
Para 14-të vitesh e rrethuar nga vrasësit
Këtu në këtë fshat,
qaja për dashuri
Gratë që më pyesnin: për kë qan, kanë vdekur nga pleqëria.
Nana ime u thoshte: po qan për një shoqe të vrarë,
Turpërohej t’u tregonte se unë po qaja për dashuri,
Veç meje, të gjithë kishin dëgjuar se dashurinë time e kishin vrarë,
Diku në Bregun e Pikëllimit, shumë afër Diellit
Nganjëherë këndoja,
Kur shoqet e luftës qanin,
A po shpëtojmë?- pyesja Lulen,
Jo-thoshte ajo.
Atëherë, le të vdesim duke kënduar,
që të dukemi bukur,
E vërteta e parë që e kisha kuptuar ishte barazia
Lufta na barazon,
në kolonë, të gjithë jemii të barabartë
Askush nuk dallon
Lufta nuk është natyrore
Se Zoti nuk i barazon njerëzit
Zoti ka dashur që secili të jetë i vetmuar
Që askush të mos jetë i njejtë.
Në luftë askush nuk e di emrin e vrasësit të tij,
Natë e ditë mendoja se si do të quhet vrasësi im
Shumë shumë më dhimbsej vetja që do të vritesha nga një njeri që nuk e njoh
që s’ka të bëjë asgjë me mua,
…
E vërteta e tretë ishte Zoti
Të cilit për tre muaj luftë nuk iu luta asnjëherë
Plakat flisnin për mëkatet tona,
Zoti e di çfarë na mungon, s’ka nevojë ta lusim që ta shpëtoj jetët që na i ka dhënë vet,
Se ne jemi jetët e tij
30 Maj 1999
natën nëpër dritë të hënës, duke ikur nga vdekja
për herë të parë nuk ma uroi askush ditëlindjen,
Mburojë e gjallë, në një fshat tjetër,
Fort dëshirova të vdes. Do të ishte festë vrasja ime. Dhe
Ndoshta vetëm unë nga 50 gratë që iknim së bashku e kisha ditëlindjen
Të vërtetën e fundit e kuptova të nesërmen
Rrugës së panjohur, nëpër kolonë.
Një kamion kaloi pranë neshë, me sa shumë burra të zhveshur
Kurrë nuk e kuptova kush qenë ata,
E dija që i çuan për t’i vrarë
Para se t’më lëshonte trupi
m’u terruan sytë
U ula përtokë, nuk shihja gjë, nuk ndjeja gjë, vetëm dëgjoja
Shqisa e fundit që vdes është dëgjimi
E kuptova edhe të vërtetën e katërt
Që njeriu në shtrat të vdekjes dëgjon
Të gjithë vazhduan rrugës për në kolonë,
Përveç nanës time,
E dëgjoja që qante e më luste të ngrihem në këmbë.
Por unë nuk ndjeja asgjë,
Nuk shihja asgjë
As s’më dhimbsej vetja, as nëna,
Vrasësi na urdhëronte të vazhdojmë rrugën e vdekjes,
Pas pak në gojë ndjeva ëmbël shijen e sheqerit që ma lëshoi në gojë njëra nga gratë e kolonës,
E dëgjoja nanën time kah i luste viktimat në kolonë siç nuk e ka lutur Zotin asnjëherë që t’ia jepnin për mua edhe një pikë ujë,
Nuk ia dita emrin gruas që ma ktheu dritën e syve,
U ngrita në këmbë,,
E bindur, se vdekja nuk është punë e madhe siç kam kujtuar
më s’do të frikësohem,
Po të ishte vështirë, s’do të vdisnin fëmijët, frikacakët dhe pleqtë,
Në një shtëpi të vjetër të rrethuar me do vrasës të tjerë
Shoqet e luftës hipën në katin më të lart, në “dhomën e vajzave”
S’di pse nuk i lashë të kërcenin,
S’di pse nuk kërceva bashkë me to
S’di pse më besuan kur u thashë: Pritni, ta shtyejmë vdekjen për një ditë tjetër.
Të vdekura- vdesim nesër.
Sot do t’i shkurtojmë flokët,
Plakat po na frikësojnë se s’duhet të dukemi bukur.
Po, nëse do të dukemi si djemë-do të na vrasin,
Duke qeshur me lot, të gjitha i shkurtuam flokët,
Nuk dukeshim të shëmtuara, po të mjera dukeshim,
Shëmtia nuk të shkakton dhimbje.
Nuk na vranë atë ditë,
Na kthyen të ecnim nëpër tokën e minuar, për t’i detyruar që t’i dorëzojnë armët luftëtarët e lirisë,
Ecnim nëpër tokën e djegur, e disa nuk shpëtuan,
I pamë kur u shtrinë për toke,
Nuk e kthyem kokën,
Atë natë fjetëm në tokë, të mbulura me letra gazete
Unë u mbulova me titullin e gazetës: “Liria nuk krijon heronj”,
Të shtrira në tokë,
atë natë të ftohtë qershori në një fshat që për herë të parë ia dëgjova emrin, Shtitaricë,
Ai fshat nuk kishte luftë,
Nuset e atij fshati të gjitha me xherdane e me fustanë veshur, me buzëkuq shtronin darkën në tryeza, I shihnim kah na shikonin tinëz nga dritarja,
Nuk na hapën dyert,
E kishim vetëm një gotë ujë, që e ruanin për fëmijë,
Të gjitha gratë lypnin derë më derë bukë,
Përveç meje,
nga dëshira që të vdes urie,
S’ka vdekje më të bukur për mua sesa të vdesësh nga uria dhe dashuria-
E kuptova të vërtetën e nëntë:
Njeriu është më i vjetër sesa mbamendja e tij,
Njeriu ekziston para se të jetë i vetëdijshëm për qenësinë e tij
Vlerës nuk po i kujtohet lufta që e ka përjetuar,
Prandaj, duhet të ekzistoj edhe parajsa,
Kur përfunoi lufta u shfaq heroi,
E gjeta edhe vëllain e humbur në fillim të luftës,
E kishte ruajtur dhuratën për ditëlindjen time,
Dashurinë e gjeta të gjallë,
Në Bregun e Pikëllimit, shumë afër Diellit,
Kam mbetur vetëm, që ta mbaj premtimin,
“kur ta shkruaj lutën në libër-do të vdes”
Sot po më duket që do të kishte qenë shumë më mirë që para 14-të vjetësh të më kishte mbytur vrasësi
Sesa që mbytem nga kujtimet
Nga Lufta, nga Vrasësi, nga Vetmia, nga Heshtja, nga Pafuqia, nga Muret, nga Tradhtia!
Pa Dashuri!
— në Oshlan.


Leave a Reply