Nga Miltiadh M. Muçi/Jurist – Ekspert Kriminalist i Pavarur
Në dhjetorin e 2011-ës, nëpërmjet intervistës së gazetarit Ilir Ikonomi, në “Zërin e Amerikës” u njoha me shqiptaro-amerikanin Bill Kovaçi, ndërsa gjashtë muaj më pas me nismën e ambasadorit amerikan z. Arvizu “Vepro tani”, drejtuar shoqërisë civile të përfaqësuar nga OJF-të dhe secilit prej nesh. Në një vend të transformuar 22 vjet më parë nga totalitar në demokratik, çdo vit që kalon e bën të qartë për të huajt dhe ne sesi po konsolidohet një demokraci e “maskuar”, e rreme, ku dëgjohet e motivohet fjala e politikanit dhe pushtetarit, ndërsa mbytet e përçmohet fjala e qytetarit dhe individit. Padyshim, shkaktarë të këtij imoraliteti politik janë pushtetarët, sikurse duket qartë edhe në raportet e fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan, ku renditemi midis vendeve më problematikë të dhunës së policisë mbi individin, trafikimin pa dallim seksi, moshe e profesioni, ndërsa personi më përgjegjës “emërohet” President i Republikës. Por, pas politikës e politikanëve fajtor janë përfaqësuesit e mediave, pronarët dhe gazetarët, që në fillimet e ndryshimeve e kryen misionin e tyre me shumë vlerë, ndërsa në dekadën e fundit po kthehen në antivlerë, duke u afruar gjithnjë e më shumë me politikën e politikanët, me pushtetin e pushtetarët për motive komerciale dhe të shkëputur nga qytetari. Me të drejtë lexuesi mund të më pyes, përse e lidh shkrimin tim me intervistën e gazetarit me origjinë shqiptare Bill Kovaçi dhe nismën e z. Arvizu? Do t’i përgjigjesha se është intervista që më nxiti ta komentoj bashkë me thirrjen : “Vepro tani”. Bill Kovaçi na jep një leksion të vogël. Në intervistë ai na thotë: “Roli i gazetarisë është t’i japë qytetarëve informacionin që u duhet, për të bërë gjykime të mençura rreth njerëzve në pushtet, problemeve që prekin jetën e përditshme dhe nënkupton përparësinë ekonomike”. Vlerësimi i tij për gazetarët plotësohet më tej intervistës: ”E vërteta është më e vështira për t’u provuar. Ne zakonisht vetëm sa i afrohemi së vërtetës, kur sot njerëzve u duhet të kërkojnë në një masë gjigande informacioni, të gjenden cilat janë të verifikuara, cilat janë mashtrime, cilat propagandë dhe cilat janë fantazi. Prandaj është roli i gazetarisë të ndihmojë për të sqaruar, cila është e vërteta në gjithë këtë informacion. Gjëja më e rëndësishme është të dallojmë informacionet që janë të verifikuara, përballë zërave që flasin për qëllime fitimi dhe atyre që bëjnë propagandë”. Shumë interesante është një nga pyetjet që i bëhet Bill Kovaçit, pikërisht “përse njerëzit me pushtet në SHBA preken lehtë nga shtypi, ndërsa kjo nuk ndodh aspak në Shqipëri, ku politikanët nuk duan t’ia dinë ç’thotë shtypi për ta”. Pa dyshim se edhe më interesante është përgjigja e tij. “Kjo vjen sepse, gazetarët nuk kanë bërë sa duhet një punë të besueshme, që publiku të ketë besim”. “Njerëzit duhet të dinë se ajo që po dëgjojnë, po lexojnë apo e shikojnë është e verifikuar. Kur një njeri, një gazetar apo një televizion i tregon publikut diçka të re, pyetjen e parë që bëjnë njerëzit është nga e di ti këtë? Nëse nuk na thuhet qartë se nga është burimi ose e vërteta, atëherë ka arsye për mos t’u besuar. Ky mund të jetë njëri nga problemet me mediat në Shqipëri”. Padyshim “guximin” për të thënë të vërtetën, ai e lidh me çka e ka shoqëruar në punën e tij. Gazetari me origjinë shqiptare, që arriti të bëhet shefi i zyrës së gazetës “Neë York Times” për Uashingtonin, luajti rol të rëndësishëm në zbulimin dhe publikimin e dokumenteve të Pentagonit, ngjarje që bëri bujë në fillim të viteve ’70 të shekullit XX dhe rikujtohet herë pas here deri në ditët e sotme. Me këtë shkrim mora përsipër t’i prezantoj opinionit shqiptar këtë legjendë, sikurse e simbolizon Ilir Ikonomi gazetarin amerikan me origjinë shqiptare Bill Kovaçi, si një detyrim ndaj bashkëfshatarit me nënën nga Lekli i Tepelenës, për të treguar ndërkohë ç’ka ndodhur 152 vjetë më parë. Një tjetër lekliot, rilindasi Anastas Byku si publicist botoi dhe në shqip të parën gazetë “Pellazgët”, ku për herë të parë ai shkruante për çështjen kombëtare, gjuhën e shkollat shqip, për sigurinë territoriale e pavarësinë në gjurmët e Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut, për shkollimin e vajzave në të njëjtën shkollë të djemve, për shtimin e shkollave të mesme, gjimnazeve. Kanë kaluar gjashtë muaj nga intervista e Bill Kovaçit në “Zëri i Amerikës” e përsëri pyes “nëse ndonjë gazetar ka marrë nismën të studiojë, të përkthejë dhe të botojë librin e legjendës së gazetarisë me origjinë shqiptare ‘Elementë të gazetarisë’”? midis tyre dhe nipit tim Virgjil, publicist, shkrimtar e përkthyes jo pak i dëgjuar?
Shekulli
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani
Leave a Reply