
Politika shqiptare ka reaguar në kor pas incidenteve në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, kur futja e një flamuri shqiptar në stadium nga ajri, acaroi lojtarët serbë që tentuan ta grisnin. Kjo solli edhe reagimin e tifozëve që goditën lojtarët kuqezinj duke u future në fushë.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një shfaqje të shëmtuar atë të fqinjëve serb në fushën e lojës kundër Kombëtares Shqiptare. Me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook”, Rama u shpreh se ishte krenar për lojën e Kuqezinjve.
“Krenar për Kuqezinjtë që për sa pati futboll fituan me lojë e me raste/ Keqardhje për fqinjët qe lane nam botërisht me shfaqjen e shëmtuar”-citohet në mesazhin e Ramës.
Tahiri homologut serb: Mbani përgjegjësi për sigurinë e shqiptarëve
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili i ka dërguar një mesazh homologut të tij serb.
“Qeveria serbe mban përgjegjësi për shëndetin e lojtarëve. Qeveria serbe mban përgjegjësi për sigurinë në stadium”, shkruan Tahiri.
Basha: Përpara shqipe!
Ndërkohë, lidhur me incidentin ka reaguar dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook” i ka dhënë mbështetje Kombëtares Shqiptare. “Përpara shqipe”-citohet në mesazhin kuptimplotë të Bashës.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply