Moldavia pason një prirje rajonale të vendeve që përpiqen të pajtohen me të kaluarën e trazuar komuniste, por Partia Komuniste pretendon se ndalimi i simboleve të saj është një sulm ndaj opozitës kryesore politike.
Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht — 16/10/12
Ish-presidenti Vladimir Voronin kryeson Partinë Komuniste në Moldavi. [Reuters]
Një ndalim i simboleve komuniste në Moldavi hyri në fuqi në 1 tetor, duke ngritur kundërshtime nga opozita kryesore, Partia Komuniste, pasi mbrojtësit thonë se kufizimi është i detyrueshëm në qoftë se vendi do që të mbyllë një kapitull të historisë së vet të trazuar dhe të shikojë përpara drejt vlerave demokratike.
Vendimi është pjesë e një ligji më të gjerë kaluar në mes të korrikut nga parlamenti moldav, që mbizotërohet nga Aleanca për Integrimin Evropian, një koalicion pro-perëndimor kryesuar nga kryeministri Vlad Filat, për të dënuar regjimin totalitar komunist të së kaluarës.
Partia Komuniste, që kishte 42 vende në parlamentin prej 101 vetë dhe mban draprin e çekanin si simbol të partisë, tha se nuk do t’i heqë simbolet e veta. Në qoftë se një parti nuk zbaton ligjin e ri ajo mund të nxirrej jashtë ligjit, ndërsa organizatat që përdorin simbolet mund të gjobiten.
Partia Komuniste kryesuar nga Vladimir Voronin, tha se mund t’a shpinte ligjin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Mbrojtësit e ligjit thonë se u miratua në kujtim të atyre që vuajtën gjatë rendit diktatorial sovjetik që përfundoi në 1991. Moldavia, e cila ishte më parë pjesë e Rumanisë së Madhe, iu dha Bashkimit Sovjetik në 1940 si pjesë e një marrëveshjeje mos-sulmimi midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik.
“Ligji dënon krimet e rregjimit komunist, simbol i të cilit ishte drapri e çekani,” i tha SETimesMiihai Ghimpu, një anëtar themelues i Aleancës për Integrimin Evropian dhe ish-president i përkohshëm.
“Komunizmi u soll këtu nga bajonetat dhe tanket dhe ndezi një tragjedi kombëtare midis rumunëve, qindra mijëra prej të cilëve u dëbuan në Siberi dhe u asgjësuan. Kjo është pse ligj është para së gjithash një detyrim i yni moral,” i tha aiSETimes.
Por Ghimpu tha gjithashtu se ligji mund të ndikojë gjithashtu në mbështetjen zgjedhore për komunistët.
“Ne presim pasoja të rëndësishme zgjedhore sepse shumica e elektoratit komunist përbëhet nga njerëz të vjetër nostalgjikë për të shkuarën dhe që zakonisht votojnë të udhëzuar nga simboli sesa nga emri i partisë,” tha ai.
Ndryshe nga vendet e tjera pas-sovjetike, Partia Komuniste ka mbetur e fortë në Moldavi, duke qeverisur për shumicën e periudhës pas-sovjetike deri në zgjedhjet e debatuara në prill 2009 që rezultuan në formimin e koalicionit pro-perëndimor në qeveri.
“Kjo është me të vërtetë një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Partisë Komuniste dhe synon në eliminimin e saj dhe nxjerrjen nga loja të një konkurrenti serioz,” i tha SETimesVladimir Turkan, kreu i Partisë majtiste Moldavia e Bashkuar dhe ish-deputet komunist dhe ambasador në Rusi. “Por mendoj se kjo nuk është një përparësi për Moldavinë këto ditë. Pse të dënosh të kaluarën në vend që të shohësh për të tashmen?”
Ndalimi shtyu gjithashtu zemërimin e Rusisë, që e quajti masën të pabesë dhe qesharake.
Por disa e përshëndetën vendimin.
“Nuk mund të kujdesemi për të tashmen dhe të ndërtojmë të ardhmen në qoftë se shpërfillim të kaluarën,” i tha SETimesAndrei Istratie, një mësues moldav 37 vjeç nga qyteti i Jashit . “Nuk mund të bëjmë sikur asnjë dëm nuk na është bërë në emër të simbolit komunist. Nuk mund t’a fshehim këtë nga brezat e ardhshëm sepse ky do të jetë një akt frikacaku . Pse vendet e tjera e dënuan komunizmin atëherë?”
Vendi i parë që e bëri këtë ishte Republika Çeke në 1993. Në janar 2006, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi Rezolutën 1481 që dënonte dhe u bënte thirrje gjithë partive komuniste në Evropë të dënonin krimet e kryera nga rregjimet totalitare komuniste në të kaluarën.
Rumania zyrtarisht e dënoi diktaturën komuniste në dhjetor 2006, ndërsa parlamenti i Ukrainës miratoi një projekt-ligj që denoncoi urinë e nxitur sovjetike në vitet 1930 si një akt genocidi. Këtë janar, parlamenti bullgar gjithashtu dënoi asimilimin e detyruar të pakicës etnike turke në vitet 1980 nga rregjimi komunist i Teodor Zhivkovit, i rrëzuar në 1989.
Gjithashtu në 2010, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Letonia, Lituania e Republika Çeke i kërkuan Komisionit Evropian t’a bënte një krim mohimin e krimeve komuniste, por Brukseli e kundërshtoi kërkesën.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply