Ai e kishte hequr kostumin e dhëndërisë, ndërsa ajo kishte veshur një fustan të bardhë deri tek gjuri. Si një çift jo i zakontë, edhe dasma e Ismail dhe Helena Kadaresë nuk ishte si gjithë të tjerat.
Si u zhvillua dasma në shtëpinë e Ismailit, fundnëntorin e vitit 1963, pa praninë e familjarëve, vetëm mes shkrimtarësh e artistësh.
Helena dhe Ismaili vendosën që të martoheshin më 23 nëntor 1963. Një javë para ditës së dasmës, ne shoqet e saj: Sadija, Veri, Vaska, Tukja, Luixhina dhe unë mblodhëm lekët dhe i blemë një orë tavoline (e bukur për atë kohë), katërkëndëshe, me zile alarmi, të cilën Helena e vendosi mbi televizor. Ditën e shtunë të dasmës, shoqet e Helenës vajtën në Elbasan në ceremoninë martesore nga ana e nuses. Unë nuk vajta. E kisha arsyen, në fshehtësi e pata shoqëruar Helenën në takimet me Ismailin, mirëpo dikush na pati gjurmuar dhe i dërguan një letër anonime atit të saj, kështu unë mbetesha fajtore që e kisha shtyrë bijën e tyre në krahët e një poeti. “E ç’është ky zanat ‘poet’!” Sa e sa herë i pata dëgjuar njerëzit të flisnin jo mirë për këtë gjoja profesion. Dhe ndihesha e fyer tashmë që gjithçka shkonte për së mbari. Nuk vajta në Elbasan, por gjithë ditën atje e kisha mendjen. E diela e dasmës së Helenës ishte një ditë e diel e freskët nëntori me diell. Mua nuk më zinte vendi vend e nuk qëndroja dot në konvikt, por dola e brodha rrugëve të Tiranës. U ktheva në konvikt rreth orës shtatë të mbrëmjes. Sapo u futa në dhomë, më lajmëruan se më kërkonin te porta. Dola dhe u përballa me Bertin, vëllain e Helenës. Takuam duart dhe u përqafuam, po i tregoja tërë qejf se si e pata kaluar ditën. Berti kish një aparat fotografik me një rrip të hollë të gjatë, që i varej tek supi. Unë vazhdoja të isha e ngazëllyer dhe e pyeta Bertin si kishin kaluar me dasmën në Elbasan. Ai ndërkaq më zgjati një copëz letër, që e nxori nga xhepi i xhaketës. E kishte dërguar Helena për mua. Iu afrova shtyllës elektrike dhe lexova: “E dashur Meri! Po të shkruaj e veshur nuse. Në Elbasan nuk erdhe. Të lutem të vish sonte këtu. Të puth Helena.”
U mrekullova me të lexuar ato fjalë, gjithçka e jetës sonë që nga fëmijëria e më tej më tringëlliu me notat më të gëzueshme dhe u lumturova. Berti më tha se tek shtëpia e Ismailit do të mblidheshin shokët e tij dhe shoqet e Helenës pa bashkëshortët përkatës, në rastin kur ata do ishin të martuar, gjithashtu atje në dasmë nuk do të kish të afërm apo kushërinj. Me një fjalë do të ishim vetëm ne, brezi i ri. Rinia që feston një martesë, që gëzohet në një dasmë.
Berti më priti vetëm pak minuta tek porta sa u bëra gati. Kisha shumë ndrojtje, sepse atje do takoja njerëz të botës letrare të njohur a të panjohur më parë. Nga shoqet e Helenës erdhën Veri, Sadija, Vjollca, unë e të tjera. Shokët e Ismailit ishin shumë; Dritëro Agollin (të cilin e shihja për herë të parë), Fatos Arapin dhe Minush Jeron i kisha shokë, por ndodheshin edhe profesorët tanë Jani Thomai, Nasho Jorgaqi e shumë të tjerë. Njerëzit e tjerë të shtëpisë kishin ikur që të çlodheshin pas vizitave të zakonshme të rrëmujës dasmore.
U putha me Helenën dhe ajo më tha: “Marusja, sa e gëzuar jam që erdhe!” Helena dukej jashtëzakonisht e bukur, e gëzuar, e lumtur. Ajo ishte veshur me një fustan të bardhë taftaje pakëz i ngrirë, i gjatë deri tek gjunjët, që vinte paksa i fryrë me dy palëza tek beli dhe i ngushtë nga poshtë, me mëngë të shkurtra, me një dekolte të bukur katrore. Flokët në ngjyrë midis floririt dhe argjendit i kish prerë pak përmbi supet, pjesa e sipërme pas ballukeve ishte e fryrë ndarë me një pikë, siç ishte moda e atyre viteve, ndërsa pjesën e poshtme të flokëve i kish të kthyera nga jashtë. Helena i kish bërë një tualet të lehtë fytyrës që i shkonte shumë dhe për stoli kish vënë një byzylyk të sheshtë me copëza trekëndëshe bojë qielli, që kapeshin me njëra-tjetrën, po e tillë ishte edhe varësja pas qafës, ndërsa një kurorë e vogël i rrethonte flokët. Këpucët e bardha i kishte me taka të gjera jo shumë të larta.
Ndërsa Ismaili kur shkuam ne, e kish hequr kostumin e dhëndërisë, kravatën dhe sigurisht këpucët solemne dhe kish mbathur një palë pantallona të rrudhosura të zakonshme që mund të mbahen në shtëpi, një palë këpucë pothuaj me qafa, që edhe lidhëset nuk i kish shtrënguar siç duhej, ndërsa sipër kish veshur një bluzë a pulovër. Ismaili tërë kohës kërcente. Nuk më kujtohet nëse kërcenim me muzikë magnetofoni a diçka tjetër, por orkestër nuk kishte.
Dhomat e apartamentit ishin të hapura tej e tej dhe nëpër tryezat e vendosura anash mureve ishin të shtruara pjatat me të ngrëna: djathë, sallam, vezë të ziera, si edhe pijet: raki, verë, konjak. Në një çast, Fatos Arapi dhe Minush Jero më tërhoqën në një qoshe të dhomës, tek cepi i një tryeze e, duke mbajtur në duar kupat e qelqta tringëllitëse me konjak, ngritëm një shëndet për çiftin që po martohej. Fatosi tha: “Shyqyr që po martohen këta të dy se na plasën!”
Ngado që rrotullohej Helena, rrëzëllente posi flutur e bardhë, e gëzuar lozonjare, që na cikte lehtas ne të tjerëve me lumturinë e vet.
Mbaj mend se Dritëroi nuk lëvizi fare nga tryeza ku ish ulur, ai dukej sikur nuk shihte asnjeri përveç shokëve në krah e më kujtohen flokët e tij që i binin mbi ballë. Ai nuk kërcente dhe herë pas here ngrinte kupën e rakisë. Vetëm se kjo nata e dasmës së Helenës me Ismailin qëlloi fatlume edhe për Dritëroin, ai pati mundësi ta shihte më nga afër Sadijen e bukur, me të cilën ishin takuar në një mbrëmje të fakultetit, ata u dashuruan dhe u martuan.
Mbaj mend se atë natë unë kërceva me disa të moshuar. Kështu kërceva me Fatmir Gjatën, tregimet e të cilit i pata lexuar qëkur isha dhjetë vjeç. Ndërsa ne të dy po kërcenim, ai më tha se në datën pesë dhjetor do të mbaronte së shkruari romanin e tij “Armiqtë”, i cili ndërkohë botohej pjesë-pjesë tek revista “Nëntori”. Të them të drejtën, mua më çuditi shumë kjo datë fikse ekzakte dhe e pyeta se si ish e mundur ta dinte saktësisht datën se kur do ta përfundonte librin e tij. “E di, – m’u përgjigj, – sepse më kanë mbetur vetëm pesëdhjetë faqe për të shkruar e kështu e kam të llogaritur”.
Kur po kërceja me Llazar Siliqin, ai më tregoi: “Unë kam pesë fëmijë dhe njërit djalë ia kam vënë emrin Risto” (E dija që e pat pagëzuar sipas emrit të babait të vet dhe më vonë do bëheshin krushq me Helenën dhe Ismailin, sepse Ristoja do të martohej me Gresën).
Duke kërcyer me Baki Kongolin, folëm për muzikë dhe kompozimet e tij. Në atë kohë, ai ishte me funksione në Lidhjen e Shkrimtarëve, më duket se mbante postin e sekretarit për artin muzikor dhe as që mund të na e merrte mendja se pas disa kohësh do të katandisej keq e mos më keq se ia ndaluan veprën dhe e futën në burg.
Pas mesnatës, Dritëroi dhe të tjerët që kishin pirë, filluan të lëshojnë fishkëllima duke futur gishtërinjtë në gojë. Ndoshta ishte ora dy e mëngjesit kur në derë trokitën dy policë. Nga ana jonë dikush u afrua pranë tyre dhe u kërkoi të falur për zhurmën e pasmesnatës. Ata, siç duket, u kënaqën që u gjendën midis poetëve dhe shkrimtarëve. Pasi pinë nga një gotë, ata i uruan jetë të lumtur çiftit, nderuan ushtarakisht dhe u larguan. Aty ndaj të gdhirë të mëngjesit u larguam edhe ne të tjerët. Nuk kish autobusë dhe e vazhduam rrugën më këmbë. Unë i hoqa këpucët dhe çorapet dhe vijova rrugën zbathur deri në konvikt. Nëpër rrugë ishte heshtje dhe qetësi. Njerëzit e Tiranës flinin gjumin e ëmbël të orëve të para të ditës së re. Ata nuk e dinin se ishin martuar Helena dhe Ismaili.
MERI LALAJ
Panorama
Per”Alba – Dans”Shkodrani


Leave a Reply