Kolona e arte
Ibrahim RUGOVA
Zemra e poetit
1.
Me varg në shpirt m‘çeli pranvera.
Desha t‘jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.
2.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma – natyrë?
Që bashkë t‘shkrihemi kështu t‘nemitur,
Mos jemi të mjerë në krijatyrë?
Më mbaj fjalën, Ti e verdha stinë.
Edhe unë qeshë si ti i gjallë dikur.
E tani diçfarë fort, fort më nxin –
E me dritë n‘shpirt po bëhem nur.
3.
Po ëndërrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara t‘i flasë.
E di. Me dëngë plot do t‘goditesh,
E ngado të endesh veç do të vrasë.
4.
Athua Zoti i marrë diti të gjykojë,
Që njomakët të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N‘zjarr të heshtjes i ndryrë si murg?
5.
I ngrohur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n‘mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t‘ra një vel i zi –
T‘nxuer e t‘futi n‘kuvli përherë.
6.
O kujt t‘i falem n‘këtë orë t‘vështirë,
Kujt t‘ia kërkoj hijen e njomësisë?
Pa frikë. Prore do t‘jetë ndjellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.
7.
Dua të iki fushës e malit –
Jetën e shoh si grusht t‘rëndë.
Jo,s‘dua t‘iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.
8.
Bën që për vargjet e mia t‘përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t‘prishtë.
Pa heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t‘vërtetën e kam çiltërtisht.
9.
Por një të dihet se zemra e poetit,
N‘dimër a n‘verë s‘di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh, nuk qetësohet kurrë.
Leave a Reply