
Nga Pjetër Logoreci
Tuj lexue për jetën dhe veprën e muzikantes së verbën austriake Maria Theresia Paradis, mbi famën e saj si pianiste, kangëtare, kompozitore apo pedagoge muzike, m’u duk sikur jeta e saj më ngjasonte e më sillte ndër mend një artist të njohun shqiptar. Rastësia më solli skjarimin e kësaj dileme ndërsa po ndiqja një program muzikor në një televizion shqiptar ku doli për të këndue kangautori Gjokë Vata.
(Foto e autorit te shkrimit)
Vuna re që në mes të të dy personazheve kishte shumë ngjashmëni. Sikurse Maria Theresia Paradis edhe Gjokë Vata e humbe dritën e syve pas një sëmundjeje foshnjore, që për kohën ishte shumë e vështirë të shërohej. Talenti, dashunia për muzikën, zotnimi i instrumenteve muzikore, shumëllojshmënia e muzikës së kompozueme, miqësia dhe kontaktet me personalitete të muzikës e të artit, janë një emnues i përbashkët për të dy artistët.
Meqenëse Maria Theresia Paradis, falë aftësive e talentit të saj zen një vend të randësishëm në enciklopedinë e personaliteteve austriake, mendova se asht një shëmbull i mirë për mue që të pasqyroj sadopak (tuj e pa nga ky kandvështirm) për publikun shqiptar edhe jetën e një artisti të shumanshëm si Gjokë Vata, i cili megjithëse me aftësi të kufizuara, asht shumë i njohun për talentin dhe veprat e tij që kanë lanë gjurmë në muzikën tonë.
Ashtu si vjenezja Maria Paradis pat njohje e lidhje arti me muzikantë të njohun të kohës si Mozarti apo Joseph Haydn, artisti Gjokë Vata gjatë jetës së tij pat kontakte pune apo miqësi me shumë përsonalitete të njohuna të shumë sferave në vendit tonë. Po përmend këtu kontaktet me muzikantët Prenk Jakova, Pjetër Gaci, Marie Kraja, Lukë Kaçaj, Abdullah Grimci, Tonin Harapi, Alqi Kareco… apo instrumentistët Gjovalin Lazri, Ida Melgushi, Gjovalin Doda, Gjon Halili, Gjovalin Xhanxhafili, Gjosho Vasia, të cilët ndikuen pozitivisht në botën shpirtnore e krijuese të artistit.

Foto 1: Kangautori Gjokë Vata me instrumentistin Mateo Guralumi
Një histori e shkurtë e jetës të pashëmbullt të artistit Gjokë Vata!
Gjoka leu në Vermosh të Kelmendit më dt. 15 korrik 1935. Bjeshkët e Kelmendit janë të begata dhe në za për atdhetarí, burrni e bujari si tanë Malësia e Madhe. Fati deshti që i ati i Gjokës, Marku, u martue tri herë mbasi dy gratë e para i vdiqën. Grueja e tretë, Drandja pat vetëm një djalë, Gjokën, i cili ka edhe një vëlla e dy motra prej babës. Kur Gjoka kje 5 vjeç familja u shpërngul për një jetë ma të mirë në qytetin e Shkodrës.
… nana më zbriti prej Vermoshit e m´i kande gjithmonë krenarisë teme me e përmendë si vend të origjinës time. Sa herë ndigjoj emnin e vëndlindjes time, më duket i afërt si emni im. Vetë përbamja e malit më ban krenar… (Gj.V. “Ditari i kujtimeve të mija”, fq. 49)
Për nanën Drande jeta në qytet ishte shumë e vështirë, pasi mundësitë ekonomike që pati ishin shumë të kufizueme. Për me mbajtë e ushqye fëmijën jetim e me aftësi të kufizueme ajo u detyrue të bante punë të ndryshme ndër familjet e qytetit apo në fshat.
… Ndonjiherë nana, tregon Gjoka, – tue mos pasë mundësi me gjetë tjetër mënyrë jetese, gjatë kërkimit të lëmoshës, më merrte me vedi si me dashtë me iu paraqitë njerzve nëpërmjet meje, portretin e mjerimit, që e shtërngonte me dalë me shkop e me shtrajcë…

Foto 2: Gjokë Vata me shokun e tij të moshës Mark Tatiçin
Mungesa e shkollave speciale si dhe e ligjeve në përkrahje sociale për të verbnit, bani që Gjoka qysh në fëmini të përjetojë vështirësi e sakrifica të mëdha. Ndërkohë edhe vetë qyteti i Shkodrës përballej me një gjendje të randë ekonomiko-shoqnore. Papunësia, injoranca, mjerimi e banin të zymtë jetën e qytetit e banorëve të tij.
Falë zanit e sjelljes së tij, Gjoka u bë shumë shpejt fëmija ma i njohun i qytetit. Për të fitue diçka, që t’ia lehtësonte sadopak jetën vetes e nanës Drande, ai përshkonte çdo ditë rrugët e qytetit tuj u takue me njerëzit dhe tuj këndue për ‘ta kangë të njohuna të kohës, të cilat i kishte mësue nga muzikantë bamirës që asokohe luenin ndër lokalet e shumta të qytetit. Djali i vogël fukara, rrobat e të cilit mbuloheshin vetëm nga arnat e qepuna nga e ama sa mos me i lanë vend erës të fshikullonte trupin e tij të njomë, zotnonte karakter të fortë malësori dhe besim të madh te Zoti. Ai nuk donte të qëndronte para derës së kishës apo në ndonjë cep rruge për të lypë bukën e tij të përditëshme. Tregon Gjoka në librin e tij biografik:
… për me u përshëndetë me Mëhill Delinë, të vërbërin tjetër të lagjes tonë, shkova te kandi i qëndrimit të tij të zakonshëm ku u lyp lëmoshë kalimtarve. Motoja therëse si një vetëplagosje: “ FALNI QORRIT PA SY” … m’u duk si zani ma i vrazhdë i mjerimit … mendova: “Sa e tmershme asht përsëritja e panumërt e kësaj fjalie, çdo përsëritje e së cilës e ban ma pak therëse dhimbjen e shqiptimit të saj, derisa bahet aq e zakonshme sa e shqipton në mënyrë të pavetëdijëshme, sikur të ishe nji robot…
Lufta për jetën e për bukën e gojës bëri që të shpërthenin talentet e tij, dhuratë e Zotit. Qysh në moshën 8 vjeçare ai filloi të hedhi në vargje emocionet e revoltën që i buronin nga shpirti i tij i trazuem… e po ashtu filloi të ishte i përhershëm e të aktivizohej sa mundej në ambientet e aktivitetet e kulturës që organizonte qyteti. Falë dashamirësisë së mjeshtrit Prenk Jakova, Gjoka fillon të mesojë në mënyrë autodidakte notat muzikore dhe pianon tuj u mundue të provojë sa ma shumë ndër ata pak instrumenta që kishte shteti. Fati e solli që në sajë të ngjyrës dhe të zznit unikal e tonalitetit të tij të vecantë, dëshirës së tij për artin dhe falë ndërhymjes së Prenk Jakovës tek autoritetet, t’i jepej mundësia për të vazhdue Liceun Artistik të Tiranës për piano.
Me ndihmën e mësuesve dhe të nxanësve dashamirë, Gjoka filloi të ambientohej me muzikën, instrumentet e jetën e kryeqytetit. Në vitin 1952 ai shkruen kangën e tij të parë: Dashuri Baritore (tekst e muzikë), e cila u vlerësue shumë nga Komiteti i Arteve dhe Abdullah Grimci. Bukuria e zanit të tij, vullneti dhe kambëngulja për të ecë përpara, befasuen të madhen Marie Kraja, e cila kërkoi nga drejtori i shkollës që Gjoka të fillojë njëkohësisht me pianon edhe leksionet për kanto. Kërkesës së saj drejtue drejtorisë të Liceut drejtori iu pergjigj me këto fjalë:
… Zonja Kraja, me gjithë respektin e madh që kam për ty, kriteri i vendosur për të nxjerrur në skenë njerëzit me të metë fizike më detyron ta refuzoj kërkesën. Kjo direktive, vërtetë nuk është e shkruar, por megjithatë është vendosur normë e shoqërisë tonë. Ne kemi porosi nga lart ta nxjerrim Gjokën vetëm një herë në fund të këtij viti shkollor për të pasqyruar përkrahjen e shtetit e stop. Daljen në skenë të njërzve me të meta fizike shteti jonë e konsideron ngacmim emocional, i papreferueshëm nga politika jonë. (Gj.V., “Ditari i kujtimeve te mija”, fq. 177)
Në kryeqytet Gjoka njihet me personalitete të botës akademike, me të cilët diskuton për letërsinë, muzikën, autorët e huaj. Ka kontaktet me Jorgo Bllacin, Mihallaq Luarasin, Robert Shvarcin, Hysen Pelinkun, me përkthyesin Vedat Kokona nga i cili merr idenë t’i hyjë botës së përkthimeve. Në shumë ambiente muzikore e shoqnore të Tiranës, Gjoka me kangët e tij që ishin hit-et e muzikës italiane, spanjole apo angleze, u ba shumë i njohun, gjë që e dëmtoi shumë “reputacionin politik” të tij. Pas paralajmërimeve të autoriteteve të shkollës, atij iu hoq bursa për të vazhdue studimet në Çeki, ndërsa filloi të përgjohej nga Sigurimi i Shtetit “për qëndrim të keq politik”. Ndërkohë me Revolucionin Hungarez, situata politike në Europën lindore pësoi një goditje të madhe dhe ngjalli shpresa për çdo shpirt të lirë të shtypur nga diktatura. Tuj përfitue nga verbëria e tij, Sigurimi i Shtetit përgjonte Gjokën edhe gjatë udhëtimeve të tija në Shkodër ku ai në takimet me shokët i flitte atyre për muzikën bashkëkohore, poezinë, lirinë e fjalës e të artit, ku ai shprehte simpatinë e tij për Revolucionin Hungarez apo për poetin “reaksionar” Gjergj Fishta.
Kjo solli që në vitin e tretë ai të përjashtohej nga Liceu dhe të arrestohej e të keqtrajtohej në hetuesi nga Sigurimi i Shtetit për të pranue tri akuza të sajueme: Agjitacion e propagandë, Tentativë arratisjeje me grup, Përpjekje për të përmbysur pushtetin popullor. Lirohet nga hetuesia për mungesë provash si dhe me motivin se “Pushteti i Popullit” nuk dënon në burg njerëz me aftësi të kufizuara si Gjokë Vata.
Këtu fillon për Gjokën kalvari i mundimeve, papunësisë dhe i izolimit të plotë nga shoqëria. Në Shkodër ai diskriminohet nga zyrtarët lokal të partisë dhe shtetit në format ma t’egra. Nuk e lejojnë të punojë, të këndojë, të ketë kontakte me shokë dhe miq të cilët Sigurimi i kërcënonte, nuk lejohet të hyjë në ambientet e kulturës (Klubin e Rinisë, Teatrin Migjeni, Shtëpinë e Kulturës). Persona të randësishëm partiak por edhe spiunë të regjimit e fyejnë apo e kërcënojnë publikisht.
Për të tregue “zemërgjërësinë e partisë” ndaj një njeriu si Gjoka të cilit po i cënohej egzistenca, gjendet mënyra përmes gjeneral Hilmi Seitit, kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër. Gjeneral Hilmiu, një komunist fanatik me “fytyrë njërëzore” i ofron Gjokës punë në vatrën e kulturës Fushë-Arrëz, ku punëtorët dhe banorët e qytezës e shohin si armiku i klasës. Më pas, ekstremistët e kuq të Komitetit të Partisë në Pukë e largojnë “për të ruajtur të pastër artin komunist”.
Edhe në momentet më të vështira të jetës, Gjoka ka gjetur frymëzimin me shkrue muzikë, me kompozue kangë dhe me këndue tue gëzue me tingëllimën e shpirtit të tij festa të ndryshme familjare në qytet. Ai asht kangëtari i dëshiruem, instrumentisti, bejtexhiu, humoristi që mahnit me barcaletat e tij.

Foto 3: Dekoratë
Me ndihmën e shokëve e miqve, bahet pjesëtar i grupit të famshëm të estradës në fabrikën e cigareve në Shkodër, ku punon për tri dekada. Grup ku banin pjesë humoristët e mirënjohun Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Muharrem Nurja, apo kangëtarët Fatmira Puka e Tonin Tërshana, kishte marrë disa çmime kombëtare në levizjet amatore për interpretim dhe humor. Gjatë shfaqjeve dhe turneve të ndryshme, Gjoka mahnit spektatoret si solist apo në duet me kangëtaren Fatmira Puka.
Gjatë levizjeve për demokraci, Gjoka ishte shumë aktiv me artikuj në gazeta, intervista apo biseda të ndryshme në radio, televizion e në publik. Së bashku me familjen, vajzat e tij Venona dhe Sidola, ai u gjend kurdoherë në ball të revoltave popullore për liri, në Shkodër. Me 11 nantor 1990 në ngjarjen e madhe të rihapjes së institucioneve fetare, Gjoka mahnit me zanin e tij të gjithë të pranishmit vendas e diplomatët e huej, me Ave Maria të Shubertit me të cilën u hap mesha e që u transmetue nga Zëri i Amerikës. Ai nuk u kursye asnjëherë për me dhanë ndihmesën e tij të vyeme edhe për shoqatën e të verbërve të Shkodrës ku disa kohë ishte edhe kryetari i saj (1992).
… Artisti Gjokë Vata
Në vitet e rinisë, mbi libretin e Nikollë Dakës e koreografinë nga Filip Gjergjit, Gjoka kompozon tabllonë muzikore “Klasë e Lavdishme” e cila u nderua me cmim në levizjen kulturore të qytetit dhe më vonë në atë kombëtare në Korcë. “Çuditërisht” ndër afishet e shfaqjes shkruhej – nga kompozitori Kolë Vata. Njëkohësisht ai vazhdon të shkruejnë poezi të cilat i botonte në rubrikën e poetëve të rinj në revistën kulturore Nëntori. Në një konkurs me rastin e përvjetorit të vdekjes së poetit Naim Frashëri, ai merr çmim të parë me një poezi prej 20 vargjesh. Në vitin 1963, me nxitjen e Prenk Jakovës, kompozon (tekst e muzikë) disa kangë për fëmijë për festivalin kombëtar si Pema dhe Fëmija e një vit ma vonë Mirësevjen Dallandyshe, të cilat vlerësohen me çmime të dyta. Gjatë jetës së tij artistike, Gjoka ka kompozue rreth 100 kangë, dy nga të cilat i ka këndue duet me të bijën në Festivalin e Këngës.

Foto 4: Gjoka duet me te bijën Venona
Në vitin 1993 ai kompozon “Baladën e Mërgimtarit” (tekst e muzikë) si kolonë zanore të dokumentarit “Armiku im” që asht xhirue në Shqipni për kanalin italian Rai, që mbasandej i ra rrumbullak Evropës tuj u vlerësue shumë nga kritika gjermane. Ma vonë në Radio – Shkodra, në një projekt të ideuem nga kompozitori Zef Çoba, Gjoka drejtoi dhe komentoi rreth 40 emisione mbi historikun e muzikës klasike.
Me 17 korrik të vitit 2000 ai u nderue nga bashkia e Shkodrës me titullin: Mirënjohja e Qytetit, me motivacionin: për cilësi të lartë në fushën e krijimtarisë muzikore dhe të interpretimit, duke dhënë një kontribut të çmuar në fizionominë e artit tonë kombëtar.
Aktualisht ai këndon në emisionin muzikor Kënga Ime në TV-Klan.
Si përkthyes, Gjoka ka shqipëruar 10 këngë nga Komedia Hyjnore, pjesë poetike nga Kipling dhe vargje prej veprës Filozofia e Dashurisë nga Shell.
Librat e tij që kanë pa dritën e botimit janë:
1.Ditari i kujtimeve të mia / Autobiografi
2.Nata e dhimbjeve / Poezi (1995)
3.Gjuha e Thimcit / Satirë (2009)
4.Frymëzime mendimesh / Poezi (2013)
5.Vendim i jashtëligjëshëm kundër gjuhës shqipe / Linguistikë (2012)
6.Vështrim kritik mbi shkrimet e realizmit socialist / Kritikë (2008)
Referimet e fotot e përdorura në këtë shkrim janë marrë
nga shënimet e një bisede që unë bana me artistin Gjokë Vata në Shkodër,
si dhe disa paragrafe nga libri i tij: Ditari i kujtimeve të mia.
Vjenë, me 7 maj 2014

Gjokë Vata dhe autori i shkrimit Pjeter Logoreci
pershkodren.com


Leave a Reply