Ndotja, rrezatimet, kequshqyerja apo stresi ndikojnë në shtimin e sëmundjes
Numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit është rritur ndjeshëm, duke arritur në 900 raste në një vit, pa llogaritur këtu edhe ato gra që ende nuk janë diagnostikuar.
Shkaqet
Mjekët thonë se shkaqet janë të ndryshme por më ndikues është ndryshimi i stilit të jetesës; rrezatimet e ndryshme; kequshqyerja, ndotja e mjedisit apo stresi, që të gjitha së bashku ndikojnë në shtimin e tumoreve të gjirit. Kjo sëmundje po rritet nga viti në vit, ndërsa 75 për qind e femrave i drejtohen mjekut në stadin e fundit, kur edhe vdekja është e pashmangshme. Këtë vit, në klinikat publike ka pasur rreth 500 raste të reja me kancer të gjirit, nga 400 të tilla sa ç’ka pasur vitin që shkoi. Ndërsa duke u shtuar këtu edhe statistikat nga klinikat private, numri i grave me tumore të tilla shkon në 900 raste të reja vetëm për këtë vit.
Diagnostikimi
“Ndonëse femrat shqiptare janë duke u informuar rreth mundësive që ofron sistemi shëndetësor për diagnostikimin e hershëm, sidomos me mamografinë, shumica dërmuese e kancerëve të gjirit në Shqipëri diagnostikohen ende në stadet e avancuara. Ende në 75 përqind e kancereve të gjirit, diagnostikohen në stadin e fundit”, tha dje Vangjel Tavo, Ministër i Shëndetësisë, gjatë një takimi me përfaqësues të ISHP për trajnimin e mjekëve dhe sensibilizimin e popullatës mbi kontrollin ndaj kancerit. “Nuk është krejtësisht e qartë pse ndodh kanceri i gjirit për një sërë arsyesh të lidhura me shëndetin riprodhues, ushqyerjen, obezitetin, të lidhur me rrezatimet. Pak mund të bëjmë për momentin me ndryshimin e stilit të jetesës dhe kontrollin e tij. E rëndësishme është të fuqizojmë kapjen e hershme”, tha Alban Ylli, Ekspert në ISHP.
Trajnimi i mjekëve
Prej kohësh specialistët e onkologjikut kanë ngritur zërin që në rrethe është e pamundur të diagnostikohen tumoret, pasi përdoruesit e aparaturave diagnostikuese nuk janë të trajnuar. Kjo është dhe një arsye më shumë që bën që rastet të mos diagnostikohen në kohë. Ndaj sipas Yllit ka nisur një fushatë trajnimi me mjekët e parësorit dhe në çdo rreth së shpejti do të ketë persona të kualifikuar.
Aparaturat
“Në Shqipëri është investuar në drejtim të teknologjisë, ka më shumë mamografi në shumë rrethe të vendit. Ajo çka mendojmë ne se mund të bëhet tashmë dhe që kemi filluar të punojmë, është trajnimi i mjekëve të familjes, rritja e kapaciteteve në kujdesin parësor të Shqipërisë për ekzaminimin klinik të gjirit, në mënyrë që gratë të kenë mundësi tashmë në rrethe të ndryshme të vendit të takojnë një profesionist, të kontrollojnë gjirin e tyre”, tha Ylli.
Mamografia
Mjekët onkologë këshillojnë që duke nisur nga mosha 20 vjeç çdo grua duhet të kryejë të paktën njëherë në vit ekzaminim të gjirit për të parandaluar kancerin. Ndërsa gratë mbi 50 vjeç duhet ti nënshtrohen mamografisë çdo dy vjet. Mamografia nuk këshillohet para kësaj moshe.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk “Shkodrani


Leave a Reply