBA etj duke deklaruar se kanë krijuar degët e “instituteve” apo “shoqatave” të tyre me qëllimin e vetëm që të lëshojnë vërtetime për azil ashtu siç vepruan me rastin e Belgjikës kur atje ndodheshin vetëm 7 familje shqiptare që kishin arkivuar çështjen në Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar për t’ju mbrojtur të drejtën e azilit.
Shfaqjet në media të këtyre individëve ashtu si dhe deklarimet e rreme të policisë e qeverise ndaj fenomenit të gjakmarrjes, jo vetëm që nuk kanë sjellë dobi apo përmirësim të gjendjes por e kanë agravuar shpesh herë situatën dhe thelluar më tej të keqen.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply