
Shkruan Reshat AVDIU, Preshevë,
Tash e shumë vite më parë ndër popullatën shqiptare në këtë pjesë të Dardanisë Lindore flitet për Besën e Madhe të Konstantinit nga Nishi (Naissus, Dardania), që ia kishte dhënë motrës së tij Doruntina Naissusit, që e kishte martuar shtatë konaqe larg nga Nishi. Duke e pajtuar dhe ngushlluar se për ç’do motmot do të shkonte dhe të merrte motrën e vet dhe ta sillte në gjirin e saj familjar.
Luftëra dhe hata tëmëdha kishin ra atëbotë mbi trojet dardane nga të huajt. Në njërën nga ato beteja të shumta kishte ra edhe vet Konstantini i Madh. E për Doruntinën kishin filluar të zgjateshin, e të zgjateshin, pa kufi stinat dhe motet e mërzisë dhe brengës për vëllanë, nënën për ato fusha dhe lendina të blerta në Naissusin (Nishin) e saj të lindjes.

Ç’do mëngjes pranveror ajo dilte tek ata dy lisat e mëdhenj mbi kodrinë për ta pritur vëllain e saj se mos po i vinte atje nga Dardania e largët me kalin e tij të shpejt si shiqeta. Kot, vëllai i saj nuk vinte se nuk vinte dot, e pastaj, së beshku me qyqet e malit ia fillonte vajit dhe kujës për Konstantinin dhe nënën Helenë e mbetur edhe ajo si qyqe në rrem në fronin e të birit të saj në Mediana* të Naissusit. Edhe nëna e saj e priste të bijën e vet se mos po i vinte sa për ta parë dhe ngushlluar për Konstantinin e Madh. Sytë iu kishin verbuar nga vetmia dhe lotët e ditëve dhe nëtëve në vijim.
Një ditë si zakonisht përsëri Doruntina kishte dalë tek ata dy lisat e mëdhenj për ta pritur vëllanë e saj. E diku atje larg përtej fushës së gjërë dhe katër maleve shqiptare dukej si nëpër mjegull një kalorës që e ngiste kalin e tij si shiqeta; ai sa vinte ofrohej e ofrohej. Hej! Zemra e motrës së shkretë filloi t’i rrihte, e t’i rrihte, vrullshëm e më vrullshëm saqë donti t’i dilte nga kraharori. Vallë, a mos do të jetë vëllai i motrës?! Po, po Konstandini ishte vet, ishte ngritur nga varri dhe kishte ardhur për ta marrë motrën e tij, dhe për ta çuar në vend Besën e Madhe Shqiptare. Doruntina e kishte kuptuar se me vëllain e saj nuk ishte diçka në rregull, s’ishte më ai Kostantini i fuqishëm, që kur qëllonte me topuzin e tij të madh, bënte që edhe bjeshka të dridhej! I vinte erë dheu, sytë i kishte të shteruar dhe të venitur, fytyra e tij dyllë e verdhë, flokët e gjata e të shpupurishura, duart e ftohta si akulli, plisi dhe guna e tij e baltosur, me opinga të grisura. Kështu dukej kalorsi nga Dardania e largët.
Koha ishte të niseshin për atë rrugë të largët të Egnatias për në Naissus. Kur po i afroheshin shtëpisë së vjetër, Konstantini i thotë motrës së tij, hec motra ime, hec përpara, sa ta lidhi gjokun për trungun e Mollës së Kuqe! Nga ai moment Konstantini i motrës, së bashku me erën e fortë që kishte filluar të fryente, e të fryente atë pranverë të vonuar, humbi dhe nuk u duk më!
Doruntina si një verkë mbi valët e detit të tërbuar drejtohet për në votrën e nënës Helenë. Atë të shkretë e gjeti të ulur skaj oxhakut duke vajtuar për të bijën e saj Doruntinën dhe djalin Konstantin Naissusin i vrarë ndër beteja të shumta me bajlozët dhe invadorët e huaj, që vinin atje përtej detit për t’i mësyer këto trojet tona dardane.
Nënë, nënë, jam bija yte Doruntina! O Zot, a mos jam në ëndërr, a mos po tallet ndokush me mua plakën e shkretë dhe të verbër. Jo moj nënë, jo, Konstantini, Konstantini… vëllai i motrës erdhi dhe më mori e më solli këtu! Mbeti pak larg shtëpisë sa për ta lidhur kalin për trungun e Mollës së Kuqe të Naissusit (Nishit).
Jo, e shkreta moj bijë! Konstandini vëllai yt, ka vite që ka vdekur edhe varri i tij gjer më tani është rrafshuar për tokë nga stina dhe moti. Ah, moj e gjora nënë, Besën e Madhe Shqiptare që nga Troja jonë e lashtë e gjer më sot nuk po e treti dot dheu as nuk po e thanë dot dielli dhe as nuk po e merr dot dallga e detit… . Ajo është ngulitur thellë në mendjen dhe shpirtin e ç’do shqiptari, pra edhe Besa, e Konstantin Nassusit (Nishit) do të jetojë, e do të jetojë ndër mote… !
*P.S. Në vitin 330 e.s, Mbretëresha Helenë vdes dhe varroset në Mediana të Nassusit, në Fronin e të birit të saj, Shën Kostantinit të Madh. Ky vendbanim Iliro-Dardan, gjendet sot mes Nishit dhe Banjës së Nishit, gjegjësisht Ilixhës së Nishit. Helena ishte e një shtrese shumë të ulët, e cila u martua me Konstancë Klorin. Pas kësaj ai u nda nga Helena, pasi u detyrua ta merrte për grua vajzën e Maksimilianit, Teodorën. Kostantini ishte pak i shkolluar dhe ishte peng te Diokleciani dhe Galeri. Në kohën e sundimit të tyre ai luftoi me trimëri.
(Qershor 2013)
* Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.
buzuku.info


Leave a Reply