
Armand Mero
Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot vizitën e tij zyrtare në Beograd, në një klimë tensioni mes dy vendeve, pas ngjarjeve në stadiumin e Beogradit 14 tetorin e kaluar, të cilat u pasuan nga një shkëmbim I fortë akuzash mes palëve. Kryeministri Rama do të pritet në orën 11 nga homologu I tij Aleksandr Vucic, me të cilin do të ketë dhe një bisedë kokë më kokë përpara takimit mes dy delegacioneve. Pasdite zoti Rama do të marrë pjesë edhe ne një forum me temë “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ndërsa të nesërmen ai do të udhëtojë drejt Luginës së Preshevës për t’u takuar me komunitetin shqiptar që jeton atje.
Situata e ndezur që shoqëroi ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, thirrjet raciste antishqiptare, dhe vecanërisht qëndrimi i autoriteteve më të larta serbe pas dhunës së ushtruar në stadiumin e Beogradit nën shfajësimin e “provokimit” të ardhur nga mjeti fluturues me hartën e Shqipërisë së Madhe, treguan se në Ballkan, ashtu sic nënvizoi së fundmi gjatë një interviste Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, “paqja nuk duhet marrë e mirëqenë”.
Deri përpara ndeshjes, kur planet ishin që vizita të zhvillohej më 22 tetor, elementi që vihej në dukje ishte ajo e vizitës që realizohej për herë të parë pas 68 vitesh nga një kryeministër shqiptar. Marrëdhëniet mes dy shteteve prej kohësh ishin mbajtur në nivel korrekt diplomatik, duke u ndikuar më së shumti nga temperaturat mes Beogradit dhe Prishtinës, apo zhvillimet e papritura në Luginën e Preshevës. Dialogu me ndërmjetësinë e Bashkimit europian mes Serbisë dhe Kosovës ishte një peshë më pak në përpjekjet për të ndërtuar një tjetër raport mes palëve. Shumëkush e kishte cilësuar edhe “historike” vizitën e 22 tetorit, dhe vetë pala shqiptare kishte folur për “hapjen e një kapitulli të ri me Serbinë”.
Por klima e helmuar nga gjuha e rëndë e përdorur pas incidenteve në ndeshjen e futbollit, vecanërisht deklaratat fyese të presidentit serb Nikolic, duket se e bën të vështirë këtë objektiv. Në rastin më të mirë, vizita është një mundësi që së paku fletët e kapitullit të marrëdhënieve mes dy vendeve të mos vazhdojnë të kthehen pas, apo një përpjekje për të qepur plagën e hapur, e cila për t’u mbyllur duhet të kurohet me qetësinë e dialogut dhe jo duke u ngacmuar herë pas here me retorikat e nacionalizmit.
Kryeministri Rama duket më në avantazh, ndërsa për asnjë moment nuk u tërhoq nga ideja për të vizituar kryeqytetin serb, ku në të kundërt, duket se u bë gjithshka për të cuar në dështimin e saj. Në të vërtetë, ishte trysnia e komunitetit ndërkombëtar ajo që bëri që vizita vetëm të shtyhej për disa javë. Deklaratat e autoriteteve serbe, që kanë paraprirë vizitën, kanë lënë pikërisht shijen e dickaje që janë të detyruar ta bëjnë më shumë se sa e dëshirojnë. Gjithshka mbetet për t’u parë nga mënyra se si do të zhvillohen bisedimet e sotme në Beograd, që do të nisin nga një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave, për të vazhduar më tej me bisedimet mes dy delegacioneve. Pasdite kryeministri Rama do të marrë pjesë në Forumin për Marrëdhëniet etnike, në një diskutim me temë “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë” në prani të rretheve intelektuale, biznesmenëve, trupit diplomatik, parlamentarëve serbë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.
Ndërkohë që një etapë jo pak e rëndësishme për kryeministrin Rama do të jetë edhe vizita e tij të martën në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh. Një vizitë, konfirmimi i së cilës është mbajtur gjatë pezull nga ana e autoriteteve të Beogradit. Kryeministri shqiptar, i pari zyrtar i një niveli të tillë që viziton komunat shqiptare atje, pritet të ketë takime me drejtuesit lokal shqiptarë dhe popullsinë e atjeshme
Zeri i Amerikes


Leave a Reply