Përmendja e integritetit territorial të Kosovës në dokumentet e Komisionit Evropian ka provokuar reagime të forta nga zyrtarët serbë dhe analistët paralajmërojnë se rruga e Beogradit për në BE mund të ngadalësohet.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd — 16/10/12
KE po i kërkon Beogradit të “respektojë integritetin territorial të Kosovës.” [Reuters]
Marsin që kaloi, Serbisë iu dha statusi i kandidatit dhe pritej të merrte një datë për të filluar bisedimet e anëtarësimit prej atëhere. Por duke gjykuar nga raporti i fundit i përparimit dhe strategjia e zgjerimit të Komisionit Evropian, Beogradi është më larg nga kjo datë sesa ishte me parë.
Në të njëjtën kohë, pasiguria e integrimit evropian dhe mosmarrëveshjet me BE lidhur me Kosovën kanë rezultuar në rënien në një rekord të ri të ulët të mbështetjes së shtetasve për anëtarësimin në BE.
Strategjia e zgjerimit të KE parashikon për përmirësime të dukshme e të qëndrueshme në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ky proces duhet të rezultojë gradualisht në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës me të ardhmen e të dyjave për të qenë në gjendje të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe përgjegjësitë brenda BE. Trajtimi i problemeve në Kosovën e veriut, ndërsa respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe nevojat e posatçme të popullsisë vendase, do të jetë një element thelbësor i këtij procesi,” përfundoi KE.
Formulimi lidhur me integritetin territorial të Kosovës ka mërzitur zyrtarët e Beogradit.
“Në vend që të ndihmojë nisjen e dialogut (me Prishtinën), kjo mund t’a mbyllë atë. Ndoshta do të ishte më e ndershme t’i kërkohet Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës sesa të pranojë integritetin e vendit,” tha Kryeministri Ivica Daçiç.
Trazira në Beograd nuk u qetësua nga Komisionari i Zgjerimit i BE-së Stefan Fyle që gjatë një vizite në Serbi tha se përmendja e integritetit territorial të Kosovës nuk kishte asgjë të bënte me statusin e saj; kjo vetëm do të thoshte se BE nuk do që Kosova të ndahet, tha ai.
Megjithatë, Presidenti Tomisllav Nikoliç kërkoi një ndryshim të kësaj fraze në dokumentin e Komisionit dhe për të dhënë një përcaktim më të qartë që të tregonte se çështja në diskutim është pandashmëria e territorit të Kosovës.
“Në këtë mënyrë BE do të provojë përkushtimin e saj ndaj statusit të neutralitetit të Kosovës e Metohisë,” por gjithashtu se do që Serbia të bashkohet me të, tha Nikoliç në një takim me Fyle. Megjithatë, komisioneri tha se nuk do të kishte ndryshim në frazë.
Predrag Simiç, ish-ambasadori serb në Francë tha se Serbia po ndeshej tani me çështjen sesi të vazhdojë me integrimin evropian.
“Sot Serbia është më larg nga BE sesa ishte një vit më parë,” i tha ai SETimes.
Vladimir Radomiroviç nga Qendra për Alternativat Strategjike tha se dokumentet e KE vetëm konfirmojnë çfarë ndodhi tashmë në 2008 kur 22 nga 27 vende anëtare të BE e njohën Kosovën.
“Tani Komisioni Evropian ka pranuar gjithashtu Kosovën si një shtet të pavarur, që është e ilustruar më mirë nga studimi i realizueshmërisë dhe njoftimet e zyrtarëve të BE që Kosova do të nënshkruajë një Marrëveshje Stabilizimi dhe Shoqërizimi (SAA),” tha Radomiroviç në një deklaratë për SETimes.
Jan Bankroft i organizatës TransConflict tha se qeveria serbe duhet të synojë t’i shmanget ndeshjes me zgjedhjen “ose Kosovën ose BE.”
Qeveria serbe “do të vazhdojë të këmbëngulë në statusin absolut të neutralitetit, prandaj është reagimi i mprehtë ndaj përmendjes së integritetit territorial të Kosovës. Nuk është vetëm Serbia që do t’i duhet të gjejë mënyra realiste përpara në marrëdhëniet me Kosovën, por BE gjithashtu: për shembull mbi vizat dhe një SAA, bazuar në dallimet që ekzistojnë brenda Bashkimit,” i tha Bankroft SETimes.
Ndërkohë, sipas një sondazhi të kryer nga TNS Media Gallup, mbështetja për pranimin e Serbisë në BE ra nga 49 përqind në gusht në 42 përqind muajin e shkuar.
Radomiroviç thotë se mbështetja e shtetasve për BE ka të ngjarë të bjerë më tej për shkak të problemeve me Kosovën, pasigurisë së pranimit dhe mundësisë për të rivendosur rregjimin e vizave.
“Mendoj se kjo qeveri pikë së pari nuk llogariti mbështetjen e madhe nga shtetasit për integrimin në BE, kështu që politika e saj nuk do të ndryshojë. Objektivi mbetet hapja e bisedimeve të anëtarësimit, por nuk jam i sigurtë se qeveria do të nxitojë t’a arrijë atë,” tha Radomiroviç.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply