![]()
Në Shkup sot u përkujtua 17 vjetori i ndarjes nga jeta të humanistes dhe nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze.
Me një ceremoni simbolike përkujtimi zyrtarë të lartë qeveritarë të udhëhequr nga nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Aliti nderuan jetën dhe veprën e Nënë Terezes, duke vendosur lule tek pllaka e shtëpisë së lindjes së nobelistes shqiptare.
“Ne sot shënojmë 17 vjetorin e ndarjes nga jeta të nobelistes dhe humanistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Terezë. Është nder për ne që Nëna Terezë na nderoi në tërë botën duke treguar kujdes për njerëzit në nevojë. Ne si shqiptar mburemi që Gonxhe Bojaxhiu është shqiptare nga Shkupi që sot i takon të gjithë botës. Pavarësisht tendencave për të fshehur përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës, e gjithë bota e di se cilit komunitet i përket Gonxhe Bojaxhiu. Nënë Tereza vetë është prononcuar se cilit komunitet i takon, kështu që botërisht dihet se ajo është shqiptare. Por, mbi të gjitha ka qenë nënë e gjithë botës, nënë e të gjithë skamnorëve në botë dhe për ne është një nder i madh që të vendosim lule dhe ta përkujtojmë”, deklaroi nënkryetari Rafiz Aliti.
Në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi, ministri i Ambientit Nurhan Izairi, ministri i Vetqeverisjës Lokale, Lirim Shabani, deputeti Artan Grubi, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha dhe sekretari shtetëror Ejup Alimi, bashkë me përfaqësues të jetës kulturore shqiptare në Maqedoni. (INA)


Leave a Reply