Shoqata Alba – Dansk u drejtohet institucionit te Presidences ,qe aktorin Pandi Poce,qe humbi jeten ti akordohet nje titull nga presidenti i republikes, Z. Nishani. Ky rast duhet vleresuar nga te gjithe. Mediat e kane bere publike lajmet dhe per ta pare kete mjafton vetem nje klikim ne google. Pra media i tregon ketij rasti human qe si pasoje ,duke shpetuar nje femije te moshes 14 vjecare,humbi jeten nje nder aktoret ,qe i ka dhene teatrit dhe filmit shqiptar,ndaj ky rast duhet te vleresohet e jo te kaloje ne heshtje te plote nga institucionet shqiptare.
Shpresojme qe ne nje te ardhme te shpejte ky mendim i shoqates Alba – Dansk te mberrije deri ne Presidence dhe Presidenti ta vlerresoje kete rast te nje rendesie te vecante.
Mbesim me shprese se shpejti shtypi dhe media do te jene pjesemarrse ne nje ceremoni te tille te dekorimit te aktorit Pandi Toce ,pas vdekjes.
Kryesia e shoqates Alba – Dansk
Kopenhagen – Danimarke , 16 Gusht 2014.
—————————————————————–
Mbytet në liqen aktori Pandi Toçe, shpëtoi një fëmijë
Ngjarja e ndodhur mëngjesin e së martës te Liqeni Artificial është zbardhur dhe personi i mbytur është aktori i filmit shqiptar, Pandi Toçe. Sipas policisë, 55-vjeçari humbi jetën duke u munduar të shpëtojë një fëmijë 14-vjeçar.
Ngjarja e regjistruar si aksidentale, si fillim ka qenë tepër konfuze. Por pas deklaratave të fëmijës së shpëtuar me inicialet E.D, shokëve dhe disa dëshmitarëve, tregohet se Pandi Toçe ishte hedhur në ujë për të shpëtuar nga mbytja të miturin. Dhe, ndërsa ka shpëtuar atë, për shkak të asfiksisë së momentit dhe ujit në mushkëri, nuk ka mundur dot të mbijetojë. Aktorin e pajetë nga uji e ka nxjerrë babai dhe xhaxhai i fëmijës, ndërkohë që sipas hetimeve, aktori në momentin e nxjerrjes së fëmijës nga uji ka goditur një nga betonet e digës.
Policia ka qenë e rezervuar për 48 orë duke kryer hetime, ndërsa për fëmijën që ka pësuar një traumë për shkak të ngjarjes, është rekomanduar kujdes i veçantë.
/Shekulli Online/H.E./
————————————————————————————————————–
Heroi që nuk deshëm ta “identifikojmë”
FATOS BAXHAKU
Kjo që do të lexoni më poshtë, është një histori e pazakontë, që ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në kryeqytetin tonë. Është e pazakontë për nga akti i protagonistit, por edhe për kombinimin e çuditshëm mes heroizmit, thjeshtësisë, përulësisë, nga njëra anë, dhe indiferencës, shpërfilljes dhe harresës nga ana tjetër. Heroi – në të gjitha kuptimet – i kësaj historie quhej Pandi Toçe, 55-vjeçar, i martuar, baba i dy fëmijëve.
Ai, sigurisht që nuk kishte se si ta dinte që ajo paradite e nxehtë gushti do të mblidhte orët e tij të fundit. Që prej disa kohësh Pandi Toçe e kishte bërë zakon që të bënte një xhiro të shpejtë andej nga kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Muajt e fundit kishin qenë shumë të vështira për të. Për shumë vjet kishte punuar në një punë me të cilën ndihej mirë, në Teatrin Kombëtar, por sikurse është zakoni te ne “novus rex, novus lex”, ndryshimet e reja në Teatër e nxorën të papunë. Shëtitja nga Liqeni sikur e largonte nga ajo ideja fikse se duhej patjetër të niste një punë tjetër. Atë paradite ndihej disi më mirë. I kishin thënë të paraqitej në zyrat e një spektakli shumë të njohur televiziv. Dukej se kohët e këqija po kalonin më në fund.
Ne, sigurisht që nuk mund ta dimë, por Pandi, me siguri këto gjëra kishte në kokë ditën që hyri poshtë gjelbërimit të thellë të kodrave. Befas, duhet të jetë rrëqethur nga klithma e një fëmije. Ishte një 12-vjeçar. Fëmija, në kërkim të topit, kishte hyrë pa u menduar në bregun e përbaltur të liqenit e tash po thëthihej nga kurthi vdekjeprurës. Dëshmitarët kanë parë se si Pandi, pa hezituar as edhe një sekondë të vetme, është hedhur drejt fëmijës. Për disa minuta të dy po thitheshin nga balta ngjitëse. Atëherë Pandi ka bërë aktin e fundit. Është shtrirë duke u bërë si bazament për këmbët e fëmijës dhe e ka shtyrë atë sa ka mundur drejt bregut të sigurt. Në ato momente tragjike është ndodhur aty edhe një kalimtar tjetër, i cili e ka bërë kanotierën e vet si litar. Fëmija i llahtarisur ka arritur më në fund të dalë në breg. Por Pandi kishte nisur të shkonte poshtë. “A shpëtoi fëmija?”, ka pyetur herën e fundit që arriti të nxjerrë kokën mbi ujë dhe më pas është zhdukur në llumin e kafenjtë. E gjitha kjo histori tronditi një lagje të tërë afër 30 mijë banorëshe, tronditi miqtë e Pandit, dëshmitarët e rastit … Fëmija i shpëtuar ende është i tronditur. “Ai xhaxhi më shpëtoi mua dhe la fëmijët e tij!”, kështu përsërit ende pa reshtur. “Njeriu i kanotierës” është edhe ai i shokuar teksa ndan dhembjen me familjarët e Pandit. Ndjenja e përgjithshme rreth e rrotull familjes në mort është e ndarë mes dëshpërimit të thellë për humbjen e të dashurit të tyre, por edhe një krenari e thellë për aktin që kreu Pandi.
E gjitha kjo histori ngjethëse heroizmi kaloi krejt në heshtje. Vetëm diku në një televizion u shkrua – vini re, nuk u tha – si pa dashje një herë të vetme, që “në Liqenin Artificial të Tiranës u gjet trupi i pajetë i një burri të paidentifikuar rreth të ‘50-ave”. Kaq, vetëm kaq. Kaq vlente për shumë prej nesh akti heroik i një njeriu të thjeshtë. Pas kësaj fjalie “të paidentifikuar” për “burrin e paidentifikuar” ngjarja ishte e rëndësishme dhe ngjethëse vetëm për njerëzit e thjeshtë, të cilët gojë më gojë, me sms, me celular, me “Facebook” e kishin krijuar tashmë me këtë rast një media më vete, një media popullore që nuk i harron njerëzit e vet të mirë, që janë gati të japin jetën për të shpëtuar atë të një fëmije të panjohur. Shtypi gjëmon përditë me emra “heronjsh” modernë: Rama, Berisha, Basha, Fullani, Arvizu, Meta, e më pas lloj-lloj vipash e vipeshash që janë shumë të shqetësuar, sepse ende s’e kanë ndarë mendjen nëse do t’i kalojnë pushimet në Ibiza apo në Xhamajka. Sigurisht që në këtë shtyp për Pandin nuk ka vend. Ai ishte një njeri i thjeshtë, i heshtur, i qetë, një familjar i ndershëm në kërkim të punës. Ai nuk ishte VIP, ai nuk i prishte punë askujt. E pra VIP bëhesh vetëm kur prish punë, përndryshe ç’u pa?! Në media nuk kishte vend në të gjallë të tij, por nuk kishte edhe kur dha jetën në mënyrën më heroike të mundshme.
Çfarë ka ngjarë me ne? Me ne që jemi rritur me lloj-lloj heronjsh, ca të vërtetë, ca të sajuar, ca të gjallë e ca të vdekur, ca të vrarë, ca të dashur e plot të tjerë të përfolur? Mos vallë me ne eksperimenti me kultin e heronjve përgjatë komunizmit e teproi aq shumë saqë na e zvordhi edhe vetë fjalën “hero”? Mos vallë bashkëjetesa e gjatë me heronj të sajuar na ka mbushur mendjen se ata, heronjtë e vërtetë, nuk ekzistojnë? Apo e kemi pranuar si krejt normale që të jetojmë në një botë ku zbrazëtia dhe jo vlerat, tangërllëku dhe jo modestia, hajdutllëku dhe jo ndershmëria, arroganca dhe jo maturia, makutëria dhe jo të qenët i përkorë, dhuna dhe jo qetësia, na qenkan vlerat e vërteta? Përgjigjja është: që të tria bashkë.
Pikërisht ne që respektonim, vetëm se ashtu na thoshin, Heroin e Punës Socialiste që u dogj vetë në pyll, por ama shpëtoi teserën e PPSH-së duke e gëlltitur atë, pikërisht neve nuk na bëka përshtypje heroizmi i Pandit të thjeshtë, “njeriut të vogël”, me zemër të stërmadhe. Pikërisht ne marrim guximin, që jo vetëm ta shpërfillim, ta injorojmë, ta harrojmë, por edhe në rastin e vetëm, që e përmendim, ta cilësojmë “të paidentifikuar”, njësoj sikur emrat në këtë dynja të jenë një gjë e kotë.
Mbase behari është një fazë e vështirë për lajme. E vërtetë. Shumë zyra, shumë prej nesh, shumë politikanë, shumë showman e showgirl janë duke u nxirosur të qetë nën rrezet këndellëse të diellit. Por asnjë justifikim nuk mund t’ua largojë njerëzve të Pandit atë shijen e hidhur që u është krijuar nga shpërfillja e paedukatë për njeriun e tyre të dashur. Të gjithë, absolutisht të gjithë, qofshin këta edhe më të famshmit, e kanë provuar, të paktën një herë në jetë, atë ndjesinë e kotësisë që ndien kur nuk ta vë veshin apo nuk të hedh sytë njeri. Në rastin e Pandit, “heroit të paidentifikuar”, kështu duhet ta ndiejmë veten nga pak të gjithë.
———————————————————————————————————
Pandi Toçe shpëton fëmijën, por mbytet vetë
Aktori i Teatrit Kombëtar Pandi Toçe, baba i dy fëmijëve, humbi jetën tre dite me pare ne Liqenin Artificial te Tiranës, teksa u mundua te shpëtonte jetën e një fëmijë 14-vjeçar. Policia nuk e raportoi ndodhinë dhe arsyen e kësaj ngjarjeje. 3 dite me vone pas dëshmive dhe hetimit paraprak, zbulohet mënyra sesi ai humbi jetën. Teksa po bënte shëtitjen e tij te përditshme nga zona e liqenit ai vëren një te ri i cili po kërkonte ndihme, pasi kishte rene ne liqen dhe po thithej nga rëra ngjitëse. Sipas dëshmitareve Toçe pasi kishte vërejtur këtë fakt shtyn te riun drejt bregut, duke ngelur vete mbrapa. Persona te tjerë afër ngjarjes panë me sytë e tyre sesi aktori i Teatrit Kombëtar sakrifikoi jetën e tij, per atë te nje te riu. Hetimet e mëvonshme treguan se ai humbi jetën nga asfiksimi i momentit dhe uji ne mushkëri. Aktori u nxorr ne breg nga babai dhe xhaxhai i djalit qe shpëtoi, por pavarësisht ndihmës se pare qe iu dha ai nuk mundi dot te mbijetoje.
http://vizionplus.al/pandi-toce-shpeton-femijen-por-mbytet-vete/
Shpëtoi fëmijën 14 vjeçarë, mbytet aktori Pandi Toçe
TIRANË- Një ngjarje e rëndë dhe “heroike” ka ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, ku një nga ish- aktorët e Peshkopisë dhe inspektor skene në Teatrin Kombëtar, Pandi Toçe, ka humbur jetën teksa ka shpëtuar një djalë të ri i cili ishte duke u mbytur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit pranë Liqenit Atrificial në Tiranë. “Si çdo mëngjes, Pandi Toçe ka qenë duke bërë vrap, ku rreth orës 06:00, papritur ka dëgjuar zërin e një fëmije, që ka thënë “ndihmë , ndihmë”, pa u menduar dy herë aktori është hedhur në ujë, tek diga e liqenit ku ndodhej fëmija, i cili ishte në çastet e fundit të jetës.
Duke qenë se praktikonte shpesh notin, dhe e kishe pasion atë edhe pse mbipesha ia kishte privuar vitet e fundit, Pandi ka shkuar menjëherë tek trupi i të miturit dhe e ka kapur prej rrobash, duke e ngritur lart. Fëmija ishte i shokuar saqë nuk ishte në gjendje të lëvizte asnjë gjymtyrë. Duke e venë sipër barkut të tij, me të shtyrë ai e ka nxjerrë deri afër dikës, por si duket copat e betonit dhe një gropë kanë bërë që ai të zhytet më tutje e të humbë ekulibrin e vet, teksa fëmija kishte dalë në breg. Në zhytjen e dytë, ka marrë një asfiksi nga pirja e ujit. Pra shkaku i vdekjes ka qenë mbytje ne gjendje asfiktike.
Edhe pse kanë ardhur në ndihmë xhaxhai dhe të afërmit e djalit, tashmë për të shpëtuar Pandin, ai kishte mbaruar”, ka qenë kjo dëshmia e vëllai dhe aktorit të njohur Vangjel Toçe në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme. Ndërsa i ati i viktimës e quan hero dhe mik të parë, të ndjerin Pandi, duke thënë se i ka borxhë jetën e djalit. “Djemtë kanë qenë duke luajtur dhe djali im nuk dinte not, ka shkuar thellë dhe për pak desh është mbytur, ka qenë i ndjeri, që i shpëtoi jetën Ervisit. Unë i kam një jetë borxhë atij njeriu”, shprehet i ati i djalit. Ai tha se djali është i tronditur por se është këshilluar me një psikolog për lehtësuar gjendjen.
Pandi kishte lënë nje drame të pabotuar
55 vjeçari Pandi Toçe, ish- aktori i Peshkopisë dhe inspektori skenë në Teatrin Kombëtarë kishte lënë nje dramë të pabotuar si testamet të tijin, të cilën dje e ka zbuluar në sirtarë familja. Këto drama Pandi kishte menduar ti hidhte në skenë e ti botonte për lexuesin në ditët në vazhdim por që, jeta si premtoi.
Rrapush Sharka
Shtuar më datë 14-08-14 15:33 / Dielli.al


Leave a Reply