SA E GJALLË DHE SHËNDRITËSE KJO KRENARIA SHQIPTARE
Kështu shihej në çdo fytyrë arbërore, këto ditë në Romë dhe kështu argumentohet me mesazhet e tyre
Nga i dërguari special: Engjëll KOLIQI
Qytet i Vatikanit, Tetor 2003
Me mrekullinë e vërtetë të të Lumturuarës – Nëna Tereze, kaloi cerimonia e Lumturimit, ku më të zëshmit, më të gëzuarit e më të lumturit ishim ne – mijëra shqiptarë pjesëmarrës. Këtë mrekulli e kanë provuar dhe e kanë pranuar të gjithë të pranishmit në Romë dhe në Vatikan – passita e së shtunës dhe nata mes të shtunës e të dielës, me shi, erë dhe të ftohtë, sikur edhe e hëna e 20 tetorit, ndërsa e diela e 19 tetorit – Dita e Lumturimit të Gonche Bojaxhiut – Nënës Tereze – një ditë plot diell dhe e ngrohtë, një ditë tipike pranverore! Poetët dhe artistët do të thonin: kjo ditë e madhe pranverore – Dita e Lumturimit të Nënës Tereze – le të jetë dita e fillimit të Pranverës Arbërore – plot dasiuri e lumturi!!!
Siç kemi cekur edhe në reportazhet nga Ceremonia e Lumturimit, pjesëmarrja shqiptare në këtë ditë të madhe historike ishte e denjë. Më të shumtit që valëvisnin krenarë në Sheshin e Shën Pjetrit, ishjin flamujt kuqezi – flamujt shqiptarë. Mijëra shqiptarë me fytyra të qeshura, me gazin në buzë, me humrorin e lehtë, me dashuri në shpirt, me krenari të vërtetë – motrat e vëllezërit e Nënës Tereze – ishin më të zëshmit, më të nderuarit dhe më të respektuarit. Edhe regjisori kryesor i xhirimit të transmetimit të drejtëpërdrejtë i kanalit televiziv RAIUNO, duke e filluar Meshën Pontificale të Lumturimit Ati i Shenjt Gjon Pali i Dytë, derisa po bënte kryqin (Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjt) e mbushi ekranin televiziv me Flamurin Tonë Kombëtar, duke e kapur me camera flamurin me madhësi prej 104 metrash katrorë, që e kishin sjellur aty bashkëkombasit tanë nga Londra. Të njëjtën gjë regjosori e përsëriti edhe në çastin kur Papa përshëndeti njerëzit e Tokës së Nënës Tereze, në gjuhën shqipe.
Si kurrë më parë Presidenti i Kosovës Dr Ibrahim Rugosa, gjithnjë buzagaz shprehte gëzimin e Tij të pakufijshëm, që do të mund të përsëritej vetëm në Ditën e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, nga bashkësia ndërkombëtare, me bindjen se edhe në këtë drejtim do të veprojë Mrekullia e Nënës Tereze.
Çka mund të themi për Akademik Mark Krasniqin, i cili edhepse ka kaluar të tetëdhjetat, dukej si djalë i ri dhe falënderonte Zotin që ia mundësoi ta përjetonte këtë Ditë të Madhe.
Biografi numër një i Nënës Tereze – Dr Dom Lush Gjergji, i cili gjithmonë e pիrsëritë moton e Gonxhes së Lumturuar: pa paqe e dashuri jeta nuk ka kuptim, e pa të gjallë dashurinë e vërtetë që shkëlqente në mijëra shqiptarë, për të pohuar se jeta arbërore është kuptimplote dhe se me Mrekullinë e Nënës Tereze, kjo jetë do të lulëzojë në çdo pëllëmbë të tokës arbërore dhe në çdo shpirt arbëror.
Edhe professori ynë i nderuar dhe i palodhshëm – Dr Zekiria Cana, nuk ngurronte të shprehte kënaqësinë e pakufijshme që ishte i pranishëm në Ditën e Madhe Shqiptare, çfarë nuk mbahet në mend në Selinë e Shenjtë, pa harruar ta falënderojë Zotin, që i dhuroi një faqe të artë historisë arbërore.
Poeti ynë i madh – Ali Podrimja, falënderonte Zotin, që ia mundësoi të jetë Ai që përgatiti librin me mendime, lutje e poezi të Nënës Tereze, në shqip dhe anglisht, që në Sheshin e Shën Pjetrit, duke e puthur e kanë marrë mijëra shtegtarë nga bota mbarë, për ta ruajtur si kujtim të posaçëm e edhe për të mësuar së paku disa fjalë originale nga gjuha amtare e Nënës Tereze.
Nuk mungoi në këtë ditë të madhe edhe kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë – Simon Kuzhnini, i cili haptas shprehte bindjen, se me Mrekullinë e kësaj bije shqiptare të lumturuar do të ndodh një lidhje në dashuri të mirëfilltë e të gjithë shqiptarëve, kudo që janë – në botën mbarë.
Shumë i zëshëm ishte delegacioni pjesëmarrës i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i ardhur nga Nju Jorku, në Ceremoninë e Lumturimit të Nënës Tereze, kryesuar nga kryetari – Joseph DiuGuardi, i cili na tha: “Sa e sa vite e përsëris: jam krenar që jam shqiptar! E shihni pra se kam të drejtë dhe ma kanë lakmi edhe amerikanët. Edhe këtu kemi ardhur me shembullin e mirësisë dhe të dashurisë së Nënës Tereze. Delegacioni ynë përbëhet nga 14 veta -7 jemi katolikë e 7 myslimanë. Pjesëtarët e këtij delegacioni janë shtetas të Amnerikës, por me prejardhje nga trojet shqiptare: nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqdonia, nga Mali i Zi, nga Presheva dhe nga Çamëria. Jemi këtu me plot dashuri për Nënën Tereze dhe për Kombin tonë. Ishim në vizitë edhe në katundin e lindjes së babait tim dhe u kënaqëm me mikpritjen tipike arbëreshe”. Anëtari i këtij delegacioni – Luan Bukalla, ndër të tjera më tha: “Unë jam me prejardhje nga Baba i Bokës (Gjakovë), kurse nënën e kam nga Tropoja. Nuk më vijnë fjalët, nga emocionet që kam sot, sepse tash po e shoh se sa e fortë është raca shqiptare. Sikur këtu që e kemi okupuar Selinë e Shenjtë sot ne shqiptarët, le ta pushtojmë mbarë botën me dashuri – ashtu siç na ka mësuar Nëna Tereze”. Edhe Gjergj Dedvukaj e Marash Noculaj thanë se kurrë në jetë nuk kanë qenë më gëzuar e më të lumtur se në këtë Ditë të Madhe. Edhe ata thanë se mrekullitë te kombi ynë janë të pranishme nëpër shekuj, siç e kishin vërtetuar edhe në Ktundin e lindjes së babait të Joseph DioGuardit, ku megjithë kalimin e mbi 550 vjetëve, kanë përjetuat traditat e lashta arbërore, të ruajtura për mrekulli.
Ipeshkëvi i Ipeshkëvisë së Tiranës e Durrësit – Imzot Rrok Mirdita tha se rrezet e Lumturimit të Nënës Tereze do ta shndrisin çdo pëllëmbë të Tokës Arbërore dhe çdo shpirt arbëror dhe ne, me mrekullinë e Saj do të mësohemi ta duam gjithmonë dhe ta ndihmojmë njeriun nevojtar – qoftë nga farefisi ynë, apo edhe të panjohurin, pa dallime racore, gjeogrfike, as fetare.
Ndërkaq Ipeshkëvi i Kosovës – Imzot Mark Sopi, shumë-shumë i emocionuar, mu përgjigj me një lutje: “O Zot, me ndërmjetësimin e Nënës Tereze, bën që të gjithë bashkëkombasit e mi dhe të Saj, ta duan gjithmonë njëri-tjetrin dhe çdo njeri mbi këtë tokë – amen”!
Simboli i dashurisë arbërore në Itali – zonja e nderuar Vitore Stefa-Leka, e njohur edhe si Nënë Tereza eTriestes, me shumë vështirësi i gente fjalët, sepse e kishin mbuluar emocionet e gëzimit. Me lotët gurrë përqafonte dhe puthte çdo shqiptar që e takonte. Më në fund i foli dy fjalë: “Bën o Zot që dashuria e Nënës Tereze ta mbulojë Shqipërinë dhe botën mbarë”!
Gazetari dhe pubblicisti i mirënjohur vlonjat, Vasil Çesari kishte mbetur në Francë, me shpirtin e thyer, që për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur ta përjetojë me bashkëkombasit tjerë Lumturimin e Nënës Tereze, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Më mori në telefon dhe m’u lut t’ua përcjellë të gjithë shqiptarëve urimin e tij: “Shqiptarë, nëpërmjet Nënës Tereze, Zoti na dhuroi një faqe të re të historisë sonë! Ta shfrytëzojmë dhe të mbushur me dashuri, sipas porosisë së Shenjtëreshës sonë të dëshmohemi në veprimtaritë tona kombëtare e humanitare gjithëpërfshirëse, kudo që jemi – anembanë botës”!
I ardhur nga Bostoni, shkrimtari e gazetari i mirënjohur – Kolec Traboini, na luste të mo sia zinim për të madhe, nëse gabon diçka, sepse nga emocionet e gëzimit, vështirë e kontrollon vetin, në këto çaste të hareshme e krenarie për kombin mbarë.
Njëri nga veteranët e mërgatës shqiptare në Itali – Sejdi Jakupi, nga Mushtishti, i cili u kishte shpërndarë bashkëkombasve mbi 1000 bileta, të marra përmes QIKSH “Albeuropa”, nga gëzimi, çdokënd që takonte donte ta qeraste së paku me një kafe. Kjo – tha ai – është Dasma më e madhe shqiptare në historinë tonë të re, prandaj dasmorër duhet nderuar së paku me një kafe.
Si gjithmonë në krye të detyrës ishin veprimtarët e mirënjohur – kushërinjtë Arsim e Xhafer Berisha, të cilët në çdo hap ishin në shërbim të nevojave të gazetarëve shqiptarë, të akredituar në Selinë e Shenjtë, për ta përcjellur Ngjarjen e madhe historike.
Meshtarët Dom Anton Kçira dhe Dom Ndue Gjergji, të cilët u prinin qindëra shtegtarëve të ardhur nga Detroiti e nga Miçigeni, me fytyrat gjithnjë shkëlqyese, na shprehën kënaqësinë për kultivimin e mirëfilltë të Dashurisë, sipas shembullit të Nënës Tereze, ndër shqiptarët, duke e vërtetuar këtë me faktin se në bashkudhëtimin e gjatë me ta, më e madhe ishte përqindja e pjesëmarrësve myslimanë e ortodoksë se e shtegtarëve katolikë, duke treguar kështu vlerat e vërteta të traditës sonë të ndritur kombëtare.
Edhe gazetari i kombëtares sonë “Bota Sot” – Beqir Sina, me pamundësinë e pjesëmarrjes fizike, përmes një mesazhi, nga Nju Jorku tha se shpirtërisht është me ne, në Sheshin e Shën Pjetrit dhe uroi mbarë kombin, për fatin e madh që patëm – t’ia dhurojmë Botës dhe Zotit një shenjtëreshë, të nderuar dhe të respektuar nga bota mbarë dhe nga të gjitha religjionet.
Poeti dhe veprimtari humanitar i mirënjohur – Sarë Gjergji, i ardhur nga Stublla, deklaroi se prej sot beson plotësisht në Mrekullinë e Nënës Tereze, për një të ardhme të ndritur të kombit tonë. Ai na ka sjellur plot mesazhe e poezi të shqiptarëve nga Kosova, që nuk kanë mundur të vijnë e të jenë të pranishëm fizikisht në Ditën e Madhe.
Sot, duke e kontrolluar postën time elektronike, kam gjetur dhjetëra mesazhe urimi të dërguara në tri ditët e fundit, me rastin e Lumturimit të Nënës Tereze, nga shumë miq e kolegë italianë dhe të kombeve të tjera, shumë nga të cilët nuk kishin ngurruar të thonin se ma kanë lakmi që kam lindur shqiptar dhe se do të dëshironin të jenë shqiptarë – pjesëtar të kombit të parë që i fali botës një Nënë dhe një Shenjtëreshë universale. Shumë nga ata më kishin shkruar edhe mendimet e tyre mbi Nënën Tereze, madje edhe plot poezi kushtuar Gonxhes Sonë të Lumturuar. Sapo t’i përkthes, do t’i botoj disa prej tyre në të përditshmen tonë kombëtare.
Edhe në sallën e shtypit të Selisë së Shenjtë, ne gazetarët shqiptarë ishim të privilegjuar. Personeli i sallës, shpesh na kërkonte se çfarë kemi nevojë për ndihmën e tyre e në disa raste të nevojshme edhe na e dhanë ndihmën, me plot dashuri dhe respekt. Gazetarë të tjerë (amerikanë, gjermanë, italianë, polakë, anglezë, francezë….) shumë herë na kanë ofruar kafe dhe pije freskuese, në sallën e shtypit, derisa po punonim.
_________________________________________________________________
Revista amerikane “Time”
Nënë Tereza në faqet e shtypit amerikan
Nga Mimoza Dajçi
Nëse ju rastis të hyni në ndonjë librari apo ambjent publik, ku ekspozohen gazeta e revista amerikane, menjëherë të bie në sy revista e kohëve të fundit “Time”, ku në krye të kopertinës së saj ndodhet edhe portreti i Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza. Sigurisht krenohemi e mbushemi me emocion kur shikojmë e lexojmë materiale të tilla interesante, ku edhe bota mbarë vlerëson nënën e motrën tonë të madhe Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.
Revista prestigjoze “Time”e rendit NënëTerezën të tetëmbëdhjetën ndër personalitetet më të famshme të botës, ku 100 prej tyre janë njerëzit më me influencë në të gjthë rruzullin tokësor. Përkrah figurës së saj ndodhen edhe personalitetet më të shquara botërore si Presidenti i 16 – të i SHBA – Abraham Linkoln, ish Presidenti i Afrikës së Jugut e aktivisti i të drejtave të njeriut Nelson Mandela, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit të 20 – Albert Einstein, Martin Luther King Jr. lidershipi – modern për të drejtat civile në SHBA, Mjeshtri i Artit Michelangelo, Mbretëresha e Anglisë Elizabetha e Parë, Vizionari Digital Steve Jobs, Grupi Legjendar muzikor “The Beatles” etj, etj.
Kjo revistë në brendësi të saj përkrah një artikulli shkruajtur posaçërisht për Nënë Terezën, ka paraqitur një foto të saj në Calkutta veshur me veshjen e saj karakteristike bardhë e blu, e njëherësh pohon të vërtetën e saktë se Icona Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në Shqipëri, origjinë të cilën ajo nuk e ka mohuar kurrë, paçka se armiqtë tanë shekullorë Maqedonia e Serbia flasin të kundërtën.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup dhe vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Indi. Ajo ishte fituese e Çmimit “Nobel” dhe në çastin e marrjes së Çmimit në vitin 1979, ajo deklaroi se: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im – shton ajo – është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Megjithëse ajo ishte një nënë kujdestare për 7.500 fëmijë në 60 shkolla të botës, dhe mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, e që ishte e vetmja që kuronte 47.000 viktima të lebrozës, e kishte birësuar 160 fëmijë bonjakë, etj, etj qeveria komuniste i mbylli derën në fytyrë për vite të tëra duke refuzuar kërkesat e saj, e duke mos e lejuar e parë as për herë të fundit nënën e saj të dashur që lëngonte mes jetës e vdekjes.
Nënë Tereza ka qenë shumë bujare, e zemërgjerë, vlera humane të larta të saj që dëshmojnë se Mother Tersa siç e njeh bota mbarë do të jetojë gjithmonë si një legjendë e gjallë tek ne, e brezat që do të vinë.
New York, 2012
___________________________________________________________________________________
NËNË TEREZA, NDERI I KOMBIT SHQIPTAR
Nga: Flori Bruqi
NËNË TEREZA, NDERI I KOMBIT SHQIPTAR
Pak biografi…

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta,(Indi),ishte humaniste e njohur shqiptare,fituese e çmimit Nobel për Paqë.Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup,të Shqipërisë te pushtuar prej Perandorisë osmane,sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë,më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedoniëe me 1 Janar 1918 ne baze te traktatit te Versajes. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë,dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes,sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët.Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake,por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali.
Kurse motra quhej Age Bojaxhiu.Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë.Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup,ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin,por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre:të bëhej mësuese,të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza”e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit,[Irlande]. Prej kësaj dite,nënë,bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928,Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj:“Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 te ketij muajit po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta per juve. Lamtumire,e deshiroj qe Zoti t’ju jap gjithcka qe ju deshiron zemra.Dua t’ju fal gjerat me te përzemerta,Gonxhja”.Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh,do të takohej me të vëllanë,Lazrin.
Kurse nëna Drania dhe motra Age,shkuan në atdhe,në Shqipëri,qysh para Luftës së Dytë Botërore.Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës”u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë”(1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës,Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979,kur mori çmimin Nobel për Paqe,e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Por Shqipëria nuk heshte.
Republika Popullore Socialiste e Shqiperisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë,as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974,as…për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhane as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogel ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla,ishte nënë që mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 dispanseri,ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47 000 viktima të lebrozes në 54 klinika,kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve,në 20 shtëpi pleqsh,kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë:një godinë ngjyrë hiri në Bose Road,të ndërtuar në një lagje të zhurmëshme dhe çjerrëse,të stërmbushur me njerëz,e cila vlonte nga çajbërësit,shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu,mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit,„Shtëpia e Nënës”,pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante:„Mother Teresa. IN/OUT”.Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si:mbretëresha e Britanisë,ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter,Yasser Arafati,princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare,humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve,sidomos në zemrat e shqiptarëve.
(Flori Bruqi)
Nënës ë Madhe-Hyjneshë
Të kam gjetur në shume vende,Nënë,
Nënë e Madhe,
Kam dëgjuar rrahjet e zemrës tënde,Nënë,
Nënë e Madhe,
Në qetësinë solemne të festave,Nënë,
Nënë e Madhe,
Në errësirën e katedraleve të zbrazura,Nënë,
Nënë e Madhe,
Në bashkimin e zemrës dhe të mendjes,Nënë,
Nënë e Madhe,
Në morinë e njërëzve që duam,Nënë,
Nënë e Madhe,
Të kam gjetur në gëzime,Nënë,
Nënë e Madhe,
Ku të kërkoj,shpesh,të gjej,Nënë,
Nënë e Madhe,
Por gjithmonë të gjej në vuajtje,Nënë,
Nënë e Madhe,
Vuajtja është si këmbana,Nënë,
Nënë e Madhe,
Që na thërret t’i lutemi Zotit,Nënë,
Nënë e Madhe,
Të kam gjetur në madhështinë e dashurisë,Nënë,
Nënë e Madhe,
Të vuajtjeve të tmerrshme të tjerëve,Nënë,
Nënë e Madhe,
Të kam parë në gëzimin e paspjegueshën,Nënë,
Nënë e Madhe,
Të atyre,jeta e të cilëve është këputur nga vuajtjet,Nënë,
Nënë e Madhe,
Kam arritur të gjej edhe në shqetësimete e mija,Nënë,
Nënë e Madhe,
Në pakënaqësitë e mia të çastit,Nënë,
Nënë Hyjneshë!
___________________________________________________________________
E Lumja Nënë Tereza u bë kultura më e lartë
ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë
“Unë Jam një Pendë në Dorën e Zotit”
E Lumja Nënë Tereza
Klajd Kapinova*
13 vjet më parë Vuajtja, mbeti pa shërim. E Lumja Nënë Tereza Ishte dhe Mbeti Dashuri në Vepër. Trupat e Ghand-it të Indisë dhe Xhehral Nehru, (Kryeministër i parë) kishin si privilegj shtratin e topit, për t’u dërguar në banesën e fundit. Këtë fat kishte edhe trupi i bamirëses së famshme botërore Nënë Terezës, i mbuluar me shumë ngjyra lulesh dhe me flamurin kombëtar të Indisë. Në varrimin e Saj, më 13 shtator 1997, morën pjesë 1 milion vetë, në një varg të gjatë prej 9 kilometër dhe 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremoninë për në banesën e fundit.
Por, bota asokohe ishte në zi. Humanistja me origjinë shqiptare, ka ndjerë jetën dhe vuajtjen, për t’ia lehtësuar atë të varfërve midis të varfërve. Njerëz me zemër të madhe e ndërgjegje të pastër, janë të domosdoshëm, për të lehtësuar ato vuajtje, që mori përsipër për 50 vjet të shëronte E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës.
Më shumë se kurrë, bota ka mbetur jetime. Bota shtoi pikëllimin mbi Shenjtëreshën e gjallë të kohëve moderne. Njerëzimi, humbi Nënën e Madhe dhe fitoi Shenjtëreshën e Madhe.
U tronditën isntitucionet teologjike, civile, kulturore dhe shkencore. Shkencëtarët, tashmë kanë rënë në heshtje të thellë (për disa çaste), duke respektuar Princeshën e Humanizmit. Kumbimi i këmbanave, mbushi eterin dhe më shumë ato u mbytën nga kumbimet e zemrave njerëzore. Jeta njerëzore humbi drejtpeshimin, ndjeu varfërinë, që papritmas e pllakosi në mënyrë tragjike, përballë pllakosjes së tragjedisë. Ajo ishte dhe është më tepër Njeri-Nënë-Shenjtëreshë.
Atëherë ajo ishte thjesht Gonxhe. Një ditë do të ishte Nëna e të Gjithëve, një Shenjtore Mëshirëplotë, në të gjallë e mbas kalimit në amshim. Tek figura e Saj poliedrike evidentohet si element plot vlerë unisimi mes filozofisë predikuese, përkushtimit shpirtëror, duke dhuruar kompleksin e ndjenjave që quhet mirësi njerëzore dhe formë praktike, si veprim, ku, karakterizohet gjithçka si përkushtim, ndjenjë dhe mesazh filozofik, shoqëror e rezatues. Kjo strukturë vlerash, projekton Atë, jo si një moralizuese, por si objekt kristian, që mishëron diçka më shumë.
Bamirësja e famshme, krijoi një filozofi sociale, me një kurs tokësor, me qëllim; kujdesin tokësor dhe jo pranimin e vuajtjes në emër të shpëtimit të shpirtit me një botë tjetër. I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa e mori në krahët mikpritës të Tij.
Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, mdis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave. Ajo, u shtriu dorën e përjetshme të mirësisë. I mori në krahët e Saj të ngrohtë, duke u thënë: “Mos u merzisni! “Unë do t’ju mbaj me ngrohtësinë prindërore…”
Buzëqeshje, lumturi shpirtërore dhe ngrohtësi shoqërore u fali me gëzim përherë E Lumja Nënë Tereza. Ajo u thoshte në shqip bashkëatdhetarëve: “Zoti ju bekoftë!”.
Si një mesazhere biblike, shenjtore e gjallë dhe e prekshme, Ajo sillte e përhapte atë gonxhe jete të mrekullueshme si vetë emri i Saj, atë dashuri njerëzore kaq të zbehur gjatë shekullit XX, kur përbuzja, mjerimi, urretja, luftrat e pakuptimta, kërcenin valle si në shtëpinë e tyre. Ajo ishte një ushtri e vërtetë dashurie.
Thjeshtësia, ishte bashkëudhëtare në jetën e përditshme në shërbim të të varfërve, të sëmurëve me lëbrozë, fëmijëve, antikapatëve, jetimëve, të moshuarëve etj., që padrejtësisht ishin braktisur nga paraardhësit e tyre, fakirëve të Indisë, me të cilët gjithë jetën ndau vuajtjet e kësaj bote. E donte thjeshtësinë, sepse njerëzit me të cilët punonte çdo ditë u jepte me gjithë zemër përkushtimin mbinjerëzor, u dhuronte me ëmbëlsi aq të dashurën fjalën hyjnore plot vlerë: “Dashurinë”.
Ajo, përsonifikonte mirësinë, dashurinë me anë të Jezu Krishtit në Tokë. Me dashuri e përvuajtëri, iu bind fjalëve profetike të Shelbyesit-Jezu Krishtit. Dhe tashmë Ajo është lart në Qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në atë banesë që e ëndrronte drejt lumturisë së pasosur në paqe. E Lumnueshmja, është ulur në tryezën e shenjtorëve të historisë së krishtërimit dhe po kuvendon për jetën tokësore me të cilën Ajo u shkëput me dëshirë.
Pak sintezë është mirë të thuhet
“By blood, I am Albanian. By citizenship, an Indian. By faith, I am a Catholic nun. As to my calling, I belong to the world. As to my heart, I belong entirely to the Heart of Jesus.”
Mother Teresa
Është e vërtetë se shqiptarët ndër shekuj, janë ndeshur me të keqen dhe kanë dhuruar vazhdimisht mirësinë. Për më tepër, ndër shekuj, besa, mikpritja, qëndresa, fjala, etj., si institucione të traditës popullore, mbetën kode morale, juridike, etike, kushtetuese, etj., të cilat, sëbashku shpalosin veçoritë e genit shqiptar, atë kumt e formulë magjike shekullore, që humbet në mugëtirat e lindjes së njerëzimit, të transmetuar nga brezi në brez, nga vitet në shekuj.
Edhe fjala, si varg konstitucional, ka me vete esencën e mëshirës, e cila në ballafaqim mendor të shqiptarit shprehet me një semantikë të veçantë, duke pohuar njëherazi bujarinë, dhurimin, dhënien e vetës, flijimin për të tjerë.
Purifikimi i shpirtit njërzor dhe mbushja e vullnetit të tij me dashurinë dhe përkushtimin për të bërë vetëm mirë, e për t’ju ndodhur pranë atij që vuan, se i kërcenohet vdekja, i është gjymtuar trupi, e turturon sëmundja, i mungon dashuria njerëzore, e tmerron braktisja e shoqërisë apo e shpërbën vetmia torturuese, janë abetare të virtytit Terezian, të cilat mishëruan njerëzoren e pamëkatuar dhe bënë që hierarkia e lartë shtetërore të përkulej e të bënte apel përballë trupit të Saj pa jetë tokësore, duke kërkuar një kod të ri moral.
E kësisoj, ky dhurim, kjo fjalë, ky flijim për gjakun shqiptar ka përmasa që kalon kufijtë e lindjes, duke pushtuar hapësira e vizione të reja përjetimi. E Shqipëria e vogël gjeografikisht, a nuk i dhuroi njerëzimit figura të mëdha krenarie, qofshin këto perandorë të tillë (24 perandorë në historinë e Romës antike), si: Konstandini i Madh me origjinë ilire, që në vitin 313 mbas Krishtit, nxori Dekretin e Milanos, tek sanksionoi krishtërimin si fe zyrtare? A nuk u përpoqën të parët e krishterë ilirë, tek të cilët kemi edhe martirët e parë të krishtërimit, si: Shën Lauri, Shën Flori, Shën Asti (emrat e të cilëve përmenden në librin e njohur “Martyriologun romanum”), të cilët në kohën e perendorit Adrian në Ulpianë të Dardanisë, dy gurëgdhendësit (të parët Shën Lauri e Shën Flori) i mbysin në pus, për të mohuar fenë e Krishtit?
A nuk janë ndjekësit më të mëdhenj, në kohën, kur Kisha po legalizohej si institucion shpirtëror, perandorët e gjakut ilir, në mënyrë sistematike përmes Decit, Aurelianit, Dioklecianit, bëjnë që të derdhet gjaku i fatosave të krishterë kudo? Sa kontrast i madh!?
Mirëpo kjo trevë e begatë dhe konkretisht nga Salona (Vlora), në vitin 183 mbas Krishtit, dhuron edhe katër papë, një ndër të famshmit me emrin Gain (nga Salona antike), të pa zbardhur deri tani nga historiografët kishtarë shqiptarë. E gjithsesi, bota e krishtërë dhe Kisha në veçanti, gjatë kësaj periudhe ballafaqohet edhe me herezi të shumta, që të parë në prizmin njerëzor, kanë mundur të jenë edhe fatale. “Mirëpo, këtu shihet Provania Hyjnore dhe elementi Hyjnor i Kishës”, -sintetizon studiuesi i shquar akademik Prof.dr. Zef Mirdita, pedagog i historisë antike në Universitetin e Zagrebit.
Por historia është e lavdishme, sepse të tillë e bëjnë njerëzit e kësaj toke, duke kulmuar më tej me një nga prelatët më të mëdhenj të krishtërimit, si: Papa Klementi XI (Gjon Albani), i lindur nga prindërit me origjinë të trungut të mirëfilltë arbëror në Urbino, duke qenë kësisoj i 250-i papë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ai, ishte përkrah papëve të famshëm, si: Gjoni XII, Gregori VII, Piu V, që kishin sukses në organizimin kishtar, etj. Por të mos harrojmë, se lutja e famshme dhe e mbarë krishtërimit “Te Deum”, është shkruar dhe kompozuar nga një peshkop shqiptar. Po Shën Jeronimi ilir (340-420), që përktheu Shkrimin e Shenjtë (Bibla) në latinisht?
Kësaj radhe, Zoti me fisnkëri për shqiptarët dhuroi plot bujari një Nënë të Madhe, që shquhej për nga forca shpirtërore deri në kufijtë e shenjtërisë. E kjo ishte E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur në dekadën e parë të shekullit XX.
Sa dorëlëshuar jemi treguar ne shqiptarët, sa shumë kemi dhuruar si komb deri aty, sa i falem njerëzimit Nënë Terezën! E famshme sa trimëria dhe vendosmëria e Gjergj Kastriotit legjendar, që si “Atlet i Krishtërimit”, u bë mburoja e civilizimit evropian, ndërsa Nënë Tereza e Kalkutës së mjerë, u bë mburojë dhe histori e gjallë feje, përkushtimi, duke ndryshuar fytyrën e botës së mjeruar. Ajo jetoi në varfëri, me të varfërit midis më të varfërve, duke përjetuar tërësisht filozofinë e Krishtit. A nuk u shndërrua E Lumja si e tillë sepse ishte shqiptare?
Të gjitha këto janë pyetje me përgjigje shembullore të popullit shqiptar. Një Nënë prej gjak shqiptari, që do të lindte trupvogël e imët dhe shëndetlig, do të vinte një ditë që të shpërthente si një trëndafil i mrekullueshëm, të kthehej në trëndafil të dashurisë, duke u dhuruar skamnorëve dashuri të përjetshme. Ajo tronditi botën, duke i apeluar, se kjo substancë e shformuar është pjesë dhe produkt i shoqërisë së sotme, që kontraston me qytetërimin.
Kësisoj e parë në radhën e figurave të ndritura të kombit tonë, mund të them se Nënë Tereza për shqiptarët, mund të krahasohet vetëm me figurën e Gjergj Gjon Kastriotit-Kryetrim i Arbërisë, i cili, me qëndresën e tij në shek. XV, i vuri shqiptarët në krye të listës së popujve heroikë e liridashës, ndërsa E Lumja Nënë Tereza me bamirësinë si vyrtyt, u dha shqiptarëve një vend nderi në hartën botërore të kulturës e humanizmit. Ajo mbetet gjithnjë paradigma udhërrëfyese për gjithë njerëzimin, aq më tepër për shqiptarët, kudo ku flitet dhe shkruhet shqip, në hapësirat shqiptare, por edhe në ato të shpërndara anekënd botës.
Në fund të shekullit XX, Ajo rizgjon imazhin e Jezusit të Nazaretit dhe aksioni i Saj human mori sendertim real, duke shpalosur tipare krejt unikale. Ku t’a dinte babai i Nënë Terezës, ky tregtar i thjeshtë shqiptar, se para thjeshtësisë së bijës së tij, do të përuleshin me respekt të thellë mbretër, presidentë, prelatë të Kishës dhe të gjithë besimeve fetare në botë; ku t’a dinte ai se si një kor gjigand, të gjithë njerëzit e planetit kërkojnë që Ajo të shpallet Shenjtore edhe zyrtarisht nga insitucioni më i lartë i Kishës Katolike (Selia e Shenjtë) në Vatikan.
Në saksinë e botës plot vuajtje të ndryshme, si i lajmëruar prej një fuqie Hyjnore, ai (babai) i vuri emrin e thjeshtë, por kuptimplotë Gonxhe. Dhe Gonxhja, si një syth trëndafili, nuk mund të rrijë plotësisht e tillë…
E Lumja Nënë Tereza, kërkoi me ngulm dritën dhe dashurinë. Ajo ishte një dhuratë e Zotit, për t’i shërbyer me përvujtëri vetëm Atij. Me jetën dhe veprën e Saj, na tregoi, se çdo gjë është e mundur me Zotin. “Mbani qetësinë e zemrave, meditoni, sepse atje do të takojmë Krishtin, sepse edhe ne mund të ecim të takojmë Zotin tonë”-i porosistë bashkëudhëtaret e “Misionit të Dashurisë” kryemurgesha Nënë Tereza. Jeta pa vepra është e kotë, se veprat pa lutje janë të papërkryera. Ajo nuk është e shkëputur nga universi shqiptar.
“Të përkujtosh humanisten e madhe Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes dhe të përpiqesh ta rrokësh personalitetin e saj madhor me një fjalim modest si ky, është thjesht ambicie e parealizueshme. Prandaj do të duhet t’i referohemi asaj që ajo e mbolli në jetët tona –dashurisë–që të mund të thithim diçka nga nektari i jetës që ajo ia fali kësaj bote. Sepse, në filozofinë e Nënës Terezë, dashuria është jetë, ndërsa bota nuk është asgjë tjetër, pos një rrënjë pa dashuri. Në këtë botë të çoroditur e vrazhdë, ku e keqja është kudo, e paprekur mbetet vetëm dashuria për njeriu, që gëlon në zemrat e njerëzve të mëdhenj. Se, njerëzit e mëdhenj janë para së gjithash të dashuruar me njerëzimin. Ata janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për ta mbajtur dinjitetin njerëzor, të cilin e konsiderojnë të shenjtë”, vlerëson Prof. Dr. Avzi Mustafa.
Mbretëresha e Humanizmit, e Pëllumbit të Paqes tokësore, nuk kishte se si të mos ishte shqiptare, sepse është pjesë e hershme e genit shqiptar. Rastësia nuk e solli Atë që të lindte në këto troje me tradita të pastra, në këto treva ilire të lashta, aty, ku, kanë zanafillën e tyre kozmike erërat, që sollën agimin e lindjes së qytetërimeve më të lashta se sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës; aty ku ngjizi miti dhe legjenda, kënga e vaji, ninulla e foshnjës mitologjike, aty ku morën udhë shtrati i besimeve dhe drita e dijeve, filozofia e jetës dhe e vdekjes.
Ajo erdhi në jetë, në fillim të shekullit XX, kur ende nuk kishte shtet shqiptar politikisht të krijuar dhe u largua nga kjo botë e zhurmshme në fund të shekullit, duke i mbyllur sytë në një vend të largët nga Atdheu, por shumë të dashur prej Saj, atje, ku në saj të veprës që realizoi, bëri shndërrimin e madh të vetes dhe të moralit njerëzor në përmasa të tilla tronditëse, si rrallëkush tjetër.
Në tryezën e shenjtorëve të Romës, do të ftohet të kuvendojë në paqe, mirësi dhe dashuri Hyjnore edhe Nëna e të gjithë Nënave. Ndoshta, edhe një Nënë, që shëroi plagët e nipave dhe mbesave të atyre shenjtorëve, që përfaqësojnë për nga origjina shtetet ku ato kanë lindur…
Tashmë Nëna në Shqipëri, është një institucion me vlera dashurie ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të triumfojnë mbi kulturën e vdekjes, për t’i dhënë dritë e shpresë kulturës së jetës. Me shtatë pëllumbat e bardhë të veshur në sari ka ngritur folezat e dashurisë Hyjnore, për njeriun e Atdheut të Saj.
Në rrugëtimin e Saj, mbështjellë me një frymë universale, krijoi mitin e shenjtit, të profetit të luftës kundër mjerimit, të Engjëllit Mbrojtës, që komunikoi me botën Hyjnore, të shpresës dhe të guximit për një jetë më të lumtur.
Panteoni i njerëzve të shquar, që me veprën e tyre të shumanshme kanë manifestuar virtyte të larta njerëzore dhe forcën inspiruese për bashkësinë sociale me kalimin në amshim të Të Lumes Nënë Tereza, pësoi një zbrazje të thellë e të gjërë. Porse kur individë të tillë unikal lënë pas një filozofi, një moral dhe një përkushtim nga dishepujt, Ata (në këtë rast) Ajo, njëherësh gjenden në majë të panteoneve të vlerave universale të njerëzimit, duke rrëzuar njëherësh pseudovlerat.
Anjeze Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997), bota e nderon mbas vdekjes tragjike të Princeshës së Wellsit Lady Diana, një ndër miket e afërta të Nënë Terezës. Lajmi i dytë është shumë më i hidhur për ne. Kjo vjen nga shpirti me fjalë zemre të pikëlluar, sepse ishte një njeri frymor, që drejtohej drejt Shpirtit të Shenjtë dhe Ajo me shpirtin e paqes ka bërë mrekulli.
E shpirti i mrekullueshëm ishte vetë E Lumja Nënë Tereza. Dhe shpirti e njohu, jetoi me Nënë Terezën, që ishte një njeri i tillë. “Çdo njeri ka lindur Shenjt, por duhet të dëshiroj dhe t’a dëshmoj”-ka përkufizuar bamirësja shpirmadhe Nënë Tereza.
E Lumja Nënë Tereza solli evolucion, ose lëvizje të re në shpirtin e Saj njerëzor. Besonte shumë në familje si një bërthamë solide, që duhet ruajtur nga tjetërsimi i demtuesve mëkatorë. Familja shtonte Ajo, aty lind, krijohet dhe vazhdon t’i jepet shoqërisë, kur shpesh takohej me të rinjtë shqiptarë.
Nënë, kam etje, nënë dua të ha, nënë dua të pi, nënë kam ftohtë, nënë jam sëmurë, nënë o NENE, i thërret fëmija, i riu, i braktisuri, plaku që rënkon nga plagët e gërbulës, në çastet e hidhërimit e të gëzimit…
Mirëpo binomi Njeri-Nënë, që kërkon ndihmë, është një nyje e pazgjidhshme në çastet e hidhërimit të madh, në vuajtje e dhimbje.
Kësisoj, nëna është një titull jete, një ofiq, një gradë, një mision e mbi të gjitha një mesazh jete, buzëqeshjeje, gëzimi e hareje. Në çdo gjuhë të botës, ajo është fjalë e parë dhe më e dashur, që kanë mësuar të shprehin në fillim gjithë njerëzit në këtë planet, por në shenjë dhembshurie e dashurie të pakufi, ajo ka kuptimin e oksigjenit për çdo qënie njerëzore.
E Lumja Nënë Tereza, nuk është asgjë tjetër, veçse një kryenënë e të gjithë nënave të botës, që mirë ose jo, përpiqen të pakësojnë dëshpërimin e madh të kësaj bote të rënduar. Dashurinë për jetën e ka ushqyer përherë.
Ajo me shpirtbutësinë bujare, punoi përmes duarve të rreshkura, që kanë pritur e përcjellë për shumë dekada miliona fëmijë në buzë të vdekjes së sigurtë. Vdekjen e të sëmurëve e ka larguar, duke mëkuar dashuri njerëzore, për ditë të tëra në krye të të lënduarve, ka lidhur miliona plagë, sikurse u ka mbyllur sytë pranë një vdekje të qetë natyrale tek i përkdhelte me uratë në dorë.
Ajo ka ofruar jetën e ka larguar vdekjen e etur për flirte mjeranësh, në çdo kënd të globit; ka dhënë frymë, duke ngrohur trupat e ngrirë në borë pa përkujdesje. Ka ulur urretjen midis njerëzve, duke falur dashurinë midis atyre njerëzve nën shembullin e Jezu Krishtit.
Në shtegtimin e saj të gjatë, si ikonë e gjallë, që adhurohet me dashuri nga të gjithë, është ledhatuar, ndjerë nga miliona njerëz, duke ndezur qiriun e dritës së përjetshme.
Njerëzimit iu dorëzua e gjallë, duke dhuruar trupin, zemrën, mendjen, fjalën, frymën, jetën e Saj dhe gjeneroi me forcë dashurinë, këtë Gonxhe të mrekullueshme të fshehur thellë në skutat e shpirtrave njerëzorë.
Postulatet e Saj janë të thjeshta në formulim, por janë të thekuara si ide:
“Nuk ka paqe pa dashuri”,
“Nuk keni bërë pak nëse keni dhuruar buzëqeshje”,
“Po, dashuria është e vërtetë dhe ju takon juve!”
Duke u endur e palodhur, Nëna e botës arriti ta gjejë, ta këputë këtë gonxhe dhe ua dëshmoi si shembull jetësie, se kjo është dashuria në Hyjin dhe njeriun, që Ai vëtë krijoi për të përballuar mirësitë e natyrës, që sërisht vetë i dhuroi. Njerëzorja, autentike është institucioni më i lartë, më i pastër, më human dhe se institucionet e tjera, si: shteti, propoganda, ceremonitë, janë të vonshme, e jo të sinqerta përballë humanizmit dhe dashurisë.
Kur shihte bebe të vogla, vraponte që t’i përkthelte dhe i merrte në krahët e Saj të ngrohtë, duke u dhuruar dashuri me një buzëqeshje fisnike. Ajo kishte një optikë tjetër, kur vraponte nën moton, se “dhimbja e tjetrit zbutet kur kujdesesh për te, dhe kujdesi kryehet kur vetë jeton thjeshtë e bashkë me te”. Ajo shihte frikë nga vdekja, ndaj edhe jetoi gjatë. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandale, asnjëherë nuk qenë garniturë moralizuese, por sfidë stoicizmi.
E komentonte gjithnjë fjalën “Kam etje” (“I’m thirsty), për dashurinë e njerëzve, ashtu sikurse e thotë Krishti në Kryq. Ajo bëri atë që bënte me dashuri, i jepte ujë të uriturit, veshte të zhveshurit, mëkonte me ngrohtësi prindërore më të braktisurit. Dhe këtë rit e përsëriti për shumë dekada, duke sfiduar përherë moshën e vet, sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, dhe mbi të gjitha kohën që jetojmë. Dhe asokohe me kalimin në amshim, bota u ul në gjunjë përpara madhështisë së bamirëses së Saj.
Media marramendëse elektronike, nuk e besoi humbjen e Saj dhe bëri që t’a nderonin të gjithë të pasurit dhe me të dashurit e Saj, të varfërit midis më të varfërve, mbasi Ajo dinte të komunikonte me të gjithë qëniet njësoj si Krijesa të Hyjit.
Ajo ndërroi jetë, mbasi shenjtorët nuk vdesin. Përpara kamerave, bliceve, internetit në të gjithë botën shihej qartë se si luksi e grykësia njerëzore, etika e moralit akademik, uniforma e ushtrisë dhe kostumet e diplomatëve, mbetën të shtangur dhe u përulen me veneracion, me pendesë të thellë plot shqetësim përpara atij lëmshi njerëzor, e aq gjigand njëherësh! U këput Gonxhja e Shqiptarëve, Lulja e Njerëzimit. E Lumja Nënë Tereza, është Poezia e Jetës, Poezia e Njerëzve të Varfër.
Kalkuta shumëmilionshe dhe me te, mbarë bota që e nderon si Qytetare Nderi të çdo kombi, race dhe ngjyre, është ulur në gjunjë dhe si një domosdoshmëri pavdekshmërie, kërkon të Shenjtërohet.
Ajo u shpall Shenjtneshë, por nëse altari shpirtëror, do të mbajë në koleksionin e tij si brilant emrin Shenjt, altari i vërtetë i prekshëm tokësor, human, bartë Nënë Terezën e vërtetë, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veprën e misioneve të Saj, të cilat, me stoicizmin e tyre, janë plazmor si specie Tereziane, aq të mirëpritura e të respektuara kudo nëpër botë…
Me siluetën e Saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë (sary), me shirita ngjyrë blu Nënë Tereza, u shpall E Lumnueme, që do të thotë një hap para Shenjtnisë (më 19 Tetor 2003) nga Papa Gjon Pali II.
Ndërsa ish drejtori i Radios “Zëri i Amerikës” publicisti Frank Shkreli, duke theksuar kontributin e madh që ka dhënë e jep çdo ditë Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, nën drejtimin e bariut shpirtëror Të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, në artikullin analitik: “Nënë Tereza: NDERI I KISHËS KATOLIKE DHE KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR”, ndër të tjera vlerëson:
“Në shpirtin tim, jam thellësisht i gëzuar që kam rastin e bukur të jem me ju sonte: me Dom Pjetrin dhe anëtarët e këshillit dhe pjesëtarë të famullisë “Zoja e Shkodrës”, me të gjithë ju, që çdo ditë punoni e flijoni aq shumë për ideale të përbashkëta, në emër të interesave fetare e kombëtare.
Përveç dobisë shpirtërore, që është misioni i parë i kësaj kishe “Zoja e Shkodrës”-binomin “Fe e Atdhe”-e zbaton në flakë e në dritë të fesë, por gjithmonë duke mbajtur gjallë zakone e tradita kulturore, thjesht kombëtare, duke ruajtur e shtuar në këtë vend të madh pasurinë etnike të trashëguar nga të parët tanë, trashëgimi kjo që na bën të mundur ta quajmë veten, krenarisht, Shqiptarë në dheun e George Washington-it dhe Abraham Lincoln-it, në këtë vend të lirisë e demokracisë.
Me të drejtë, ne të gjithë jemi krenarë me veprimtarinë e kësaj kishe në laminë e fesë dhe të shqiptarizmit, veprimtari që është bazuar në terminologjinë e Imzot Pjeter Bogdanit: “Fati i im është fati i popullit tim”, veprimtari kjo për të cilën edhe Nënë Tereza është krenare, në 100-vjetorin e lindjes se Saj.”
Ky artikull është botuar në numërin special me ngjyra të revistës “Jeta Katolike” #59, kushtuar 100-vjetorit të lindjes sw të Lumes Nënë Tereza, New York, 2010, f.26-29
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani



Leave a Reply