
Për sa kohë nuk ekziston pretendimi i perfeksionimit mes bashkëshortëve, atëherë gabimet mund të riparohen. Mjafton që të mos jenë gabime të rënda. Bashkëshortët duhet të zgjedhin mirë dhe me kujdes fjalët për të riparuar gabimet e mëparshme. Pas kalimit të zemërimit bashkëshortët duhet të dinë të shfaqin ndjenjat, të shprehin mirë mendimet dhe të gjejnë rrugët e zgjidhjes së problemit.
Ashtu siç ndodh edhe në marrëdhëniet e tjera ndërnjerëzore, edhe pranimi i gabimeve të bashkëshortit (es) në komunikimin brenda familjes rrit harmoninë dhe mirëkuptimin mes çiftit. Megjithëse mjedisi familjar mund të jetë i qetë, bashkëshortët mund të humbin kontrollin nën ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Dhe kjo rrit më shumë tensionin duke nxjerrë në pah sjellje të padëshiruara, mendime apo ndjenja të shtypura, zakone të këqija. Në këtë mënyrë familja nuk mund të jetë më një mjedis i qetë. Shfaqja e situatave të tilla shpeshherë shërben edhe për njohjen më mirë të vetes dhe zhvillimin e saj nëpërmjet rishikimit të gabimeve.
Në një familje të shëndetshme bashkëshortët kanë mundësi të riparojnë gabimet duke mos pritur perfeksionimin. E rëndësishme është të mos bëhen gabime të pariparueshme. Nëse bashkëshortët mësojnë të pranojnë gabimet, atëherë kjo kthehet në një zakon të mirë familjar. E gjithë kjo është e mundur duke qëndruar larg veprimeve nxitëse të sjelljeve të gabuara, duke mos përdorur fjalë ofenduese ndaj palës përballë. Kur paraqitet një situatë e padëshiruar, të dy palët duhet të kërkojnë ndjesë dhe të mësojnë të shprehin drejt mendimet dhe hidhërimin që ndjejnë duke pakësuar kështu tensionin.
Nuk duhet arritur në një pikë pa kthim
Në komunikimin brenda familjes mund të përjetohen shpesh keqkuptime. Është shumë normale që persona të ardhur nga familje dhe mjedise të ndryshme të zotërojnë pikëpamje të ndryshme. Prandaj nuk është shumë e lehtë të kuptohet nëse gabimi i bërë nga njëra palë është rezultat i nënvlerësimit, harresës, mund apo jo të parandalohej. Nëse njëri nga bashkëshortët e sheh gabimin e palës përballë si rezultat i nënvlerësimit apo vullnetit individual, atëherë pala përballë refuzon të pranojë gabimin dhe kështu lindin mosmarrëveshjet. Kjo situatë mund të jetë dhe pika e fundit e një gotë të tejmbushur, e mund ta çojë gjendjen mes bashkëshortëve në një pikë pa kthim.
Ne përballemi me dy lloje komunikimi mes bashkëshortëve: komunimi kritikues dhe mbrojtës, është komunikimi i hapur dhe i sinqertë ku bashkëshortët mbartin përgjegjësinë e ndjenjave duke përdorur gjuhën “unë”.
Në komunikimin kritikues-mbrojtës bashkëshortët preferojnë të akuzojnë direkt palën përballë për të kuptuar shkaqet në rast mosmarrëveshjeje. Përballë kësaj bashkëshorti fillon të mbrojë veten. Stresi i lindur nga akuzat e vazhdueshme bën të mundur që personi të fokusohet më shumë mbi gabimet e palës përballë. Dhe kjo vazhdon si një rreth vicioz, ku problemet pasojnë njëri-tjetrin dhe rrisin tensionin në familje.
Nëse bashkëshortët përdorin fjalë ofenduese, atëherë të dy palët e kanë gabim. Nëse bashkëshorti vazhdon të presë fjalën “ti ke të drejtë”, rrit edhe më shumë zemërimin. Pikë së pari bashkëshortët duhet të pranojnë gabimet, të mos qëndrojnë larg kërkimit ndjesë dhe të shprehin me një gjuhë të përshtatshme zhgënjimet e tyre.
Nëse pas çdo situate stresuese, mosmarrëveshjeje apo grindjeje bashkëshortët pranojnë gabimet dhe përcaktojnë problemin, ky përbën hapin e parë të mospërsëritjes më në të ardhmen të situatave të tilla.
Hapi i dytë: bashkëshortët duhet të mendojnë bashkë rrugët e zgjidhjes. Brenda mundësive dhe zgjidhjeve që kanë përpara ata duhet të zgjedhin atë më të përshtatshmen. Më pas duhet parë se sa e pakëson kjo zgjidhje problemin apo e heq fare atë, të plotësohen mangësitë ose të provohen rrugë të ndryshme zgjidhjesh. Në këtë mënyrë zhvillohen dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve nga anëtarët e familjes dhe parandalohet përsëritja e gabimeve.
Në familjet ku bashkëshortët janë të edukuar mirë, të sjellshëm, nuk pasqyrojnë një qëllim të dytë të padëshiruar në veprimet e tyre, sillen me tolerancë përballë gabimeve të njëri-tjetrit dhe kërkojnë rrugët e zgjidhjes së problemeve, ekziston vetëm paqe, ngrohtësi, harmoni e qetësi. /Start/Aisa Kokiçi/


Leave a Reply