
Problemet sociale në vend apo situatat e nxehta politike në vend nuk kalojë edhe pa reagimet e artistëve. Aktori Julian Deda është një ndër më aktivët në rrjetet sociale i cili reagon ndaj gjërave që siç shprehet ai i shqetëson të gjithëve.
Në një intervistë për NOA.al, Julian Deda tregon se nuk heziton të japë mendimin e tij publikisht për çdo situatë shqetësuese. “Këtë nuk e bëj si artist por si Juli” shprehet ai.
Në këtë intervistë për NOA.al, aktori i njohur i humorit rrëfen edhe për projektet e afërta.
Intervistoi: Klodiana Kotorri
Juli si kaloi kjo verë për ju?
Këtë verë pata pushime të gjata nga puna. U përpoqa ta organizoja ndryshe këtë verë, për të mos bërë atë që bëja çdo vit. Bëra një tur në vendin tonë. Përveç bukurive natyrore lë për të dëshiruar shërbimi, rrugët etj. Kemi një vend të bukur, por të pakuruar, nuk është treguar vëmendja e duhur. Natyrisht Shqipëria ofron gjithçka për turistët, nuk u bëra pishman për këto pushime.
Çfarë e pret Julin këtë vjeshtë?
Së shpejti më pret Apartamenti 2XL. Kësaj here kemi menduar të ndryshojmë formatin duke shtuar një “Lagje 2XL”. Veç kësaj kam në pikëpyetje disa projekte teatrore ose në kinematografi. Por meqë jetoj në një vend që bëhet sipas kuvendit mungojnë fondet, ndërsa kur nis “Apartamenti 2XL” kohën e kam më të kufizuar.
Sa vështirë është t’i bësh njerëzit të qeshin në këtë kohë?
Në fakt e vështire është. Por ma do mendja që njerëzit, pikërisht në këtë kohë duan vetëm të qeshin. E rëndësishme është që ata të qeshin shëndetshëm. Dhe kjo arrihet nëse nga ana jonë punohet me seriozitet.
Veten tënde si e bën për të qeshur, kur jeni i mërzitur?
Unë veten nuk e bej asnjëherë për të qeshur. Shyqyr nuk e kam arritur akoma atë fazë. Por kjo nuk do të thotë që nuk qesh. Qesh madje shumë. Por sigurisht profesioni më detyron të jem më shumë vigjilent sesa spektator.
10 vite në shërbim të publikut për ta bërë të qeshë, sa ju ka lodhur kjo punë?
Akoma nuk më ka lodhur. E si mund të lodhe duke i dhënë kënaqësi njerëzve. Kjo është puna më e bukur në botë.
E keni gjë “pishman” që jeni artist në Shqipëri?
Nuk jam pishman për diçka që nuk e vendosa vetë. Por po ta marr me punën që kam dhënë dhe kënaqësinë që kam marrë nga publiku jam i lumtur. E mira nuk ka fund, ne shohim televizor dhe nuk ndihemi mirë që në një vend tjetër kjo punë vlerësohet më shumë. Shqipëria është një vend që ka varfëri dhe ndoshta arti është i fundit i kavallit.
Por ndoshta nuk duhet të ishte kështu. Nuk ka investime që tek filmi tek teatri. Ne do luftojmë dhe shpresoj që do të vijë dita kur të mbrojnë problemet dhe të merren me ne.
Si artist, sa indiferent jeni ndaj problemeve sociale dhe politike në vend?
Mendoj se nuk jam fare indiferent. Reagoj aty ku kam në dorë të reagoj si në rrjete sociale, intervista apo biseda mes miqsh. Mendoj se ka ardhur një moment në Shqipëri që nuk të kritikon njeri për fjalën e lirë. Unë atë që mendoj e them. Skena nuk ka lidhje me mendimet personale.
Çfarë konkretisht ju shqetëson nga situata aktuale qoftë edhe politike?
I ndjek lajmet dhe ecurinë për aq sa kuptoj unë. Mua më shqetëson më shumë se merremi me thelbin më pak sesa me fasadën. Nuk mund të merremi me një fytyrë të shëmtuar që është e lyer me ton dhe të themi sa e bukur është. Si natyrë me energji pozitive, jam i karakterizuar me optimizëm dhe nuk hyj tek njerëzit që thonë se ky vend nuk behet. Shoh shpresë…
A mendoni se duke përdorur artin në humor, ku prekni tema të ndryshme sociale e politike, ndërgjegjësoni ata që kanë në dorë fatin e vendit?
Humori që ne bëjmë ka disa qëllime dy nga kryesoret janë të argëtojmë publikun dhe tjetra të jepet mesazhi i qartë me anë të cilat të sensibilizohet ky publik dhe bashkë me ta edhe ata që kanë fatin e vendit në dorë sepse i konsideroj publik. Por fatkeqësisht jetojmë në një vend që këta tipa që na e paskan fatin në dorë nuk na marrin seriozisht ne dhe kjo është për të ardhur keq. Në botë aktorët e humorit merren shumë seriozisht sepse e shohin problemin në thelb. Kjo është detyra e një komiku. Si rrjedhojë nuk shoh mund të ndryshojë veçse të bëjmë humor duke thënë fjalën e lirë.
Me humorin tuaj në 10 vite eksperiencë, keni pasur reagime nga politikanë?
Asnjëherë. Përkundrazi me politikanët kemi pasur marrëdhënie të mira dhe ata kanë reaguar shumë mirë ndaj çdo humori që është bërë në adresë të tyre.
Pastaj pse duhet të reagojnë keq. Ata nuk janë ndryshe nga njerëzit e tjerë. Ata duhet të jenë të lumtur që bëjmë humor me ta.
Ku frymëzoheni për të bërë humor?
Ne frymëzimin tonë e marrim gjithandej. mbledhim informacione dhe lind shkëndija.
Cila është marrëdhënia artistike me babain tuaj?
Marrëdhënia është si çdo prind me fëmijën e tij, pastaj lë të hyjmë në marrëdhënien si artist. Fakti që isha djali i tij ka ndikuar tek unë indirekt apo direkt që unë të brumosesha në këtë fushë. është një person që rrezaton energji pozitive dhe unë marrë prej tij energji pozitive. Ai ka edhe vërejtjet e tij për punën time por përpiqem ta dëgjoj respektoj. është spektatori para të cilit kam më shumë emocion.
A ju bën të pasur puna që bëni?
Ne që kemi pasur lidhje me televizionin kemi pasur më shumë fat sesa ata që merren me teatrin. Është një punë që të krijon kushte të jetosh normal por të pasur nuk të bën. I pasur këtu bëhesh të jesh hajdut. Ne nuk vjedhim, por bëjmë humor.
Kohët e fundit keni qenë aktiv në rrjetet sociale me statuse të ashpra në lidhje me situatën aktuale në vend. Pse?
Unë reagoj, nuk e kam problem. Kam reaguar për gjëra që i shqetëson të gjithë. Kam reaguar për vjedhjen e bankës ndaj një opozite që nuk flet por pajtohet me kundërshtimin që i bëhet opinionit publik. Kam reaguar ndaj plazheve pa shërbim dhe çmimit strastosferik. Kam reaguar ndaj kërkesave për pedofili në ketë vend që për mua janë shkatërrim psiko-social, ndaj një qeveria që nuk merr masa për këto. Kam reaguar ndaj reklamave që bën qeveria nëpër banderola i reklamon sikur të jenë banane, që në fakt është puna për të cilën paguhen, etj etj. Pra siç e shohim kam reaguar ndaj gjërave që i shqetëson të gjithëve dhe këtë e bëj si Juli dhe jo si artist. E di që reagimet e mia nuk do të ndryshojnë asgjë, por unë do t’i them… /noa.al/


Leave a Reply