
VEPROR HASANI
Kolonjë – Ishte kohë mallkimesh, por zoti kishte qenë me të mallkuarit dhe jo me mallkonjësit. Hijetarët e kishave, dhespotët dhe mitropolitët, kishin marrë rrugën e satanait. Ishte koha kur djalli shitej si i shenjtë dhe shenjtori konsiderohej si i paudhë. U mallkua Naum Veqilharxhi, sepse krijoi alfabetin e gjuhës shqipe. U tha se 20 vitet e krijimit të afabetit nga Naum Veqilharxhi kishin qenë marrëzi e mallkim. U mallkua Petro Nini Luarasi, sepse rendte sa në një krahinë në një tjetër për të mbjellë farën e gjuhës shqipe. Mitropolitët Qirilli, Gregori dhe Fillaret Vafidhi përgatisnin mallkimet që nuk kishin të rreshtur. U mallkua Gjerasim Qiriazi, sepse hapi të parën shkollë të vashave në Korçë në 23 tetor 1891, së bashku me të motrat Sevastinë dhe Parashqevinë. U mallkua At Naum Cerja, i lindur në Rehovë të Kolonjës se bënte thirrje: “ Lexoni librat e Naimit”. U mallkua Gjergj Qiriazi. Ai dinte të fliste mirë greqishten, bullgarishten, vllahishten dhe turqishten, por u mallkua vetëm pse dinte të fliste shqipen. Dhe kjo ndodhte kur ai kishte lindur në Peras të Kolonjës dhe aty kishte mësuar gjuhën e nënës. Ilmi Pashai i Manastirit thërriste i nervozuar: – “Do ta vras Gjergj Qiriazin”! U mallkua Baba Braho Qesaraka, se kishte lënë rrugën e zotit dhe kishte marrë atë të djallit. Tw qenë e kishte kthyer në mësonjtore dhe mes shkëmbinjve të Qesarakës dhe errësirrës së netëve fshihte dhe shpërndante abetare. U mallkua Sevasti Qiriazi, mësuesja e parë e Shkollës së Vashave, ku bashkë me të do të vinte nga manastiri dhe Fanka Efthimi, e cila do të qëndronte në Korçë për 21 vjet, por që historia do të shkruante shumë pak për të. U mallkua Themistokli Gërmenji nga fshati Gërmenj i Kolonjës, sepse bashkë me kapedanë të tjerë si: Sali Butka, Shahin Kolonja, Mihal Grameno etj., kishin dalë edhe në mbrojtje të shkronjave shqipe. U mallkua At Papa Kristo Negovani, nga fshati Valanj i Kolonjës, sepse predikimi i tij ishte: “Zoti im në qiell është Shqipëria”. Kolonja po përjetonte valën e zezë të mallkimeve pa fund.
Kazaja e Kolonjës
Nga të dhënave që gjejmë në librin “Kamus ul-Alarm” (1889) të Sami Frashërit, mësojmë se Kolonja në atë kohë ishte kaza e Vilajetit të Manastirit, e cila kufizohej nga Veriu me Kazanë e Korçës, nga Lindja me Kazanë e Kosturit dhe nga Jugu e Perëndimi me Vilajetin e Janinës. Kishte 54 fshatra dhe mbi 15.000 banorë. Ndërsa Papa Kristo Negovani në librin e tij: “Istori shkronja e Pilkatit” tregon se Negovani dhe Bellkameni kanë qenë dy fshatra të banuar ngë shqiptarët, të cilët ishin shpërngulur nga Pilkati i Kolonjës në mesin e shek të XIX. Në këtë periudhë mendohet të jetë shpërngulur edhe fshati Valanj i Kolonjës, i cili ndodhej mes fshatit Rehovë dhe Pilkatit. Në kazanë e Kolonjës bënte pjesë edhe Vithkuqi, ku lindi shenjtori i abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi, në vitin 1767. Ishte lindja e abetares që do të pasohej me lindjen e burrave dhe grave të zonja me misionin hyjnor të shpërndarjes së shkronjave tek fëmijët.
Kërkohej një abetare
Kishte nga ata që e përfytyronin se mund të zbriste nga qielli, ashtu siç zbret një frymë e shenjtë. E kishin të vështirë të mendonin abetaren shqipe. Në të vërtetë një njeri i lindur në kazanë e Kolonjës dhe i shpërngulur në Rumani, kishte nisur të krijonte shkronjat e para. Mbi 20 vjet kishte punuar per te formwsuar ato. I shkruante dhe i dëgjonte nëse tingëllonin shqip apo ishin të përzjera me greqishten, turqishten e -ishte të tjera. Së fundi kishte krijuar abetaren. Ishte Naum Veqilharxhi. Abetarja kishte vetëm katër faqe dhe 33 shkronja. Nga duart e tij, ajo u gjend befas në Kolonjë, Korçë, Danglli, Përmet, Skrapar etj. Por nwse kishte zbritur nga qielli si frymë e shenjtë, nga toka e prisnin mallkime. Abetarja përgjakej nga njëri vit në tjetrin. “Vetw krijuesi i abetares u gjet i helmuar në vitin 1846, në sofrën e patriarkut, ndërsa librat u dogjën në oborrin e patriarkanës greke.”
Nis lindja e idhujve të Veqilharxhit
Që nga viti 1846 nuk po flitej më për Naum Veqilharxhin. Satanai mbante në heshtje gjithçka për vdekjen e tij. Në fshatin Luaras, në vitin 1865 kishte lindur Petro Nini Luarasi, ai që do të luftonte për hapjen e mësonjtoreve në gjuhën shqipe. Petro Nini Luarasi solli postulatën: “ Edhe 99 herë të rrëzohemi përsëri duhet të ngrihemi”. Mitropolitët: Gregori, Qirilli, Fillareti zbrasnin mallkime pas mallkimesh mbi Petro Nini Luarasin, ndërsa ai me një feste të kuqe në kokë, i mbështetur mbi shkop dhe tek feneri i ndezur në dorën tjetër, ecte nëpër errësirë nga njëri fshat tek tjetri, nga njëra krahinë tek tjetra për të mbjellë farën e gjuhës shqipe. Për herë të parë dha mësim në gjuhën shqipe në 1 shtator të vitit 1882 në fshatin Bezhan, në 1883-’84 në fshatin Katund, në ‘84-‘85 në fshatin e tij të lindjes. Ndërsa në vitin 1887, me lejën e Sulltanit të Turqisë u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe, kur shenjtori i Abetares, Petroja, e kishte kryer këtë mision pa lejën e sulltanëve, vetëm me ndihmën e Baba Braho Qesarakës e djemve të tij, me ndihmën e Fetah dhe Hasan Qinamit dhe kapedanëve si Sali Butka, Mulla Nasufi dhe gjithë patriotëve të tjerë. E helmuan teksa pinte kafen në një nga lokalet e Ersekës. Thanë se mësuesi ishte i prekur nga kolera. Kërkohej djegia e trupi të tij, që mallkimtarët të preheshin të qetë pas një lodhjeje të stërmundimshme që kishte nisur nga koha kur abetarja ishte shfaqur mbi dheun shqiptar. Më kot ishte shpresuar. Nxënësit e Petros ishin bërë mësonjës të gjuhës shqipe. Kristo Luarasi drejtonte shkollën e Luarasit, Koço Ilo Postenani shkollën e Gostivishtit, Nuçi Naçi të Treskës, Vasil Thanas Duro të Vodicës, Zihni Efendi Leskoviku të Leskovikut, Balil Tahiri të Selenicës së Pishës. Në vitin 1911 u hap Shkolla e Vashave edhe ne Leskovik. Në fshatin Peras dhe në fshatin Starje të Kolonjës, së bashku me Lindjen e Petros së madh në vitin 1865, kishin ardhur në jetë, Gjergj Qiriazi dhe Shahin Kolonja. Ky i fundit do të përfundonte studimet në fakultetin e drejtësisë dhe do të luftonte për këtë ceshtje deri në fund të jetës së tij. Para tyre, në 18 tetor të vitit 1861, në fshatin Tërnovo të Manastirit, kishte lindur Gjerasim Qiriazi, i cili pas çeljes së mësonjtores do të bënte të pamundurën për emancipimin e vajzave shqiptare. Ishte Gjerasim Qiriazi së bashku me motrën, Sevastinë që çelën në 23 tetor të vitit 1891 Shkollën e Parë të Vashave. Në vitin 1892 po përgatitej vrasja e Gjerasimit nga Mitropolia me në krye dhespotin. Kërkoheshin vrasje të heshtura, të kryera natën, me mjete të padukshme, të ngjasonin me vdekje-pasojën e mallkimeve të Perëndisë. U gjend doktori i Gjerasimit për t’i injektuar helm në gjak. Gjerasimi mbylli sytë në 4 janar 1894. Kështu e kujton vdekjen e vëllait, Sevasti Qiriazi. Hijet e vdekjes kishin vrarë ardhjen e idhullit të Naum Vqilharxhit. Çuditërisht në vitin 1871, bashkë me ardhjen në jetë te Sevasti Qiriazi lindi dhe Themistokli Gërmenji. Njësoj si në një parashikim profetik ku thuhej: “Sevasti Qiriazi dhe shkronjat shqipe kanë nevojë për mbrojtje”. Ky mbrojtës do të gjente vdekjen me pushkatim në 7 nëntor 1917, në Selanik të Greqisë, por deri atëherë Sevasti Qiriazi, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi dhe Parashevi Qiriazi i kishin dhënë shumë Shkollës së Vashave në Korçë. Pas tyre në vitin 1875 lindi Papa kristo Negovani, origjina e të cilit është ajo e fshatit Valanj në Kolonjë dhe Kristo Luarasi. I pari hapi shkollën e parë shqipe në Negovan, shkroi shumë vjersha dhe fabula, por Mitropoliti i Kosturit do të ndërsente drejt këtij shenjtori të gjuhës shqipe andarët e Jani Ballukes, të cilët do ta vrisnin në vitin 1905. Edhe Kristo Luarasin e thërret në Ersekë dhespoti i Kosturit për ta detyruar të largohej nga gjuha e mallkuar e shqipes, por Lurasi në vijim të rrugës që kishte nisur, në vitin 1897, në Sofje, ngre shtypshkronjën “Mbrothësia” ku shumë prej njerëzve të dijes do të përhapnin dritën e ideve të tyre. Në vitin 1889 lind Ilo Mitkë Qafzezi. Bibliografia e veprave të tij është mjaft e pasur. Gjithçka që ndodhi për herë të parë
Naum Veqilharxhi mbeti krijuesi i abetares së parë. Petro Nini Luarasi, i pari që dha mësim në gjuhën shqipe në fshatrat e Kolonjës dhe një nga pionerët e çeljes së Mësonjtores së Parë shqipe në Korçë. Po atë vit hapi Shkollën Shqipe edhe në Ersekë. Në vitin 1889-1891 Petroja kthehet sërish në shkollën e Korçës si drejtor i saj. Gjerasim Qiriazi nisi punën për hapjen e Shkollës së parë të Vashave në vjeshtë të vitit 1888 dhe e ktheu në realitet këtë ëndërr në 23 tetor të vitit 1891. Atë vit, 27 vajza u ulën për herë të parë në bankat e shkollës. Shahin Kolonja boton në Sofje në vitin 1901 gazetën “Drita”, të cilën e vuri në shërbim të mbrojtjes së interesave të kombit. Ai hartoi programin Kombëtar prej 12 pikash që u miratua nga delegatët e Kongresit të Manastirit, ku merrte pjesë si delegat i Kolonjës. Pjesëmarrës në kongres ishin edhe kolonjarët Gjergj Qiriazi si delegat i Manastirit dhe nënkryetar i Kongresit, Zenel Caco delegat i Leskovikut dhe Abdyl Ypi nga Starja me votë konsultative. Sevasti Qiriazi, ishte e para vajzë shqiptare që përfundoi studimet e larta. U bë mësuese e Shkollës së Vashave dhe që nga viti 1894-1914 ishtë drejtoreshë e kësaj shkolle. Në vitin 1909 është e vetmja femër që merr pjesë në Kongresin e Elbasanit për përparimin e arsimit në Shqipëri. Në vitin 1921 çel Shkollën e Vashave në Tiranë. Themistokli Gërmenji, njihet si udhëheqësi që çoi në shpalljen e Krahinës autonome të Korçës, ndërsa Papa Kristo Negovani për Shkollën e parë Shqipe në Negovan. Kristo Luarasi aktivizohet në shoqërinë “Dëshira” në Bullgari. Në vitin 1897 ngre shtypshkronjën “Mbrothësia”, në Sofie. Në vitin 1897 boton Kalendarin e parë shqiptar, “Ditërrëfenjësi kombiar”. Në këtë shtypshkronjë u botuan “Drita”(1901-1908), “Vetëtima” (1903), “Shqipëria”(1907), “Liria e Shqipërisë” etj. Në vitin 1908 shtypshkronjën e shpërngul në Selanik, ku nis botimin gazeta “Liria”. Në vitin 1911 shkon sërish në Sofje, ku boton gazetën “Lira e Shqipërisë” dhe në vitin 1911-1912 nxjerr gazetën “Lajmëtari”. Në vitin 1911 vihet në krye të shoqërisë “Dëshira”, por në gjithë jetën e tij ishte Shqipëria. Parashqevi Qiriazi, ishte e para grua që mori pjesë në Kongresin e Manastririt, që përgatiti abetaren e parë me alfabetin që miratoi ky kongres Në 29 nëntor 1909 themeloi në Korçë shoqërinë e parë të grave shqiptare “Ylli i mëngjesit” dhe redaktorja përgjegjëse për botimin e revistës me të njëjtin emër. Është autorja dhe kompozitorja e “Këngës së Alfabetit”, krijuar në vitin 1910. Në qershor të vitit 1913 harton programin e qeverisë së Ismail Qemalit për arsimin. Në vitin 1916 motrat Qiriazi themeluan në Amerikë shoqërinë “Miqtë e Shqipërisë së Lirë”. Parashqevia është pjesëmarrësja e parë grua në Konferencën e Paqes, ne vitin 1919. Diplomacia Europiane e quajti Zhan D’Arka shqiptare. Në vitin 1920 Abdyl Ypi, organizator i Kongresit të Lushnjës vritet në prag të hapjes së këtij kongresi, ndërsa Sali Butka merr pjesë si Delegat i Korçës. Të tjera ngjarje pasuan në vite, por fryma e shenjtë e shenjtorëve të abetares mbeti si ikonë ku përhulet mirënjohja.
ARKIV


Leave a Reply