
HYJNESHË…
E di ?!
mua,
më mjafton
një fjalë,
një përkëdhelje,
një këngë
dhe shndërrohem
në një kafshatë
një erë e majit,
e tëra,
një dhimbje.
Hyjneshë,
për sytë e gjelbër…
Lulëzoj
lule malli,
derdh
aromë,
kuq buzësh të freskët
kurmit të bardhë
dhe pikoj
dashuri
mbi heshtjen, nokturn…
Mjafton…
Hyjneshë,
për sytë e gjelbër…
NË UDHËN KU FRYJNË ERËRAT
Në botën moderne,
po vritet çdo çast hyjnia.
Hyjnia si lebra.
Sa vjen dhe rritemi,
rritemi dhe virtytet i shkëmbejmë me veset,
rritemi dhe fjalet i përpunojmë si në rafineri,
rritemi dhe qeshim si Guimpleni.
Në botën moderne,
po vritet çdo çast hyjnia.
Hyjnia si lebra.
Jemi të vetëdijshëm për cdo instikt,
sulmojmë në befasi më të dobtin,
poshtërojmë të bukurën, kur e hasim
qajmë e justifikojmë gabimet e bëra.
Të gjitha djallëzitë tashmë, i kemi mësuar.
Në botën moderne,
po vritet çdo çast hyjnia.
Hyjnia si lebra.
Jemi mes udhësh ku fryjnë erëra të kundërta,
në lindje, dielli shkel synë çdo mëngjes,
në veri, buza ngrin, nuk mund të flasim, as të këndojmë,
në jug, fryn erë e ngrohtë, përthan lotët e dhimbjes,
dhe në perëndim bie nata, humbasim yllin polar.
Në botën moderne,
po vritet çdo çast hyjnia.
Hyjnia si lebra.
Sa vjen dhe rritemi, rritemi dhe mendja boshatiset,
na pushton egoizmi, na pëlqen vetja
luftojmë gënjeshtrën dhe prapë gënjeshtrën besojmë,
bëjmë një hap para dhe dhjetë hapa mbrapa.
Në botën moderne,
po vritet çdo çast hyjnia.
Hyjnia si lebra.
BUZËT E TUA
Buzët e tua,
për ditë,
për muaj,
për vite me radhë,
janë
ulur
përmbi të mijat…
Puthitur
nga afshi,
plot nxehtësi,
flasin,
ngadalë
në heshtje.
Ndiejnë
dhimbje,
qajnë, dashuri…
AH..NE!
Botën e të vdekurve,
botën e të gjallëve,
Jo të gjithë e njohin,
jo të gjithë jetojnë.
Të jesh i gjallë me shpirt të vdekur,
murosur në një cop mish,
pa gjak në vena,
pa dëshirën për të jetuar,
pa dashuri për pasardhësit,
pa ditur ç’është gëzimi,
pa ditur sakrificën…e
atyre që të sollën në jetë.
Kur, një të vdekur
ëndërron me llahtar,
një trup me qera,
të ngjiz shpirtin edhe njëherë ,
të jetoj,
të puth,
të bëj dashuri, çmëndurisht,
të bëj fëmijë, pa numër,
të loz me diellin,
erën,
detin…
Të fluturoj edhe për pak,
duke numëruar frymës, minutat,
duke ditur fundin që e pret…
Yjet … yjet..
Ah, ne të gjallët ,ah!

ZEMËR ARBËRORE
-Nga nisi ky shiu, shi me vetëtima,
pse bie kaq vrrullshëm mbi supe?
-Vjen nga qielli ku ndrisin yjet,
mallëngjimi nën qerpik zë e ulet.
Syri m’u zbardh, malli më dogji,
Ah, xhani m’u tret në dhè të huaj,
kjo dhimbje çorri shpirtin, gjak rrodhi,
mëndja bubëllin për bukuritë e tua.
Bjerë o shi, bjerë deri në agim,
dhe ti erë kalëro mbi flokët gështenjë,
o malet e mia, fushat me grurë
këtu në zemër ju kam mbjellë..

E PRANOJ SFIDËN
Unë
besoj
në fjalën tuaj zotëri,
çdo çast,
çdo herë,
sepse
shpirtrat e brishtë,
ashtu flasin, në heshtje,
preken lehtë
kuptohen thellë,
në një ritëm
në një kohë,
në situatë të hidhur
në situatë të ëmbël,
gjithmonë në sinkronizim…
Unë të besoj !
Besoj
në fjalen tuaj
nga njëzet vjet,
dhe, në qofsha gabuar,
murgeshë
do të bëhem:
E pranoj sfidën, zot – zotëria im..!

MOS PYESNI, S’ E DI…
Mos më pyesni sa e dua,
se nuk kam përgjigje, s’e di !
është engjëll, jeton në mua,
jam kanarina në t’ tijën qeli.
Mos më pyesni sa e dua,
se përgjigje nuk kam, s’e di,
është ëndrra, jeton në mua,
jam puthja mbi buzën e tij.
Mos më pyesni sa e dua,
se nuk kam përgjigje, s’e di,
është perëndia, jeton në mua,
jam drita, që qiellit çoj kaltërsi.
Pse nuk më pyesni sa e dua?…
Se kam… kam përgjigje, e di !
Është dhimbja, që më bën të vuaj,
jam loti, në synë e bukur jeshil.

MOS MA MERRNI DETIN
Pse ma morët detin,
pse i prekët valët?
E vetmja gjë që mbeti:
do ndeshem me dallgët!
Kur të ngrihet marea,
e era të kalojë Itakën,
me shgjetën e artë Odisea,
do kalojë zemrën në unazat.
Detin mos ma merrni,
mos m’i prekni valët,
është imi, më ndjeni,
sot e në përjetësi.

BRISHTËSIA E GRUAS
Mos më qorto kaq ashpër,
të thashë një herë, dy, shumë herë
se shuhem si zjarri në vatër,
thyhem si gota me verë…
Se grua jam, o shpirt i ftohtë,
e brishtë, si petalet ngjyrë rozë,
këputem në çast si buka e ngrohtë,
shkërmoqem si gjethe, e s’mbidhem dot…

TË BRAKTISUR
Shpeshherë lus zotin, perënditë,
kur munden le të zbresin në tokë,
të gjejnë gjuhën me vendallinjtë,
dhe të zgjidhin brinjë e kokë.
Po ata, në sy më panë të habitur,
duke qeshur gjuanin retë e bardha,
a nuk më thoni: çfare i ka tronditur,
ikën, pa e kthyer kokën prapa…
VITET E MIA
Dyzet qirinj,
Fikur njëri mbas tjetrit,
Dyzet qershitë e ngrëna,
Dyzet vitet e jetës,
Dyzet fjalët e pa thëna.
Dyzet lotët mbi gjoks,
Dyzet puthjet e diellit,
Dyzet dhimbjet në kockë,
Dyzet fluturime qiellit.
Dyzet lëndina me margarita,
Dyzet ëndrra shtruar mbi vesë,
Dyzet horizonte me drita,
Dyzet bekime nënesë.
Dyzet herë erën kalëruar,
Dyzet për dy, ditë lehonie,
Dyzet furtunë e dashuruar,
Dyzet stuhi lirie..!
NDJENJË FRIKE
E ndjej lëkurën të vyshket si petale,
mendimet thinjen, harrohen kohës,
dhe dielli dalëngadalë po zbehet,
jeta rrëshqet nga pëllëmba e dorës.
Dhe vitet ikin si pa kuptuar,
ditët sikur digjen pa mëshirë nga flakët,
oh, i dashur, s’është se kam frikë vdekjen,
aq sa kam frikë trupin që plaket.
TROKITJE VJESHTE
Po ç’është ai fllad që fëshfërin,
që ngre pluhur, e loz me gjethe?
Sa dua t’i flas ikën, merr lemerinë,
pastaj qesh me lot apo flet me vete.
Më ngjan sikur vjeshta troket lehtë,
dhe, si përherë, nuk di të mbajë fjalë,
kapërcen e kolovitet degë më degë,
herët në mëngjes, diellit në të dalë.
Dhe e porosita të vijë veshur me dritë,
ashtu si sythi kur hap petalen e parë,
se kështu errësira zbardhet në ditë,
dhe e vërteta zbut plagën, lotin e vrarë…
DUKE PIRË KAFENË
Këtë
mëngjes,
duke ecur zbathur, në mendime,
vura këngën në buzë
dhe u ula
mbi supet e heshtjes,
e ndieva si një ftohtësi të vogël,
lëkura m’u rrënqeth.
Dielli
djeg,
dhe ngrohtësia e qershorit,
puth horizontin
në qerpikun e ditës,
sjell
fllad të freskët,
që fëshfërin dashuri…
Qesh dhe pi kafenë,
m’u kujtove ti …


Leave a Reply