Njerëzit, në përgjithësi, mendojnë se çdo gjë rrotullohet rreth tyre, se bota është në funksion të tyre, duke sfiduar kështu më të pasfidueshmen. Krijuesin a Natyrën. Çdo gjë për të është personale; “vendi im”, “toka ime”, “shtëpia ime”, “makina ime” “posti im”, “qeveria ime” edhe pse ka borxhe për të paguar, pra për t’u shërbyer atyre dhe jo ato t’i shërbejnë atij. Keq-konceptime në dukje të vogla turbullojnë koka e kohëra. Ato qarkullojnë ngadalë, duhen breza njerëzish, kulturash, traditash para se të zenë vend si të mirëqena apo të shlyhen.
Fjalët u ngjajnë gjurmëve në dhe. Ato janë monumente. Çdo njëra, çdo shtresë e tyre përmban histori ose çelësin e saj. Duke studiuar fjalën, shkencëtarët jo rrallë arrijnë të zbulojnë të vërtetën e plotë të saj; cila ishte nevoja që u krijua dhe nëse u huazua, nga, kush e solli, përse njerëzit e përqafuan, si e përshtatën a iu përshtatën? – siç ndodh edhe sot. Fjalë e huazuar mund të quhet edhe ajo që merret nga një fushë përdorimi për të shprehur kuptimin në fusha të tjera brenda së njëjtës gjuhë, ndërsa njeriu zhvillohet.
Fjala, pra, është shumë-faqesh. Thuhet gjithashtu se sa më pak zanore a rrokje një fjalë aq me e lashtë është, me e lakueshme a më shumë forma përdorimi ka – veti këto edhe të natyrës së thjeshtë që mbizotëron.
Fjala ‘dhe”, “dheu’ duket se është shumë e lashtë. Fjala “tokë” ndoshta i përket një shtrese tjetër ose kohe kur për formimin ose huazimin e saj ndikoi tjetër kulturë.
Njeriu është egoist, i prirur drejt vetes. Kur i referohet vendit ai e quan “vend-lindje” ose “vendi im”, por kur do të shprehë ndjenja më të thella, idolike ose për të respektuar të parët e vet, i referohet si “atdhe” a “mëmëdhe” gjithmonë duke e ruajtur brenda rrethit të Unë-it. Kështu ndodh edhe me fjalën“patron” (nga i njëjti burim me “patria” – “atdhe”) që njeriu e përdor për të ushqyer egon e tij duke e shpallur veten “zot”, ndërsa thjesht duhet të jetë në shërbim të vendit a pronës së tij.
Konica e trajtoi pak këtë çështje kur shprehej:
“…të parët e shqiptarëve përdornin fjalën vënt për të thënë dhenë ku u lintmë, ku kemi prindërit edhe varret e stirprindëve, edhe ku flitet gjuha shqipe. Po me kohë, kur zuri të punohet shqipia, gjithë punëtorët e gjuhës kuptuan nevojën të kemi një fjalë, e cila të jetë shqip, si patria, patrie, vaterland, patris, vatan, etj….Se fjala vënt është e gjërë shumë e munt të meret vesh me shumë mënyra. U zgjuath, pra, fjala mëmëdhe, domethënë dheu ku u lint mëma….”
Por, vazhdon Konica:
“…fjala atdhe vete në gjithë shqipet. Pastaj, ka edhe një të mirë tjatër: është e shkurtë, e sa të na mundet, të bëjmë fjalë të shkurta, se i përkasin më mirë gjuhës sonë….”
Fjalët”atdhe” e “mëmëdhe” mund të mos jene ‘kalke’ të “patria, patrie, vaterland, vatan”, por si koncept ato mund t’a kenë prejardhjen nga koha kur mbarë “Toka” ishte një, e pandarë me kufij dhe njerëzimi mendonte a besonte se kishte vetëm një “At”.
Kalimi nga “vendlindje” në “atdhe” është instinktiv, i pa llogaritur dhe shpesh pa dallim midis të dyjave. E njëjta dukuri ndodh edhe në përdorimin e fjalëve “Zot”, “At” e “Perëndi”.
Ashtu si fjala “At” u veçua për përdorim të caktuar, fjala “Zot” doli fituese ndaj fjalës “Perëndi”, megjithëse kjo e fundit mendohet të jetë fjalë me e re më kohëshkurtër, sesa dy të parat; por të trija ato shprehin të njëjtin kuptim dhe shpesh përdoren paralelisht në tekste fetare, ashtu siç janë, pa theksuar gjininë, sepse Krijuesi dhe shumë gjëra përgjithësuese janë asnjanëse.
Sipas mitit të krijimit, Zoti mori një grusht dhe, e lagu me pështymë dhe i dha formën njeriut që e quajti Adam, “prej dheu” (Disa gjuhë e shpjegojnë fjalën ‘adam’ me ngjyrën e erret të dheut.)
Nisur nga kjo, edhe fjala “atdhe” a “mëmëdhe” merr një tjetër kuptim, jo si “dheu i atit” as “dheu i mëmës”, por “ati i dheut”. Edhe kuptimi i mirëfilltë i shprehjes “atdhe” mund të ketë qenë jo “vendi ku i ati lindi”, por “vendi që Ati u krijoi” – dhe kjo mund të ketë qenë e vërtete pasi njerëz vazhdojnë të jetojnë në të, por kështu edhe ndjenja e vlerës, ruajtjes dhe pasurimit të trashëgimisë së vendit sot do të merrte më kuptim.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply