Reportazh
Gjatë gjithë ditës, ishim kacavjerrë nëpër Shqipëri. Ne endemi në itinerarin e ashtuquajtur “Kreshtat e Ballkanit”, i cili shkon mes përmes trekëndëshit me Malin e Zi. Në rajonin më pak të shkelur e të studiuar të Europës, ne jemi pra avangarda e turistëve
Nga Wolfgang Gehrmann*
Çfarë nate horror! S’ka gjumë, sepse qentë atje jashtë para kasolles lehin fort qysh prej dy orësh. Ndodhemi të shtrirë tetë vetë në një kamionçinë të gjatë, mbuluar me një mushama prej pambuku të ngjeshur, që do të na mbrojë gjatë natës nga i ftohti. Ecim nëpër masivet shkëmbore, nga të cilat ngrenë kokë rrëpirat. Barku është i pakënaqur, veçoria kulinarike e vaktit të darkës, nuk na kishte ngopur dhe aq paq. Dhe të flinim, nuk na ndihmoi as pirja e një gote raki.
Kështu që këtu tashmë bënin punë vetëm fuqitë dhe qetësia. Gjatë gjithë ditës, ishim kacavjerrë nëpër Shqipëri. Ne endemi në itinerarin e ashtuquajtur “Peaks of the Balkan” (Kreshtat e Ballkanit), i cili shkon mes përmes trekëndëshit me Malin e Zi. Në rajonin më pak të shkelur e të studiuar të Europës, ne jemi pra avangarda e turistëve.
Para 15 vitesh, këto zona ishin zona lufte. Serbët, shqiptarët dhe kosovarët, e masakruan njëri-tjetrin në konfliktin që trashëguan nga ish-Jugosllavia dhe shkatërruan fshatra të tërë. Gjatë mbërritjes sonë nga qyteti i Pejës, mblidhet shumë pluhur në anë të rrugëve, pasi shumica e shtëpive sapo janë ndërtuar e nuk u është pastruar akoma llaçi nga tullat. Ndanë rrugës shihet tabela e një firme zvicerane shërbimesh, që bën shpime e kërkime minerare. Rrugët poseduese ndërkohë janë të sigurta, por në terren të hapur, është më mirë të mos shkosh vetëm.
Sipër vendit të quajtur Junik, ne zbresim nga fuoristradat dhe i ngarkojmë çantat e rënda të shpinës, mbi kurrizin e mushkave. Gjatë luftës, UÇK-ja kishte operuar prej këtej, nacionalistët që luftonin për pavarësinë e Kosovës, gjithashtu. Sipërfaqja e pamat e rrafshit, që u shërbeu luftëtarëve dikur, për ne paraqet një sfidë.
Shoqëruesit e mi janë alpinistë të sprovuar, e në tregimet e tyre hasim nocione të respektuara si: “Eigernordwand (njëra nga majat e famshme të Alpeve zvicerane), Tibeti, Andet …” Në fillim edhe unë ndihem mirë, e udha e ngushtë është shtruar edhe me kalldrëm, ndërsa merr për lart. Lartësia të lejon shumë shpejt të kundrosh një panoramë të paparë të Fushës së Mëllenjave (Fushë-Kosovës). Mbi fushat me sanëz, rruga të shpie në Gjeravicë, maja e dytë më e lartë me 2 656 metra, në jug të vargmaleve Dinarike. Para tyre ndodhet një “shalë” malore, në të cilën mund të nxitojë të shkojë ai që dëshiron. Shorshi, një “ujk plak”, i rrahur me vaj e uthull, nga Mynihu, qesh: “Shala nuk është një opsion”. Ai dëshiron të ngjisë majën.
Unë nuk dua të gërricem – që pastaj të më mbrehet një shalë mbi kurriz prej Shorshit shakaxhi. Gjatë ngjitjes, sidoqoftë, nis të vihet re një erë që sa vjen e rritet. Mali nis e bëhet më i pjerrët dhe shndërrohet në një terren ngjitjesh me blloqe të padepërtueshme. Unë nxjerr në ndihmë krahët. Një ngjitje e malit me të katra, nuk përbën ndonjë premierë për mua. Kur era rreh fort, aq sa shkopinjtë mbajtës, që dridheshin edhe prej kyçeve të mia, qëndrojnë pezull në ajër, një alpiniste më jep shenjë: “Lëre fare!” – duhet të kesh edhe guxim për të vazhduar, se tek e fundit, unë dua ta shijoj këtë.
Tërheqja dëshmohet si një vendim i zgjuar. Pasdite duhen kaluar dy anë të tjera malesh e një qafë. Me zigzage ngjitesh lart e ulesh teposhtë, në një rrëpirë me gurë të thërrmuar, në galeri të pjerrëta e gremina, në guva të mbushura me dëborë që kullojnë me zhurmë. Turi ynë bëhet gjithnjë e më i vështirë, e unë ia nis të dyshoj nëse vendimi im për të ndërmarrë këtë udhëtim, paskësh qenë pak si shumë i guximshëm. Në momente të mira vështrimi shmanget tej nga Mali i Zi, te vargmalet e humbura në mjegullën gri. Nuk janë maja që të falin ndonjë ndjesi madhështie, sikurse dolomitët për shembull. Këto male, të ashpra dhe refuzuese, e bëjnë alpinistin të heshtë. Dhe prej tyre, megjithatë, vjen edhe një tërheqje. Një ngacmim, që ta përshkosh të gjithë sipërfaqen e pamat me sy e këmbë, edhe pse ajo duket se do t’i lodhë shumë këmbët tuaja.
Në qafën e fundit, ne hasim në mushkat që e kanë marrë me të lehtë rrugën. Poshtë nesh shtrihet një pllajë e gjerë, e përbërë nga kullotat plot gjelbërim, që përballë dritës së diellit që perëndon, duken si parajsë. Kolegu alpinist, Achim, entuziazmohet: “Tani do të ecet vetëm përpara – pjesa e ëndërruar”. Unë po ëndërroj që kyçet e mia të kërcasin. Dhe të bien rehat gjatë zbritjes, atje shumë larg.
Një bujtinë e rehatshme tanimë do të kishte qenë e mirëseardhur, por këtë nuk mund ta supozojë dot askush. Ekonomia malore në Dobërdol funksionon vetëm përgjatë disa javëve në verë. Për sa kohë që kafshët gjejnë ushqim në livadh, fshatarët nuk ia kanë frikën jetës së varfër aty lart. Shpërndarë nëpër rrëpira, ndodhen edhe kasollet me stilin e thjeshtë fshatar, ndërsa qentë lehin. Një fije elektriciteti vjen nga një panel i vogël diellor, që ndodhet mbi çatinë e kasolles, e cila arrin të mbajë ndezur disa llamba.
Bujtinën e ka ndërtuar Manoli, i riu shqiptar, që kujdeset për mushkat. Rreth 300 euro ka investuar ai këtu, 1700 euro ia ka dhënë Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), si mbështetje financiare, një ndihmë që për familjen e Manolit është një bekim. Për çdo klient në natë ai merr 15 euro, e vitin që shkoi, ai arriti të mblidhte 70 klientë. Dobërdoli është një stacion me një shtrirje gjatësore prej rreth 200 kilometrash, të cilin GIZ dhe Klubi Gjerman i Alpinistëve (DAV), e ka ngritur qysh prej vitit 2013 me autoritetet lokale të të tria shteteve. Pak asistencë ekonomike për rindërtim, dhe njëkohësisht edhe një projekt për paqen.
Darka na vë para një dileme morale. Sipas së drejtës zakonore të moçme shqiptare, Kanunit, nuk është hanxhiu i zoti i shtëpisë, por pikësëpari Zoti e më pas mysafiri. Dukshëm, Manoli e përmbushi urdhëresën, duke u kujdesur që të mos mungonte asgjë brenda mundësive. Pjatës së madhe me mish qengji, zor se i reziston, e sasitë e dhjamit ndanë brinjëve duken të sapoprera. Të shoqëruara me makarona të buta me djathë deleje dhe qumësht të freskët, bëjnë që mysafirët mezi t’ia dalin. E përtej saj, edhe nata pa gjumë. Mëngjesin tjetër mësojmë arsyen për hungërimat e qenve: një ujk kishte shqyer një dele dhe ai ishte qëlluar.
Udhërrëfyesi Ricardo propozon që të hiqja dorë nga ngjitja e kreshtës tjetër të planifikuar gjatë ditës dhe të shkoja me mushka, duke përshkuar kështu një rrugë më të lehtë. Një ide e mirë. Pas dy orëve takojmë sërish kolegët tanë. Ata duken të lodhur, pasi ngjitjen në majë, për shkak të motit të keq, duhet ta ndërprisnin dhe të gjenin shpëtim në një stacion policor të braktisur në kufirin shqiptaro-malazez. Nga kontrollet, me gjithë kalimet e shpeshta të kufirit, ne nuk u shqetësuam. DAV ishte ai që kishte marrë përsipër sigurimin e lejekalimeve. Si udhëtarë individualë, zor se do ia dilnit dot me to.
Ne jemi rrugës për në territorin shqiptar tashmë, e në ditën e tretë hasim në pjesën më të egër të vargmaleve, që e kanë merituar plotësisht emrin Bjeshkët e Namuna. Më saktë se kaq, ata s’mund të quheshin. Asnjë fuqi shtetërore, qofshin osmanë apo komunistë, nuk ka mundur dot të vërë këmbë këtu. Për qindra vite, malësorët kanë jetuar në ato anë bazuar në urdhëresat e Kanunit, të përcjellë gojarisht. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, e ka përshkruar këtë kulturë arkaike në romanët e tij.
*Marrë me shkurtime nga “Die Zeit”, Gjermani. Titulli është redaksional
Gazeta Shqip


Leave a Reply