
Të përpiqemi që valixhen ta kemi sa më të lehtë….se deri në njëfarë peshe lejohet , pjesa tjetër paguhet.
U nisa drejt një rruge ku askush të mos më njihte. Me vete terhiqja një valixhe të mbushur plot e përplot me kujtime. Sa të rënda ishin, dukej sikur tërhiqja pas vetes një botë të tërë mbi dy rrota në një rrugë me kalldrëm. Thash me vete: Dreqi ta hajë, por pse kaq shumë rëndokan kujtimet?
E pamundur të vazhdoja më tej rrugën, u ula përtokë dhe vendosa ta hapja valixhen dhe të lija disa kujtime që këtë peshë të rëndë mos e tërhiqja zvarrë nëpër botë.Mendoja se do të ishte e lehtë të braktisje pjesëza nga jeta që sadopak do të më lehtësonin peshën e mbajtur mbi kurriz. Tentova të hap valixhen, por përpjekja e parë më iku kot. Kisha harruar se për të hapur diçka ishte patjetër e nevojshme të kishe çelsin e duhur të saj. Ku ta gjeja unë atë çelës, kushedi se ku ka përfunduar meqënëse kjo valixhe kishte shumë kohë pa u hapur, vetvetiu ishte harruar a kishte humbur dhe çelsi. Këtë çelës që dikur e pata hedhur diku si diçka të pavlerë, pa menduar se një ditë do të duhej patjetër për të hapur valixhen e kujtimeve dhe të shkarkoja disa prej tyre. Kur e kam humbur do kem kujtuar se nuk ka gjë, le të ketë humbur sepse nuk ishte ndonjë gjë me rëndësi të madhe, se nuk do më hynte në punë ndonjëherë në jetën time të buzëqeshur. Por ja që kisha gabuar sepse njeriu nuk mbart vetëm momente të bukura por dhe moment që do të donte të mos i kishin ndodhur asnjeherë, çaste të cilat mund të ndryshonin rrjedhën e gjithë jetës.
E preka kyçin e ndryshkur , e ndryshkur si kjo botë ku jetojmë. Kohët kishin kaluar, plagët ishin ende të freskëta ndërsa ky kyç kishtë zënë disa shtresa ndryshku që nuk më linte të depërtoja në kujtime. Më mirë do të kish qënë sikur zemra të ishte ndryshkur, të mos ndjente asnjë lloj dhimbje dhe askush mos depërtonte brenda saj.
U inatosa, duhet ta hapja patjetër se shumë më rëndonte. E mora valixhen e përplasa përtoke, në rrugë në gur e me gur i rashë. Nuk po prishej kjo valixhe në dukje e vjetër por e përbërë prej një materiali të padepërtueshëm… Do ta hedh në lumë valixhen mendova, jo jo do ta braktis në mes të pyllit ku ta shqyejnë egërsirat. Jo, më mirë ta hedh në greminë që të mos mbetet asnjë cifël, ose ose ta hedh në mes të detit sepse aq e rëndë sa ishte ajo do të përfundonte në fund dhe do të zinte vend mirë, dhe kështu s’do kishte mundësi të dilte përsëri, të rikthehej në breg të detit dhe ta gjeja përsëri. Kështu do veproj, e vendosa.
Diçka ma ktheu mbrapsht këtë vendim, nëse do të hidhja gjithë valixhen me kujtime për t’ia humbur gjurmët do të ngelesha pa kujtime, nuk e doja këtë gjë. Doja ti merrja me vete disa, ato më të bukurat , më të rëndësishmet, më mbresëlënëset… fëmijërinë e desha si paketë të plotë kujtimesh sepse atje gjeja vetëm lumturi të vërtetë, buzëqeshje të sinqertë, përqafime të ngrohta, argëtim pa fund, miqësi pa intriga, përkëdhelje dhe dashuri. Do ti merrja dhe disa pika loti fëmijërie për të qarë atë kohë të magjishme që nuk do të më kthehej kurrë më. Dikur qaja sepse rrëzohesha nga biçikleta dhe gjakosja gjunjët ndërsa tani sa do doja që kjo të ishte arsyeja e lotëve të derdhur, gjunjët e gjakosur dhembin me pak se një shpirt i vrarë.
Bërtisja, e përplasja me inat, e tërhiqja zvarrë por valixheja ishte e vendosur të rezistonte më shumë se sa unë. Me diellin përvëlues mbi kokë ishte e pamundur të vazhdoja, ai më nënshtroi, më bëri ti përulem, gjë që se kisha bërë ndonjëherë, para asgjëje dhe askujt në jetën time. I lodhur, i rraskapitur, ku forca me kishte tradhëtuar, u shtriva mbi valixhe me shpresën që nëse unë nuk i rezistoja dot diellit, të ruaja të paktën të freskëta kujtimet. Ashtu përmbys siç ndodhesha ndjeva dicka të zakontë, dicka më rrëshqiti mbi faqe. Fillova të djersitem, mendova, dielli filloi të më shkrijë me dhëmbët e tij të mprehtë dhe unë isha i vendosur të mos i kunderpërgjigjesha torturave të tij. Nuk lëviza aspak, nëse dielli donte të më përvëlonte, le ta bënte, tashmë nuk kisha diçka për të cilën ja vlente te jetoja. Një pikë rrëshqiti poshtë faqes dhe përfundoi tek çelësi i ndryshkur, diçka vezulloi dhe ai kyç i ndryshkur deri para pak çastesh tani u copëtua si me magji. Një ndjenjë u rikthye e më pushtoi trupin, Shpresë! Kjo ndjenjë e humbur kushedi se ku, tani më fali gëzimin më të madh.
Nuk kishte qenë dielli ai që kishte shkaktuar këtë dukuri, nuk kishin qenë as pikat e djersës që rridhnin mbi fytyrë, kishte qenë nje pikë e vetme loti i nxitur nga dëshira për të mbijetuar, për ta takuar të shkuarën që do t’i hapte rrugë drejt së ardhmes, sepse e tashmja e dija që kishte humbur sensin.
Ngrita trupin nga valixheja, preka fytyrën, lotët po rridhnin ende, sa më gëzoi ky fakt, unë mundesha të qaja tani, sepse këtë veti e kisha humbur qysh në kohën e gjunjëve të gjakosura të fëmijërisë. Nje kohë e gjatë pa më lagur loti fytyrën, dhe syri shum kohë nuk funksiononte si burim. Gjithmonë kisha menduar se qajnë vetëm të dobëtit por ja që s’qenka ashtu, qenka e nevojshme për të nxjerrë nga trupi atë helm të mbjell nga vreri i botës… “loti të lehtësoka” thashë. Kisha kujtuar se nuk ia vlente që qaja për askënd, askush nuk do të provokonte tek unë ato pika të cuditshme që rrithnin nën sy. Por para vetes dhe kujtimeve isha treguar i dobët. Kujtimet të thyejnë, epo ndoshta një ditë duhet të përballesha me to dhe të bëja zgjedhjen, dhe ky kishte qenë pikërisht ky moment.
Me duar që me dridheshin, më shumë nga emocioni për të takuar atë pjesë që dikur e kisha kyçur aty pa mëshirë, pluhuri i kishte mbuluar, i mora në duar dhe i përqafova. “Sa më kishit munguar!” , u thashë. I përqafova të gjitha, dhe kujtimet e hidhura sepse ato ishin të miat, pjesë e veprave te mia, pronë e imja dhe s’mund t’i lija mënjanë kurrësesi. Kishin qenë këto kujtime të hidhura që më kishin dhënë fuqi për të mos u ndalur.
Fillova ti shfletoj me njëren dorë dhe me tjetren fshija pluhurin që i kishte rënë faqeve të kujtesës, në dorë më mbeti një pluhur i çuditshem që të jepte pershtypjen e një shenje te vrarë në trup.
Ja fëmijëria , o Zot sa mall që kisha, sa do doja të kthehesha atje. Jo , joo nuk do kthehem, më mirë të marrë prej saj një copëz sinqeritet, se do të ishte pasuri e madhe në të ardhme. Ktheva faqet, fshiva pluhurin përsëri, ja adoleshenca, ja miqtë, shokët, mësuesit, dashuritë e para, rebelimi që na shoqëronte… Shfletoj faqen tjetër… dhimbje, intriga, xhelozi, përbuzje… sa vese të shpifura njerëzore. Doja t’i kaloja ato faqe me shpejtësi, nuk doja të përballesha sërish, kisha vendosur t’i lija atje në humnerë. S’mundesha, sepse ishin të miat dhe s’mund t’i strukja dhe t’i fshihja. Mendova, po pse njeriu u dashka të marrë vendime në një kohë që dija që është e pakët, ndërsa guximi i tepruar. Por këto janë rregullat e jetës, dhe s’mund të dal jashtë kornizave.
Shfletoj me tej, “kjo faqe s’paska pluhur” , thashë i habitur, vështrova plot kureshtje. Atëherë e kuptova, zemra dhe dashuria nuk mund të humbasin nën pluhurin e harresës.Se besoja kur më thoshin që dashuria të bën t’i shohësh gjërat me një sy tjetër, dhe isha i lumtur që nuk e kisha humbur atë mundësi dhe e kisha shijuar si gjënë më të ëmbël që fal bota, por s’pati zgjatur shumë. Sikur ta merrja dhe ketë pjesë të jetës dhe kjo do ishte një thesar, do më ndihmoj për të ecur përpara. Futa në xhep ketë thesar bashkë me sinqeritetin e fëmijërisë.
Më tej faqet ishin furtunë, dukej gjithçka e errët, vlera njerëzore të humbura, lufta për mbijetesë mbante kurorën mbi kokë. Aty ku i dobëti shtypej me këmbë, dhe nëse nuk doje të shtypeshe, duhej patjetër të shtypje të tjerët.Qeniet njerëzore që nuk meritonin të quheshin të arsyeshëm, por specie që shumoheshin dita-ditës me qëllim eleminimin e njëri-tjetrin. Ai që arrin të triumfojë duhet të jetë pa ndjenja, mos njohë dashurinë, sinqeritetin dhe nëse kishe dhembshuri duhet ta kishe vetëm për veten, për askënd tjetër. Dhe kafshët kishin filluar të na shikonin çuditshëm si qenie që nuk meritojnë as të jetojnë por të varrosen diku larg në fund të planeteve se mund t’u ngjisje dhe atyre ndonjë virus të çmendurish.
Kërkova ta gris këtë faqe sepse mu duk shumë e shëmtuar por nuk munda, çdo gjë që shkruaj s’mund të fshihej kurrsesi, sado që ta shmangia, ajo do të ishte sërish aty ku e kishte vendin, në kujtimet e ndërgjegjes si një plagë që do vazhdonte të rrithte ende gjak. Për të shfajsuar veten thashë me zë të mekur: “Isha I detyruar të sillesha ashtu, nëse nuk do të kafshoja, do të me kafshonin.”
Ktheva faqen me shpejtësi sikur të kërkoja të fshihja një gabim që mos e shikonte ndokush. Sepse pikërisht për këto gjëra kisha vendosur të ndërrmerrja rrugën me këtë valixhe në dorë për në një kontinent a planet tjetër të panjohur ku të gjeja sadopak dashuri dhe mirëkuptim njerëzor.
Faqet me tej ishin të bardha… mezi arrita të lexoja sa fjalë në zbehtësi nga koha, dukej si një këshillë. “Je ti që e shkruan të ardhmen dhe ti ke qenë gjithmonë, shkruaje saktë, pa gabime sepse nuk ekziston nje solucion fshirës që mund të zhduki gabimet e tua, siç do të doje t’i fshije të gjitha ti sot… ” Dhe më tej fletë bosh.
I mbylla kujtimet dhe i lashë ashtu siç qenë, nuk do e boshoj, le të jetë e rëndë sa e gjithë bota, nuk mund t’i braktis këtu, sepse do më ndjekin nga pas. Gabimet e bëra do më shërbenin si mësim prandaj do i merrja me vete ngado. Dhe kështu bëra, i lashë aty të gjitha dhe mbylla valixhen. Tashmë kisha vërtet diçka që nuk ishte e imja. Pa dhimbje hoqa masken nga fytyra që më kishte shoqëruar për një kohë të gjatë. Ishte veshja më modern e stinës “jetë”. Njerëzit kishin filluar t’i bënin koleksion këto veshje që të bënin të dukeshe bukur në çdo kohë, në linja perfekte, pas trupit, plot shkëlqim dhe gjithmonë me një buzëqeshje që a thua vallë ishte e bastamosur.Sa ndryshe të bënte të dukeshe kjo lloj cipe… sikur ishe vet ti Zoti e askush tjetër.
Isha ngopur me këtë gënjeshtër që s’të lejonte të ishe vetvetja, prandaj e flaka në humnerën më të madhe bashkë me urrejtjen, që vend të mos kishin tek unë.
Djelli i kishte humbur fuqitë përvëluese, u çova nëkëmbë, fshiva ngadalë me duart e lodhura tymin që me kish mbuluar, u shkund gjithçka por pluhuri i harresës kishte vendosur të ngelej shenjë aty në duart e mia, më mirë kështu, të paktën këto shenja do të më kujtojnë nga kam ardhur, kush jam dhe çfarë kam qenë.
Tani më pret një rrugë e gjatë përpara për të shkruar fletët e bardha me shkronjat më të arta që ekzistojnë, sepse është e imja dhe unë ashtu si askush tjetër duhet tëkujdesem që të shkruhet me dinjitet.
Mblodha forcën, kapa valixhen tek dorëza dhe me gjithë forcën e mbetur e ngrita lart, nuk ishte më e rëndë, përkundrazi ngjante si një pupël që më ndiqte nga pas. U ndjeva i lehtësuar dhe e kuptova se një valixhe kujtimesh do e kemi gjithmon me vete… Nuk do ta kyç sërish atë sepse aty ndodhet vetë jeta dhe pluhuri s’do ketë vend më në kujtime.
U nisa bashkë me valixhen me trenin e shpejtë të jetës për në stacionin e fundit, në më të largëtin destinacion.


Leave a Reply