Ti përditë e sheh botën tënde kah zvogëlohet,
ngushtohet aq e vogël derisa më nuk e zë lirinë tënde të madhe
për të cilën e ke ruajtur krejt vendin e botës tënde!
Ti i sheh dëshirat e t’ua kah shuhen
qëllimet e t’ua kah humben
Krejt bota ështe vetëm e jotja,
se botën tënde nuk e ndan me njeri
prandaj, për asgjë nuk ëndërron më
e nuk pret njeri të trokas në derën tënde
E sheh që të ka tepruar liria jote e madhe
që nuk të duhet më
Ti e sheh që je i lirë të bësh çfarë të duash
por asgjë nuk do më
S’di çfarë të bësh me lirinë tënde të madhe
Do ta kishe shitur lirinë tënde të madhe, por liria jote nuk ka vlerë për askend
Do ta kishe ndërruar për një liri më të vogël
Do ta kishe dhuruar lirinë tënde të madhe, por lirinë e madhe askush nuk e do, se liria e madhe është vetmia
Më mirë i robëruar nga dashuria e trilluar
sesa i humbur në lirinë e madhe
Liria është dëshira më e madhe, që sapo të plotësohet – shuhet
Ti e sheh që askush nuk të kërkon më
Të gjithë kanë ikur nga bota jote e zbrazur prej njerëzve,
nga bota jote e mbushur me lirinë e madhe
Mund të vdesësh e të ringjallesh dhjetë herë në ditë e askush nuk e merr vesh
Mund të vdesësh fshehtas
askush nuk të gjen
se askush nuk të kërkon
Unë nganjëherë ditën, kur mërzitem shumë, i lë dritat e ndezura, që kur të kthehem në shtëpi natën, të ketë kush më pret.
Të më pres drita
e sheh se
Liria e madhe është kufiri që të ndan nga njerëzit
Vjen dita kur lumturi e quan gjithkend,
lumturi i quan ata që nuk të kanë ndihmuar të rritesh
Vjen dita kur lumturi e quan çastin kur nga dritarja e kuzhinës tënde i gjuan thërmijat e bukës, për të ushqyer zogjtë që kurrë nuk i ke kujtuar, veç atëherë kur zërin ua ke dëgjuar
Ti për një çast mund të ftosh në oborrin e shtëpisë tënde
të gjithë zogjtë e uritur
Se,
nuk ka zog të ngopur
Atyre u mjafton vetëm buka që të ka tepruar
E ti s’jep nga zemra, por jep vetëm nga teprica jote
Vjen dita kur bota jote është më e madhe se dashuria,
kur lirinë tënde të madhe e jep për një dashuri të trilluar
Vjen dita kur e kupton
Se liria e madhe është kufiri që të ka ndarë nga njerëzit
— në Prishtina.
Nga Kimete Berisha
Burimi – Facebook


Leave a Reply