
Traumat cerebrale janë një problem i shpeshtë që shfaqen në shëndetin e shqiptarëve. Sipas të dhënave të raportuara nga ekspertët e neurologjisë, rezulton se çdo ditë rreth 15 shqiptarë pësojnë aksidente cerebrale, të cilat njihen ndryshe si goditje në tru. Pjesa dërrmuese e tyre fatkeqësisht kalojnë në pasoja fatale për jetën, ndërkohë që shumë pacientë që arrijnë t’i mbijetojnë kësaj goditje përballen me pasoja invaliditeti. Shfaqja e simptomave të tilla nuk kursen as të rinjtë. Sipas mjekëve neurologë këto komplikacione mund të shfaqen edhe tek 15 vjeçarët, ndaj kujdesi duhet të jetë sa më i madh, kryesisht ndalimin e faktorëve që shtojnë këto raste. Këto të dhëna janë raportuar dje në : “Ditën Botërore të Traumës Cerebrale, të cilën mjekët neurologë e kanë shfrytëzuar për të kërkuar ndihmë dhe kujdes në frenimin e faktorëve që ndikojnë në nxitjen e kësaj sëmundje. Lidhur me shfaqet e kësaj sëmundje, shefi i shërbimit të neurokirurgjisë Mentor Petrela, pohon se janë të shumtë faktorët që nxisin këto aksidente, teksa vë theksin tek kujdesi që duhet të kemi në përdorimin mbi normat e lejuara të kripës që nis me konsumin e bukës dhe ushqimeve të tjera. Çdo njeri është në rrezik dhe situata mund të përkeqësohet nëse nuk veprohet. Goditjet cerebrale jo vetëm mund të parandalohen, por të mbijetuarit mund të shërohen plotësisht dhe të rifitojnë cilësinë e jetës së tyre me mbështetje dhe kujdesin e duhur afat gjatë. “Rreth 6 milionë persona në botë vdesin çdo vit, ndërkohë që një në çdo 5 gra dhe në çdo 6 burra pëson aksident cerebro-vaskular”, kjo u vu në dukje gjatë aktivitetit sensibilizues në Ditën Botërore të Goditjeve Cerebrale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjekët apeluan në këtë ditë për mbajtjen nën kontroll të faktorëve të rrezikut, si dhe për kontrolle të herëpashershme. Koha, sipas tyre, ka shumë rëndësi në trajtimin e sëmundjes. Në vijim të shkrimit gjeni të detajua manualin e plotë të këshillave të përgatitura nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, Roland Shuperka dhe Aulona Zotaj rreth kujdesit që duhet të tregojmë për të shmangur pasojat e hemorragjisë cerebrale.
Çfarë është një goditje cerebrale?
Insultet cerebrale (gjithashtu e njohur si sëmundja cerebrovaskulare) ndodhin kur një enë gjaku që mbart oksigjen dhe ushqen trurin, është e bllokuar nga një mpiksje gjaku (trombi). Kur kjo ndodh, një pjesë e trurit nuk mund të marrë gjakun dhe oksigjenin për të cilin ka nevojë, kështu që fillon të vdesë. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e goditjes, e cila mund të shkojë nga minimalja deri në katastrofë. Duke qenë se pjesë të ndryshme të trurit kontrollojnë funksione të ndryshme, efektet specifike të goditjeve në tru, varen nga pjesa e trurit që është e dëmtuar. Një goditje cerebrale e vogël në një zonë kritike të trurit mund të shkaktojë paaftësi të përhershme. Meqë qelizat e trurit nuk rigjenerohen, dëmtimi i qelizave nervore është i përhershëm. Enët e gjakut mund të shkaktojnë hemorragji apo gjakderdhje në tru. Kjo është një formë më e avancuar dhe që kërkon më tepër trajtim. Insulti Hemorragjik i Trurit , njihet ndryshe nga populli edhe me fjalët “i ra pika”, ose “Damllaja”.
Cilët persona janë më të rrezikuarit?
Më të rrezikuarit nga kjo sëmundje janë njerëzit që kanë probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Për këta të sëmurë, mjekët rekomandojnë që të evitohet sa më shumë: “Ekspozimi ndaj diellit, sidomos në orët më të nxehta të ditës, temperaturat e larta bëhen shkak për rritjen e presionit të gjakut. Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme te gratë janë: pilulat kontraceptive, pirja e duhanit, mbipesha, migrena. Nëse këta katër faktorë do të bashkoheshin së bashku, rreziku për një insult cerebral do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës.
Simptomat
Hemorragjia cerebrale ose infarkti i trurit ndodh kryesisht, në moshat mbi 60-vjeç, por njihen raste edhe në moshat e reja. Shenjat kryesore që paraqet një i sëmurë janë: “Vështirësi për të folur. Ai flet në mënyrë të pakuptueshme (belbëzon) ose nuk mund të shqiptojë dot asnjë fjalë, ose nuk i kuptohen fjalët. Nuk lëviz dot gjymtyrët, si për shembull dorën ose këmbën. Tërheqja e muskujve të fytyrës të asaj ane që nuk lëviz dorën ose këmbën, pra fytyra bëhet asimetrike ( shtrembërim te buzës. Urinon dhe defekon në mënyrë të pavullnetshme, të dridhura të pjesshme ose në të gjithë trupin, të vjella. Nëse ju vëreni në trupin tuaj një ose më shumë nga këto simptoma, mos prisni, por veproni: “Drejtohuni menjëherë tek mjeku juaj i familjes. Në këtë situatë nëse i sëmuri ka të vjella është mirë që të bëhet kthimi i kokës në anën e majtë me qëllim që të mos bllokohen rrugët e frymëmarrjes dhe të hiqen protezat kur ato janë. Kur i sëmuri ankohet për të vjella, dhimbje koke, të dridhura, çrregullime të tensionit dhe të ritmit të zemrës, duhet patjetër të bëjë vizitë mjekësore për t’i paraprirë paralizës. Të kontrollohet rregullisht presioni i gjakut tek të sëmurët me tension të lartë, sidomos tek ata me trashëgimi familjare të sëmundjes. Të mos abuzohet me mjekimin. Një mjekim i rregullt i tensionit të lartë të gjakut dhe i çrregullimeve të ritmit të zemrës do të parandalonte një situatë të tillë.
Rreziku nga infarkti i trurit
Kohët e fundit, një rrezik i madh për shëndetin është hemorragjia cerebrale. Femrat janë ato që preken më shpejt se meshkujt nga kjo sëmundje. Rreth 15 për qind e pacientëve janë nën 45-vjeç. Hemorragjia cerebrale quhet ndryshe, edhe infarkti i trurit. Ai vjen si rrjedhim i bllokimit të një arterie në tru, që pengon dhe qarkullimin e gjakut. Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme te gratë janë: pirja e duhanit, mbipesha dhe migrena. Nëse këta faktorë do të përputheshin së bashku, rreziku për një hemorragji cerebrale do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës. Në tri orët e para pas rënies së infarktit te trurit, kemi masën e shpejtë me medikamente. Në rastet kur pacienti nuk arrin të përmirësohet me medikamente, është i detyrueshëm një operacion urgjent. Afro 80 për qind e këtyre pacientëve nuk mbijetojnë më shumë se një javë. Ndërsa pacientët që arrijnë të mbijetojnë dhe të përmirësohen brenda 48 orëve, kanë shanse të mira për të jetuar. Për të mënjanuar një sëmundje të tillë të rrezikshme, një kujdes i madh duhet treguar me ushqimin dhe sportin. Mënjanimi i yndyrave si dhe ushtrimi i sportit është një domosdoshmëri, që rregullon cilësinë e jetës së njeriut.
Udhëzime për të trajtuar në kohë infarktet e trurit
Disa faktorë rreziku ju nuk mund t’i kontrolloni. Ju nuk mund të keni kontroll mbi moshën tuaj, të qenit me diabet apo të pasurit në familje një anëtar që ka kaluar goditje cerebrale. Në qoftë se ju keni një nga faktorët e sipër përmendur, atëherë ju intereson shumë të informoheni në lidhje me stilin e jetës dhe me ndryshimet mjekësore që duhet të bëni për të parandaluar goditjet në tru.
Faktorët e stilit të jetës që ju rrezikojnë për të pasur një goditje në tru: “Duhanpirja, përdorimi i alkoolit, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik. Faktorët e sipër përmendur mund të kontrollohen mjaft mirë. Ju mund ta lini duhanin, të jeni aktivë fizikisht, të kujdeseni për çfarë dhe sa shumë hani dhe të limitoni përdorimin e alkoolit. Peshës, ushqimeve dhe ushtrimeve fizike duhet tu kushtoni shumë rëndësi, veçanërisht nëse keni diabet. Duke i kontrolluar këta tre faktorë ju kontrolloni diabetin dhe reduktoni rrezikun e lartë për të pasur një goditje cerebrale. Në qoftë se pini duhan lëreni, pasi ai dyfishon rrezikun për goditje cerebrale. Nëse lini duhanin sot, që nesër do të fillojë të ulet rreziku për t’u goditur në tru. Në qoftë se përdorni alkool, pini në mënyrë të moderuar. Të pirit e një gote vere ose birre çdo ditë nuk ju dëmton. Megjithatë kujtoni se alkooli është drogë; ai mund të veprojë me ilaçe të tjera që mund të përdorni duke ndikuar në efektin e tyre. Alkooli gjithashtu është shumë i dëmshëm në qoftë se merret me doza të mëdha. Në qoftë se pini shumë, uleni sasinë që konsumoni ose mos përdorni fare alkool. Përfshini gjithmonë ushtrime fizike në rutinën tuaj ditore. Edhe disa ushtrime të vogla (një shëtitje e shpejtë, një shëtitje me biçikletë, noti, punë shtëpie) mund të bëjnë një diferencë të madhe.
Ushtrimet fizike reduktojnë rrezikun
Të rriturit duhet të përfshihen domosdoshmërish në aktivitet fizik me intensitet të moderuar për të paktën 30 minuta në pesë ose më shumë ditë të javës. Ushtrimet fizike mund ta reduktojnë rrezikun për goditje në tru. Para se të filloni një program fizik për trupin tuaj në fillim konsultohuni me mjekun tuaj te familjes.
Ushqehuni shëndetshëm.
Shijoni kripën e jodizuar në sasi të vogla dhe një ditë me sa më pak yndyrë. Duke reduktuar kripën dhe yndyrat në dietën tuaj ju do të keni presion gjaku më të ulët dhe më e rëndësishmja është, se: Ulni rrezikun për të përjetuar një goditje në tru. Hani ushqime që konsistojnë më shumë në fruta, perime të gatuara pa yndyra, mish pa dhjamë, si për shembull mish pule ose peshk dhe ushqime me shumë fibra (fasulet). Pjekja, zierja me avull e ushqimeve në vend të skuqjes do ju bënte më mirë për shëndetin.
Faktorët mjekësorë që duhen mbajtur nën kontroll
Faktorët rriskues mjekësorë përfshijnë: goditje të mëparshme cerebrale, kolesterol i lartë në gjak, presion i lartë i gjakut, sëmundje zemre dhe të arterieve, etj. Pyetni mjekun tuaj në lidhje me faktorët rriskues të cilët mund të kontrollohen nëpërmjet ndryshimit të stilit të jetesës, medikamenteve, kirurgjisë ose kombinimit të të triave së bashku.
Presioni i gjakut
Në qoftë se keni presion të lartë të gjakut flisni me mjekun për ta kontrolluar atë. Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) është një nga shkaqet më të zakonshme që çon në goditje të trurit. Presioni i gjakut shprehet nëpërmjet dy numrave për shembull 120/80. Numrat e parë njihen si presioni sistolik i gjakut. Është matës i forcës që gjaku juaj tendos muret e enëve të gjakut, ndërkohë që pompon zemra. Numri i dytë presioni diastolik i gjakut (ose i vogli) është një matje e forcës me të cilën gjaku shkon në enët e gjakut kur zemra është në pushimin midis rrahjeve. Për njerëz mbi moshën 18 vjeç presioni normal i gjakut konsiderohet në shifra më të ulta se 120/80. Megjithatë kjo varion në disa raste për shkak të stresit ose të aktivitetit fizik. Një presion gjaku që vazhdimisht është më shumë se 120/80 deri në 139/89 është konsideruar si para – hipertension. Kur presioni i gjakut është 140/90 ose më i lartë, personi vuan nga hipertensioni. Mateni presionin e gjakut të paktën një herë në vit. Në qoftë se keni ndonjë histori të presionit të lartë të gjakut, në qoftë se keni pasur ndonjë atak në zemër, në qoftë se jeni diabetik, në qoftë se keni kolesterol të lartë ose jeni mbi peshë , atëherë duhet ta matni më shpesh presionin e gjakut. Flisni me mjekun e familjes për ta kontrolluar presionin e gjakut.
Aritmia arteriale (Çrregullimet e rrahjes së zemrës)
Aritmia arteriale është një mënyrë e rrahjes jo të rregullt të zemrës. Dy dhomat e sipërme të zemrës rrahin shpejt dhe në mënyrë të pa parashikuar, duke shkaktuar sasi gjaku të mbledhur dhe një formë potenciale për mpiksje. Në qoftë se mpiksja udhëton nga zemra në tru, atje mund të shkaktojë një insult. Mjeku juaj mund ta dallojë aritminë duke ju kontrolluar me kujdes pulsin tuaj. Megjithatë kini parasysh se edhe pse pulsi juaj mund të jetë i çrregullt, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se ju keni aritmi. Këtë mund ta saktësoni nëpërmjet ekzaminimeve të mëtejshme me një kardiolog.
Kolesteroli dhe diabeti (Yndyrat dhe sëmundja e sheqerit)
Në qoftë se kolesteroli në trupin tuaj është i lartë kontaktoni me mjekun për ta kontrolluar. Shkalla e kolesterolit (yndyrave) nuk duhet të kalojë 200. Ju jeni në risk për goditje ne tru nëse testi për shkallën e kolesterolit tregon më tepër se 240. Një nivel kolesteroli midis 200 dhe 239 ju vendos ju në rrezik. Ulja e kolesterolit mund të reduktojë rrezikun për goditje në tru. Disa herë kolesteroli mund të kontrollohet nëpërmjet një diete dhe aktivitetit fizik, disa herë kjo mund të kërkojë medikamente. Mbani nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll nëpërmjet rekomandimeve të mjekut tuaj. Të qenit i sëmurë me diabet ju vë para një rreziku shumë të madh për të pasur goditje në tru. Depozitat e yndyrave mund të bllokojnë arteriet të cilat transportojnë gjak nga zemra në tru. Ky lloj bllokimi nëse lihet i pa trajtuar mund të shkaktojë goditje në tru. Mjeku juaj i familjes duhet t’ju përshkruajë një program ushqimi dhe ndryshime në stilin e jetës të shoqëruara me medikamente të cilat ndihmojnë në kontrollin e diabetit.
Por në ç’mënyrë mund të parandalohet kjo sëmundje?
Për përgjigjen e kësaj pyetje janë zhvilluar një seri studimesh dhe shumë prej tyre rekomandojnë ilaçe të ndryshme. Por pyetja që tani shtrohet është se sa njihen këto ilaçe e mënyra të reja nga personeli mjekësor në klinika e spitale. Në këtë kuadër, kohët e fundit u botua një analizë shkencore, e cila merr në shqyrtim mbi 400 studime të kryera mbi hemorragjinë cerebrale. Përfundimet e analizës lënë të kuptohet se : Personat e prekur nga hemorragjia cerebrale nuk kanë qenë në gjendje të marrin trajtimin e duhur mjekësor, pasi në shumë raste personeli mjekësor nuk ka dijeni rreth mënyrave të reja të efektshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Shkencëtarët shqyrtuan me kujdes afro 400 raste me hemorragji cerebrale dhe vunë re se: Në disa klinika pacientëve të moshuar u ishin mohuar ilaçet kundër koagulimit të gjakut, të cilët janë provuar si parandalues të efektshëm të hemorragjisë cerebrale tek personat që vuajnë nga aritmia e zemrës. Këto ilaçe nuk u jepeshin të moshuarve, pasi personeli mjekësor shqetësohej se ilaçi mund të shkaktonte hemorragji nëse pacienti padashje rrëzohej. Por kërkimet e hershme kanë treguar se ky lloj trajtimi nuk shkakton asnjë problem tek të moshuarit. Ekspertët thonë se: Të kesh ilaçin e të mos dish ta përdorësh është njësoj si të mos e kesh.
Sëmundja në shifra:
Hemorragjia ndodh kryesisht në moshat mbi 60-vjeç.
Rreth 15 për qind e pacientëve janë nën 45-vjeç.
Njihen raste të sëmundjes edhe në moshat e reja.
80 për qind e pacientëve që nuk përmirësohen me ilaçe nuk mbijetojnë më shumë se një javë.
Pacientët që arrijnë të mbijetojnë dhe të përmirësohen brenda 48 orëve, kanë shanse të mira për jetesë.
Pse preken më shumë gratë
Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme te gratë janë: pilulat kontraceptive, pirja e duhanit, mbipesha dhe migrena. Nëse këto katër faktorë do të puqeshin sëbashku, rreziku për një hemorragji cerebrale do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës. Gjatë jetës, një në pesë gra dhe një në gjashtë burra, mund të preken nga kjo sëmundje.
gazetadita.al


Leave a Reply