
Alda Bardhyli
“E nesërmja është një tjetër ditë”. Margaret Mitchell shkruan kështu te romani “Iku bashkë me erën”, një prej romanëve më përfaqësues të luftës civile amerikane. “Do të mendoj për të nesër Hara. Nesër do të mendoj mënyrat se si ta kthej atë përsëri. Mbi të gjitha nesër është një tjetër ditë”. Në qendër të romanit ishte historia e një gruaje të re, tekanjoze dhe e pacipë në shpirt pushtuese, e pazonja ashtu si populli i vet i Jugut “për të njohur disfatën edhe kur e ka para syve”, nxiton të shkojë drejt së ardhmes duke menduar se “nesër është një ditë e re”. Ky libër është një nga më të shiturit të të gjitha kohërave në 28 milionë kopje. Në vitin 1939, ai u ekranizua në film me të njëjtin emër, nga Victor Fleming, dhe është futur në listën e 250 filmave më të mirë. Ai është fitues i çmimit “Oskar”. Por sa i ngjan Margaret personazhit kryesor të këtij libri, Scarlett O’Hara? Imazhi i saj në fotot e mbetura pas, na sjell një grua të bukur, flokët e shkurtër nën qafë dhe fustanet gjithnjë të kuruar me kujdes. Përtej syve që flasin aq shumë, Margaret mbeti një grua e vetmuar. Rrugëtimi në kërkim të një burri që do ta përfshinte të tërën me një vështrim, dhe do t’i falte një jetë si në librat që kishte lexuar, e bëri atë një “flirtuese të madhe”, e cila në fund nuk mundi të dilte nga loja. Pas vitit 1921, kur sapo kishte kaluar të 20-at, ajo frekuentonte ambientet e larta në Atalanta ku jetonte, duke u bërë kështu edhe gjuetarja më e mirë e burrave. Të gjithë binin pre e joshjes së saj, dhe në fund ishte ajo që largohej prej tyre pa u afruar. Këtë ndjesi ajo e përshkruan në një sërë tregimesh të botuar pas viteve 1940, ku personazhet femra i ngjajnë aq shumë stilit të Margaret në sjellje me burrat. Ajo ishte një grua e paskrupullt. Shpesh e gjente veten të përfshirë në disa histori njëkohësisht. Një gazetar lokal në ato vite do të shkruante për të më 1922-shin, se “ajo kishte kaq shumë lidhje dashurie ose ‘burra që vdisnin për të’ sa çdo vajzë në Atalanta nuk mund ta imagjinonte kurrë se mund t’i kishte një ditë. Megjithatë Margaret provoi dy martesa gjatë jetës së saj të shkurtër. Burri i saj i parë ishte Barrien Upshaw, me të cilin ishte takuar qysh herët më 1917-n gjatë një mbrëmje vallëzimi. Një djalë i shkolluar ai u pa për prindërit e saj si zgjedhja ideale. Më 2 shtator të vitit 1922 ata u martuan, dhe shoqëruesi i parë i dhëndrit, dhe njeriu që do të bëhej bashkëshorti i dytë i Margaret në dasmë, ishte John Marsh. Por martesa me këtë grua do të ishte fatale për Upshaw, i cili do të jepej pas alkoolit. Në dhjetor ata divorcohen dhe Margaret hidhet në krahët e burrit që kishte qenë gjithnjë pas saj, John Marsh. Më 4 korrik 1925, Margaret dhe John lidhin kurorë në Kishën “Unitarian-Universalist” në Atalanta. Pas martesës së dytë, Margaret do t’i përkushtohej punës si reportere në “Atalanta Press”. Temat që ajo preku ishin tepër të ndjeshme për kohën, çka e bënë atë një emër tepër të lexuar. Shkrimet e saj nuk ishin thjesht raportime, por vështrime të thella brenda botës njerëzore. Në këto vite, Margaret do të shfaqte interes edhe ndaj botimeve erotike, duke u bërë një studiuese e mirë e botimeve në këtë fushë. Gjithë literatura që lexoi në këtë gjini do të ndihmonte më vonë për të përshkruar mendjet njerëzore në letërsinë që shkroi. Stili i saj, në dukje i thjeshtë, është kaq i ndjeshëm. Margaret Mitchell është një prej figurave më të njohura të letërsisë dhe medias amerikane. Romani i saj “Iku bashkë me erën”, i botuar gjatë luftës civile amerikane, do t’i jepte një popullaritet të jashtëzakonshëm, dhe vlerësime me një sërë çmimesh, mes të cilave edhe çmimin “Pulitzer” më 1937-n.

Margaret nisi ta shkruante librin gjatë kohës që pëson një ndrydhje të këmbës dhe nuk mund të dilte nga shtëpia. John i dhuron asaj një makinë shkrimi, të cilën e vendos mbi tavolinën e një makine qepëse. Këtë roman ajo e shkroi për tre vjet. Gjatë kësaj kohe ajo i fshihte fletët e shkruara me peshqirë apo rroba që mund të ndodheshin mbi tavolinë, pasi nuk donte që ndokush të mësonte sekretin e saj. Shumë miq të saj mendojnë se personazhet në këtë libër janë bazuar te njerëz të vërtetë, por Margaret thotë se ata janë fryt i fantazisë së saj. Frymëzuese janë dhe shkrimet e saj në “Atalanta Jornal”, të cilat lexohen ende sot nga brezi i ri i gazetarëve. Nëna ishte frymëzimi i saj, gruaja që e futi drejt një bote të bukur misteresh, nga e cila Margaret nuk do të kthehej më pas. “Kur isha fëmijë, ndieja lotët të më rridhnin papritur faqeve teksa ime më, më lexonte mbrëmjeve historinë e dy djemve të shkruar nga G.A Henty, apo seritë e Tom Swift. Kisha diçka magjike në dëshirat e tyre. Ndieja se futesha aq shumë në historitë që ajo lexonte, sa shpesh qanim të dyja. Vite më vonë, kur unë u rrita, i lexoja unë asaj pjesë nga Shekspiri apo Charls Dicenks, Walter Scott”, do të shprehej më vonë Mitchell. Në vitet 1914-1918, ajo do të merrte pjesë në “Washington seminare”, një shkollë e njohur arti në Atalanta. Gjatë viteve të shkollës ajo do të ishte presidente e shoqatës letrare. Margaret iku nga jeta pa mbushur 50 vjeçe. Ajo u godit nga një makinë teksa kalonte rrugën “Peachtree 13” në Atalanta, bashkë me bashkëshortin John Marsh, teksa ishin duke shkuar në kinema për të parë një film mbrëmjen e 11 gushtit 1949. Ajo vdiq në spital pesë ditë më vonë. Shoferi i aksidentit ishte një taksist jashtë shërbimit në gjendje të dehur. Për kritikët fundi i Margaret tregon nxitimin që ajo kishte për të jetuar gjithçka në jetën e saj…
Gazeta Shqip


Leave a Reply