Nga Revista Class
Kënga e saj “Bring the rain” po transmetohet në 3016 McDonalds në Gjermani, në shumë radio e madje është edhe në Top 10 e “Music Charts Berlin”. Pas suksesit të këngës “Shiu im”, Miriami dhe Albani po i kushtohen me shumë dashuri arredimit të shtëpisë së tyre të parë të madhe dhe po mendojnë seriozisht për të pasur një bebe
Për gjashtë muaj, në 3016 pikat e McDonalds në të gjithë Gjermaninë do të bjerë shi. Është shumë më e sigurt sesa një parashikim moti sepse është e shkruar, e zezë mbi të bardhë, në kontratën mes rrjetit gjigant dhe Miriam Canit. “Bring the rain”, varianti në anglisht i këngës “Shiu im” është pritur fiks me dëshirën e një shiu në ditët e nxehta të verës, në vendin ku Miriam ka nisur karrierën e saj.
Kënga po transmetohet pothuajse në të gjitha radiot më të mëdha gjermane, si Radio Big FM, Kiss FM, Radio Energy, Radio Berlin etj… “Përveç rotacioneve që kemi në shumë radio, tashmë prej katër javësh kam arritur të pozicionohem me “Bring the rain” dhe në Top 10 e “Music Charts Berlin”. Këngën e prezantova dhe në emisionin gjerman “Fernsehgarten” e u prit me shumë dashuri nga publiku”, tregon Miriam Cani, ndërkohë që kënga do vazhdojë të shfaqet për 6 muaj në ekranet e filialeve Mc Donalds, pasi ka hyrë në playlistat e tyre që nga gushti. Kjo këngë është kompozim dhe produksion i së njëjtës studio suedeze që ka realizuar “Labyrinth”, por rezultatet e arritura në tregun gjerman janë shumë të mëdha krahasuar me produksionet e fundit.
Ia ka vlejtur investimi për këtë këngë, që i mori Miriamit të gjithë verën. “Këtë verë jam marrë kryesisht me projektin “Bring the rain” në Gjermani dhe paralelisht me produksionet e këngëve të reja. Kam qenë bashkë me Albanin, por ndryshe nga vitet e tjera, bëmë vetëm 5 ditë pushime, pasi kishim tepër angazhime dhe lëvizje midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ndoshta e kompensojmë me një pushim të shkurtër gjatë dimrit nëse koha do na e lejojë.”
Dhe nuk e vë në dyshim, thjesht si mënyrë të thëni, mundësinë e pushimeve të dimrit. Sepse me të mbaruar vera, ata kanë nisur nga projektet e reja. “Po merremi me projektet e reja muzikore dhe disa koncerte që duam të organizojmë vetë, ndryshe nga koncertet e tjera..Janë disa projekte për të cilat ende nuk mund të flas pasi do bëhen publike kur të jenë gati.” Ndërkohë, janë të zënë edhe me diçka tjetër, tashmë jashtë sferës së profesionit: po arredojnë shtëpinë e tyre të parë të vërtetë. “Me shtëpinë po merremi bashkë pasi kjo do të jetë shtëpia jonë e parë e madhe. Arredimi do jetë sa i thjeshtë, po aq edhe i veçantë në detajet e veta…Në përgjithësi preferojmë ngjyrat e ngrohta dhe një arredim sa më komod. Më pëlqejnë shtëpitë praktike, shtëpitë që janë në shërbimin tënd dhe jo e kundërta. Po e punojmë me shumë dashuri dhe presim me padurim të hyjmë.” Sepse pas shtëpisë së madhe fshihen plane edhe më të mëdha. Ato për t’u bërë së shpejti me një bebe, që Miriami e pranon shumë natyrshëm. Madje duket sikur më e afërt do jetë ajo ditë sesa dasma e tyre. “Dëshira për të bërë së shpejti një fëmijë është e madhe. Është diçka që e shohim me shumë dashuri për të ardhmen…Sa për dasmën nuk kemi ende një datë të caktuar…do ndodhë në një moment kur të ndihemi më të qetë nga të gjithë punët dhe angazhimet që kemi për momentin…nuk duam ta shohim si stres ndaj dhe po presim momentin e duhur për ta shijuar atë ditë ashtu siç duhet të jetë normalisht…”
Sa për shtëpinë, nuk jep shumë detaje…ndoshta një ditë, në dhomat e asaj shtëpie ajo apo partneri i saj, Alban Skënderaj, do realizojnë foto për faqet e revistave, por sot për sot, aq më tepër që shtëpia as nuk ka përfunduar, ajo është një hapësirë e shenjtë private, ashtu si edhe shumë detaje të marrëdhënies së tyre, e bërë pashmangshmërisht publike, por që nuk është kthyer asnjëherë në arsyen më të mirë të medias, për t’i pasur personazhe. E gjitha, si thotë Miriami ka ndodhur fare natyrshëm. “Kjo vjen shumë natyrshëm nga ne pasi kemi ndërtuar para lidhjes sonë një profil artistik dhe profesional para publikut. Gjithçka duhet të bëhet me masë. Kjo është filozofia që ndjekim në gjithçka që bëjmë.”
Dhe në të vërtetë, secili ka nisur të bëhet i njohur në kohë dhe vende të ndryshme, si tashmë dihet nga të gjithë, njëra në Gjermani me grupin “Preluders” e tjetri duke ardhur nga Italia në Shqipëri për të kënduar në “Top Fest” ku mori çmim të parë. Këngët e interpretuara së bashku kanë qenë sigurisht pika kulmore të karrierës së tyre muzikore, por pas këtyre çasteve ata kanë vijuar e vijojnë të përgatisin këngë individualisht. Albani tashmë ka kanalin e tij muzikor në Youtube AlbanSkenderajMusic, ndërsa Miriam përveçse në këtë kanal publikon videot e saj edhe në kanalin Vevo, duke qenë ndër të paktat këngëtare shqiptare që është bërë pjesë e këtij kanali, ndër më të mëdhenjtë e të rëndësishmit e kanalit të videove. Kanë qenë secili, gjithashtu pjesë e jurive të talentshoë-eve të ndryshme ku garojnë zërat e rinj duke forcuar profilet individuale. Madje edhe në profilet sociale, nuk postojnë shpesh foto puthjesh e përqafimesh nga pushimet, aeroportet apo çastet e tjera sëbashku. Dhe kjo nuk i ka penalizuar aspak me numrin e ndjekësve, apo të pëlqimeve të cilat shkojnë drejtpërdrejt për artin e tyre.
Siç ka ndodhur në rastin e këngës “Shiu im” apo “Bring the Rain”, me të cilën Miriam ka bërë për vete edhe publikun në Gjermani, ku shiu vazhdon e vazhdon.
Pa grim dhe me syze optike, sepse ajo pëlqen të jetë natyrale:
“Faktikisht nuk i mbaj syzet sepse jam e dashuruar me ato, por e “detyruar”. Mbaj syze optike që fëmijë… Ndërsa pa grim rri sepse kështu kam qenë gjithë jetën. Jam thjesht vetvetja pa u menduar shumë se si do dukem…Në këtë rast më mjafton të ndihem mirë me veten.”
Leave a Reply