Orgnizatata anembanë rajonit bashkojnë forcat për të nxitur pjesëmarrjen e femrave në punët e sigurisë, vendim-marrjes.
Nga Biljana Lajmanovska për Southeast European Times në Shkup — 16/10/12
Punët e ushtrisë e policisë tipikisht në Ballkan janë mbajtur nga burrat por disa grupe në rajon po shtyjnë pjesëmarrjen e grave në strukturat e sigurisë. [Reuters]
Mes katër kadetëve në brezin e parë të Qendrës së Trajnimit të Pilotëve në Shkup, është një grua. Iva Matiç ndjek ëndrrën e vet që të bëhet pjesë e forcës së armatosur ajrore.
“Kam qenë kurdoherë e interesuar në helikopterët dhe aeroplanët,” tha Matiç. “Kam qenë kurdoherë e interesuar në këtë punë shumë fisnike e që të ndez adrenalinën, sepse ndihmojmë njerëzit dhe marrim pjesë në mbrojtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon.”
Nëpër Ballkan, punët e ushtrisë dhe të policisë janë konsideruar tipikisht profesione mashkullore. Përqindja e grave që punojnë në sektorin e sigurisë në vendet e Ballkanit është i ulët dhe pak femra përparojnë në pozicione me përgjegjësi të lartë, sipas studimit nga OJQ-të.
“Numri i grave që punojnë në polici dhe ushtri në këto vende shkon nga rreth 5 deri në 7 përqind,” i tha SETimesGorana Ordanoviç, nga Qendra e Beogradit për Politikën e Sigurisë. “Shifrat janë edhe më të ulëta për ushtrinë. Në Serbi, për shembull, ka pak më tepër se 2 përqind të grave me uniformë, domethënë gra ushtare e oficere.”
Qendra për Politikën e Sigurisë nisi një projekt në shtator me katër organizata të tjera: Qendra për Kërkimin dhe Politikë-bërjen nga Maqedonia, Instituti për Demokracinë dhe Ndërmjetësimin nga Shqipëria, OJQ-ja Gratë te Gratë nga Bosnjë dhe Hercegovina dhe Qendra për Politikat e Sigurisë nga Kosova, për të rritur vetëdijesimin publik të nevojës për të përfshirë femra në vendimet kyçe të sigurisë.
Grupet do të përpilojnë një raport duke detajuar problemet e futjes së prirjes gjinore në sektorin e sigurisë në këto pesë vende, si dhe problemet në ngritjen e bashkëpunimit më të ngushtë midis profesionistëve të sigurisë dhe vendim-marrësve në rajon.
“Shumë pak gra punojnë në pozitat më të larta në sektorin e sigurisë dhe kanë pak apo aspak ndikim në vendimet lidhur me sigurinë,” tha Ordanoviç. “Prandaj është e nevojshme që ata që janë të ngarkuar për dhënien e sigurisë dhe parandalimin e dhunës të bëhen të vetëdijshëm sesi shqetësimet e sigurisë të grave ndryshojnë nga ato të burrave dhe se zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon një metodë të ndryshme ndaj sigurisë.”
Numri i grave që aplikojnë për Akademinë Ushtarake të Serbisë është rritur. 56 gra aplikuan për 30 vende në 2007, viti i parë që akademia pranoi gra. Në vitin akademik 2011-2012, aplikuan 326 gra për 34 vende, ndërsa 990 burra aplikuan për 136 vende.
Pjesëmarrja e grave në pozitat e rangut të lartë të sigurisë është konsideruar ende si një tabu në Ballkan. Por ka përjashtime, të tilla si Ministrja e Brendshme maqedonase Gordana Jankulovska dhe Ministrja e Mbrojtjes e Malit të Zi Milica Pejanoviç-Gjurishiç.
Gratë ndeshin stereotipe dhe paragjykime, por në qoftë se ia dalin në pozita të shquara, ato mund të punojnë aq mirë apo më mirë se kolegët meshkuj, tha Ilinka Mitreva, ish-zëvendës ministre e jashtme e Maqedonisë.
“Kur pyetem për aftësitë e grave, shpesh citoj Xhek Nikolsonin. Ai tha, ‘Gratë janë më të forta se ne, më të mençura se ne e nuk luajnë ndershëm.’ Mendoj se këto janë specifikime që tregojnë se një grua mund të jetë e suksesshme edhe në pozitat më të larta të shtetit,” tha duke qeshur Mitreva.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply