1.
Fterrë botë midis malesh
O ylberi që nuk kapesh,
Ç’ke një dritë përpara syve,
Si një dritë e perëndive
Qielli përpjetë kaluar,
Bukurinë ta ka pikuar,
Ndaj dhe ke burra të flaktë,
Djem të bukur dhe të arte,
Djem të bukur dhe të mençur,
Për historinë janë gjendur.
2.
Fterrë moj pika e besës,
Shkëmbi me mjaltë i bletës,
Pesë mehallat në gryka,
Si pesë kupa të florinjta.
Zallet në varrenë e bardhë,
Kanë burime të kristaltë,
Aty shpirti gjen shërimet,
Aty dashuritë rriten,
3.
Të gjithë vashat vitore,
Porsi hënëza qiellore,
Nuse për të nusëruar,
Viset për të zbukuruar.
Vashëza trëndafilishte,
Yjeve u bëjnë zgjime,
E zgjuajnë yjet nga ëndrrat,
Në trëndafil, i kthejnë gjembat
Zemra djemve u rrëmbejnë,
Marrin dhe në zogj i kthejnë,
4.
Fterrë moj si kupë argjendi,
Kush engjëll pranë të ndënji?
Mos është engjëll i miqësisë,
Që flet gjuhën e Perëndisë,
Që flet gjuhën e tërë zogje,
Ndaj dhe Zoti zbret për shlodhje,
Këtu i gjalli s’ka vdekje,
Dhe i vdekuri s’pranon tretje.
5.
Fterrë jastëk i poetit,
Syr’ i bukur karshi detit,
Tek ti s’mbaron vjershërimi,
Se ka shtrojenë bilbili.
Ndaj këtu lista gjethojnë,
Edhe burrat flakërojnë,
Këtu gërxhet gjerdanohen,
Këtu mjegullat largohen,
Këtu s’pranon vendi hije,
Se syr’i Diellit bie.
6.
Fterrë zemër e miqësisë,
Ku është fjal’ e mençurisë,
Ku bie, e shfaq zambakun,
Ku kuvendimi shtron sharkun,
Urë e Labërisë së madhe,
Që lidh detinë me male,
Lidh Bregun me Labërinë,
Zemra kërkon gjakësi,
Gjaku gjakut i jep dorën,
Malet shkarkojnë dëborën.
7.
Vendi, këtu gjen gjuhën,
Këtu, ku puth buza buzën,
Këtu loti bëhet këngë,
Këtu guri peshon rëndë,
Këtu guri s’rrokulliset,
Por dhe shkëmbi nuk gremiset,
Se mali s’ka shkarë kurrë,
Këtu nuk bie furtunë,
Se flitet gjuhë e shqipes,
Flamuri lart valëvitet.
8.
Këtu zogu përplas krahët,
Këtu vrapin, mbajnë valët,
Këtu shkëmbi, të jep dorën,
Këtu mali të ul kokën,
Këtu erërat vijnë e kthehen,
Këtu vetë burimet dehen,
Këtu zbardhon, bardhësia,
Këtu rri zgjuar liria,
Këtu zbret e shlodhet Dielli,
Këtu e shtrin shpirtin Qielli.
9.
Këtu, dhëndurë dhe nuse,
Mbjellin edhe mbledhin lule,
Këtu rrojnë që të gjithë,
Shkulin net e mbjellin ditë.
Këtu foshnjën e rrit vesa,
Pleqërinë e mban shpresa,
Këtu bota e do botën,
Këtu djali do babanë,
Këtu vëllai do vëllanë,
Nga motra kurrë s’janë ndarë.
10.
Këtu dihet ç’është Atdheu,
Që kur ishte Skënderbeu,
Këtu është shkolluar jeta ,
Kur Prizren i lidhi besa,
Këtu u firmos me dorë,
Për Smajl Qemalin Vlorë,
Këtu kënga ishte marrë,
Që kur ka lerë lab’ i parë,
Këtu dhe dyfeku krisi,
Kur liria rrugën nisi,
Këtu pati djersë dhe punë,
Lulëzimi s’u tha kurrë,
Këtu ish demokracia,
Që kur ka qenë Labëria.
11
Këtu hëna i lan faqet,
Kur mëngjesi vjen dhe hapet,
Po të ish Noli në Fterrë,
S’do ta kish lënë Atdhenë,
Se këtu ra dhe trumbeta,
Kur dha kushtrimin Gjoleka.
12.
Këtu flet gjuha e zemrës,
Me fjalë të ëmbël të këngës,
Siç i flet dhe miku mikut,
Siç i flet trimi fisnikut,
Ky është zër’ i bashkësisë,
Dashuria e kombësisë,
Kjo është jetë e jetuar,
E ardhmja e pambaruar,
Ndaj të gjithë, të gjithë tokë,
Gëzuar, o miq fteriotë,
Gëzuar për vit e mot!
Lefter ÇIPA
Fterrë, më 28 gusht 2004.
(në festën e Fterrës)
Nga Gazeta Fterra
NJË VËSHTRIM NË POPULLSINË E FTERRËS
Fteriotët sot janë rreth 430 familje dhe mbi 2000 frymë
Fterra është fshat i vjetër. Në dokumentet që njihen deri sot, përmendet në vitin 1431 si fshat i nahies së Sopotit me 12 hanë (familje të mëdha e në gjendje relativisht të mirë ekonomike). Gradualisht popullsia e fshatit erdhi duke u shtuar. Në fillimet e këtij shekulli familjet e fshatit kane varijuar nga 80 deri 100 familje dhe në në dhjetor 1944 në Fterrë kishte gjithsej 116 familje që banonin në fshat, 10 që banonin jashtë fshatit dhe 8 që banonin jashtë Shqipërisë.
Nga një evidentim që kemi bërë del se fteriotët përbëjnë sot rreth 430 familje dhe mbi 2000 frymë . Ky evidentim ka qëllin kryesor që të njihemi më mirë me të afërmit, fisin dhe gjithë bashkëfshatarët kudo që janë.
Në këto 50 vjetët e fundit ka një rritje të theksuar natyrore, por ka edhe lëvizje e largime, sidomos nga fshati në qytet.
Ndër shkaqet më kryesore të largimit nga fshati, mund të përmendim : a) fshati nuk ka kushte te favorshme për zhvillimin e ekonomisë, veçanërisht të bujqësisë; b) fteriotët, duke njohur edhe kurbetin, kanë aspiruar gjithënjë për një jetë më të mirë; c) arsimimi ka qenë një përparësi e gjithë edukimit të bashkëfshatarëve dhe mbas mbarimit të shkollave ata kanë punuar në vende të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë; ç) sedra, në kuptimin e mirë të fjalës, ka bërë që shumë bashkëfshatarë, duke ndjekur shembëllin e atyre që jetonin më mirë, të ngulmojnë për të ndjekur rrugën e tyre. Një ndihmesë të veçantë për këtë dhanë edhe bijtë e fshatit që tërhoqën shumë bashkëfshatarë, në kurbet nga fundi i shekullit të kaluar e fillim të këtij shekulli, dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë në vitet pas çlirimit.
Fterra, megjithëse një fshat i bukur, është i varfër dhe nuk mban dot shumë familje. Kjo ka qënë arsyeja kryesore që vazhdimisht bashkëfshatarët janë detyruar të ikin nga fshati
Në vitet para çlirimit kishte dy lloj kurbeti, njëri larg Shqipërisë, kryesisht në Turqi. Tjetri jashtë Fterrës, në qytete të ndryshme, me nëpunësi e punë të tjera që servirte koha.Këta nuk ishin pak,ishin rreth 30 veta, midis të cilëvë edhe mjaft intelektualë ,që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e nivelit të arsimit, të kulturës e të mënyrës së jetës së fteriotëve. Karakteristika e asaj periudhe ishte që burrat shkonin ku të gjenin punë dhe familjet jetonin në fshat. Pas çlirimit, sidomos pas viteve 50, ata që ishin në qytete filluan në masë të marrin edhe familjet. Shumë familje që ikën nga fshati në vitet 50 erdhën në Kombinatin e Tekstilit në Tiranë ku jetojnë edhe sot, e ku me të drejtë thuhet se ka një Fterrë të dytë, falë kujdesit të veçantë të bijve të Fterrës,që kane ndihmuar njëri-tjetrin.
Tjetër arsye e largimit nga fshati, ka qenë edhe arsimimi. Mjaft bashkëfshatarë, të cilët mbaruan shkolla u emëruan në punëra në rrethe të ndryshme të vendit si në arsim, shëndëtësi, ushtri, në sektorët e ekonomisë e gjektë, sidomos në vitet 1950-1990. Edhe ata nuk ishin pak .Kjo ishte dhe mundësia më e mirë në ato vite për të ikur nga fshati e për tu sistemuar diku më mirë. Në këtë periudhë kanë ikur nga fshati kryesisht të rinj, të cilët me kohë krijuan familjet e tyre. Familje nga fshati janë larguar shumë pak, mbasi, siç dihet, kishte disa pengesa nga ligjet e kohës.
Përqëndrimet më të mëdha të fteriotëve kanë qenë e janë në Tiranë, Sarandë e Vlorë, por ndërsa deri në vitin 1960 shkonin më shumë në Vlorë, sepse atje ishte edhe qëndra e rrethit, pas vitit 1960 fillojnë të shkojnë më shumë në Sarandë, ku nga 2-3 familje që kishte në fillim të viteve 50, ato në fund të vitit 1960 arritën rreth 25 dhe sot janë mbi 80. E kundërta ndodh në Vlorë, nga ku ka largime në drejtim të Tiranës, sidomos këto vitet e fundit.
Pas viti 1991 fenomeni i largimit të familjeve nga fshati u bë masiv, si për shkaqe ekonomike e një jetë më të mirë, ashtu edhe nga mundësitë që u krijuan për levizjen e lirë të popullsisë. Në këto 6-7 vjetët e fundit jane larguar nga Fterra rreth 40 përqind e familjeve, të cilat kryesisht jane vendosur në qytetin e Sarandës e në afërsi.
Familjet që kanë banuar në Fterrë në vite të ndryshme na paraqiten në grafik:
Siç del nga këto të dhëna, në Fterrë gjatë viteve 1960 deri 1990, është mbajtur pothuajse i njëjti numër familjesh, për shkak të ikjes së familjeve të reja nga fshati.
Kurbeti ka qenë plagë e vjetër e Fterrës, si ai i herëshmi, aq më tepër ai i riu. Një numër jo i vogël fteriotë kanë emigruar në Turqi shumë herët, (përqëndruar më tepër në Stamboll e Izmir). Kemi të dhëna që kurbeti ka filluar nga fundi i vitit 1700, por ka shumë mundësi të jëtë më i hershëm. Disa bashkëfshatarë shkuan në shkollat turke dhe atje jetuan e punuan në punëra të ndryshme, deri edhe personalitete të Universitetit perandorak. Megjithëse nuk kemi shifra të sakta, por nga të dhënat e grumbullura del se në Turqi jetojnë rreth 30 familje me orgjinë nga Fterra, që pak lidhje mbajnë me të afërmit e tyre në Shqipëri. Disa familje janë asimiluar , kanë ndërruar mbiemrat dhe nuk dinë gjuhen shqipe. Ndër fiset që kanë patur më shumë në kurbet në atë kohë janë Xhama, Hizmo, Mërkuri, Korkuti, Zani, e të tjerë.
Mbas vitit 1991 kur u hapën kufijtë, ikën edhe mjaftë familj fteriote si dhe shumë individë të veçantë, sidomos në Greqi e Itali. Ka fteriotë me gjithë familjet e tyre që kanë shkuar e jetojnë përgjithmonë edhe në Amerikë, Kanada, Gjermani, Austri, etj. Gjithë familjet fteriote që janë në emigracion sot llogariten rreth 90 dhe me rreth 380 frymë. Nga këto më shumë se gjysmat janë në Greqi. Duhet thënë se ka mjaft lëvizje emigrantësh dhe të familjeve të tyre sidomos në Greqi dhe Itali, prandaj edhe numri i tyre paraqitet i përafërt dhe si vendbanim është marrë vendbanimi i përhershëm në Shqipëri.
Për të pasë një ide më të qartë se ku janë përqëndruar fteriotët me banim po japin një grafik analitik Familja fteriote karakterizohet nga familja e re në moshë e në përmbajtje. Sot janë të rralla rastet, e mund të themi se nuk ka as në fshat, dy kurorë brenda në një familje. Sekush ka familjen dhe shtëpinë e tij. Kështu ka qenë tradita edhe më parë: rriteshin fëmijët, ndaheshin nga njëri tjetri dhe krijonin familjet e tyre. Sot në mbi 400 familje vetëm 7 janë me mbi 7 persona, kurse familjet me një frymë përbëjnë më pak se 2 përqind të të gjitha familjeve fteriote.
Përbërja e familjeve sipa frymëve është : familje me një frymë 26, familje me dy frymë 49, familje me tre frymë 86, familje me katër frymë 161, familje me pesë frymë 72, familje me gjashtë frymë 25, familje mbi 7 frymë 7.
Pra, ajo që e karaketrizon familjen, është se kemi të bëjme me familje te reja që vërtitet nga 3-5 persona dhe me kryefamiljarë deri 40 vjeç, çka tregon se po rritet një brez i ri fteriotësh, të cilët sigurisht, do të bëjnë më shumë nga brezi ynë për vete, për familjen dhe për fshatin.
Fterra ka gjithësej 38 mbiemra familjesh. Nga të dhënat e grumbulluara del se më shumë janë: Shkurtaj 56 familje, Brinja 34 familje, Gjoni 33 familje, Zhupa 30 familje, Mehmeti 23 familje, Bezhanaj 18 familje dhe pastaj me radhë Hizmaj, Dautaj, Mitaj, etj.
Sot në Fterrë nuk banon asnjë familje nga këto mbiemra : Bezhani, Braho, Çallo, Çeli, Dusha, Elezi, Gëdo, Haderi, Korkuti, Mato, Memi, Mërkuri, Mita, Ruko, Sadikaj, Shehu, Xhama dhe Zeneli. Disa nga familjet fteriote, për shkak se nuk kanë lënë trashëgimtarë meshkuj, gradualisht janë fikur. Kështu mund të përmendim Kondi, Çipa, Gjonika, Trako, Gjoni (është një fis tjetër që nuk ka të bëjë me këta Gjonaj që kemi), Seferaj, Goxhaj, Cocaj, Luçi, por ato duhet të jenë më shumë po të kemi parasysh se në fshat përdoren edhe shumë emra të tjerë vendesh, arash, etj, që nga fisi i tyre nuk ka trashëgimtar
Agron Xhama
Nr.12 shkurt, 1999
ARKIV


Leave a Reply