
Beteja e Sokolit
V:O ( Fotoja eshte perzgjedhur nga redaksia e Alba – Dansk)
Teksti dhe foto: Fin Biering-Sørensen
Shqiptari Sokol Murataj ka shumë plane dhe qëllime. Ai ka dëmtim të shtyllës kurrizore dhe pas një qëndrimi si refugjat në Danimarkë para katër vjetëve, u kthye në shtëpi dhe mori iniciativë për një seminar mbi dëmtimet e shtyllës kurrizore.
Në lidhje me këtë, kryemjeku Fin Biering-Sørensen u takua me Sokolin. Në këtë artikull Fin, flet për Sokolin dhe betejën e tij për të drejtat e invalidëve në Shqipëri.
Sokol Murataj ishte për një periudhë kohe si refugjat në Danimarkë për arsye humanitare. Që në atë kohë, ai donte të bënte diçka për invalidët në Shqipëri. Sokoli i përdori të gjitha kanalet për të arritur qëllimin e tij, dhe në lidhje me këtë, ai mori mbështetje të madhe nga Jens Bo Sørensen nga RYK.
Në klinikën për dëmtime të shtyllës kurrizore, Rigshospitalet/Hornbæk, ku ai ishte i shtruar për një periudhë, ai shikoi edhe për mundësitë e shpërndarjes së një informacioni profesional në Shqipëri.
Sokoli u kthye në shtëpi më vonë në kryeqytetin e Shqipërisë Tiranë, dhe pas një pune të madhe rezultoi të bënte një Seminar rreth të dëmtuarve të shtyllës kurrizore nga Ministria e Shëndetësisë në Tiranë, në 16 shtator të (2006)
Seminari i parë rreth të dëmtuarve të shtyllës kurrizore
Që nga viti 2004, Sokoli ka bërë presion në mënyrë të palodhur mbi Ministrinë e Shëndetësisë në Tiranë, për ta realizuar këtë seminar. Çdo herë kur korrespondenca bllokohej, Sokoli ushtronte presion herë pas here tek zyrtarët dhe mjekët e ministrisë dhe të spitalit universitasr të Tiranës, që të organizonte seminarin.
Ai duhej të dilte dhe të kërkonte edhe për sponsorë. Prandaj, ishte me një kënaqësi të madhe dhe lehtësim, që Sokoli të shihte të realizuar qëllimin e tij: Mbajtja e seminarit të parë në Shqipëri për të dëmtuarit e shtyllës kurrizore. Shoqëria Ndërkombëtare e Shtyllës Kurrizore (International Spinal Cord Society (ISCoS)), u përfaqësua në seminar së bashku me përfaqësues nga shumë specialitete në të gjithë Shqipërinë dhe nga grupe të ndryshme personeli, që merren me ekipet profesionale të përziera rreth pacientëve me dëmtime të shtyllës kurrizore. Kishte edhe shumë përfaqësues nga organizata simotër RYK në Shqipëri.
Nga shoqëria ndërkombëtare ISCoS, iu vu peshë rëndësisë për të centralizuar trajtimin e të dëmtuarve të shtyllës kurrizore në Shqipëri. Për arsye të madhësisë së vendit duhet ndoshta të ketë vetëm një qendër të vetme. Kjo iu parashtrua edhe zv. Ministrit të shëndetësisë, që mbulon këtë sektor. Një nga shqetësimet e Sokolit në lidhje me këtë është edhe privatizimi i madh në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
Kjo bëhet veçanërisht e vështirë për një grup të vogël e kompleks shëndetësor, siç janë të dëmtuarit e shtyllës kurrizore, për të marrë ndihmën dhe mbështetjen që u nevojitet. Sokoli do të ushtrojë presion të vazhdueshëm për të krijuar marrëdhënie sa më optimale të mundshme në Shqipëri.
Organizata simotër shqiptare
Ky është një nga projektet e tjera të Sokolit. Kur ai u kthye në Shqipëri, ai mori iniciativë për krijimin e një organizate për të dëmtuarit e shtyllës kurrizore dhe ai është sot nënkryetar i Shoqatës Shqiptare të Para dhe Tetraplegjikëve (Albanian Society for Para and Tetraplegia).
Organizata ka sot 773 anëtarë me dëmtime të shtyllës kurrizore, të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Përmes kësaj, Sokoli punon në mënyrë të vazhdueshme për të përmirësuar kushtet për të dëmtuarit e shtyllës kurrizore në Shqipëri. Një nga sfidat e tij të mëdha është, sipas Sokolit, se janë vetëm 5 % e të dëmtuarve të shtyllës kurrizore aktivë në shoqëri, ndërsa pjesa tjetër qëndrojnë në shtëpi. Një sfidë tjetër, që ka dalë tani, është se fatkeqësisht ka të tjerë që përbëjnë një organizatë konkurente.
Kjo mund të vijë duke zbehur përpjekjen e përbashkët për të dëmtuarit e shtyllës kurrizore, aq më tepër kur merret në konsideratë madhësia e vogël e vendit. Në këtë rast, Sokoli do të përpiqet që të gjejë një zgjidhje, në mënyrë që të ketë një bashkëpunim ndërmjet palëve, në favor të të dëmtuarve të shtyllës kurrizore.
Demonstratat
Në nëntor 2005 u mbajt një konferencë e qeverisë për të drejtat e invalidëve, por më pas nuk ndodhi asgjë. Për këtë arsye, Sokoli ndërmori një iniciativë për një demonstratë të madhe me karroca invalidësh në Tiranë, në të njëjtin muaj, dhe kjo krijoi një vëmendje mediatike domethënëse. Me anë të demonstratës u luftua për subvencione të mjeteve të ndihmës, ndër ta, mjete higjeno-sanitare, ilaçe, ndihmë të nevojshme personale ditore, benzinë dhe rritje të pensioneve.
Demonstratat vazhduan deri në dhjetor dhe ndikuan, që kryeministri të dilte publikisht dhe të premtonte përmirësime. Fatkeqësisht, e vetmja gjë që ndodhi ishte ndihma personale ditore, pavarësisht se kjo eventualisht është me gjatësi 24 orëshe, u rrit nga 55 në 65 euro. Prandaj beteja vazhdon. Ndër tjera u organizua edhe një demonstratë tjetër këtë vit (2006)
Vetëndihmues
Kur Sokoli u kthye nga Danimarka, ai rregulloi shtëpinë e tij në Tiranë, në mënyrë që të ishte e përshtatshme për karrocën e invalidit. Këtu ai banon me nënën dhe të fejuarën e tij, Mimoza.
Nëna e Sokolit tregon se një nga gjërat, që ishte më e habitshme për të, qëkur Sokoli u kthye nga Danimarka, ishte se Sokoli ishte bërë plotësisht vetëndihmues.
Sokoli vetë i jep shumë nder kësaj gjëje, pavarësisht se nuk është e lehtë gjithmonë, në një vend me barriera arkitektonike. Shtëpia gjendet në katin e parë të një ndërtese pesë katëshe jo edhe aq larg nga qendra e Tiranës. Sokoli bëri një hyrje për makinën e tij, në mënyrë që ai vetë të mund të hyjë dhe të dalë nga makina. Për më tepër, nuk është e mundur të marrësh një makinë me marrsha dore në Shqipëri, prandaj Sokoli me ndihmën e disa miqve të tij, gjeti një makinë VW Golf në Gjermani.
Tani Sokoli punon për të gjetur një makinë me ashensor, pasi ka filluar të ketë probleme me lëvizjet e shumta, për të hyrë dhe për të dalë nga makina.
Sporti
Sporti është pranë zemrës së Sokolit. Ai është marë vetë me qitjen, dhe kur ishte në Danimarkë, ai mori pjesë në një konkurrencë të madhe qitjeje në Vejle. Një nga qëllimet e tij është që të krijojë një organizatë sportive kombëtare për njerëzit me handikap, që i ngjan Ligës Daneze të Sportit për Invalidë. Ambiciet janë që në të ardhmen të bëhet një partner i barabartë me familjen ndërkombëtare Paralimpike.
Fatkeqësisht, ka edhe këtu pengesa, për arsye se është një person i vetëm, që në mënyrë jodemokratike frenon zhvillimin. Sfida të tilla nuk ia shuajnë kurajon Sokolit, i cili do të luftojë që sa më shumë të kenë mundësi t’i gëzohen sfidave të sportit. Sokoli punon me kohë të pjesëshme në Bashkinë e Tiranës, ku ai mban nën kontroll marrëdhëniet në një fushë publike basketbolli.
Pikërisht një fushë e tillë mund të jetë edhe pikënisja për një skuadër basketbolli me karroca, në të ardhmen. Përkundër sfidave të shumta, që shumica e të dëmtuarve të shtyllës kurizore nuk mund t’i imagjinojnë në Danimarkë, Sokol Murataj qëndron fort në qëllimet e tij dhe punon për to, me të gjitha forcat. Ai ka aktivitet gjithmonë, dhe nëse ndodh që një ditë, ai nuk ka një punë për të kryer, po, atëherë ai përdor makinën e tij si taksi për të plotësuar të ardhurat e tij modeste, nga puna e tij me kohë të pjesëshme në Bashki.
Shqipëria me 3,5 milion banorë shtrihet përgjatë bregdetit Adriatik në Ballkan e rrethuar nga Greqia në jug, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe kombi i ri i fundit në Europë, Mali i Zi në veri. Sokol Murataj është nënkryetar i “Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë” (Albanian Society for
Para and Tetraplegia) me 773 anëtarë.
Sokol Murataj ka treguar në RYK! më përpara për jetën e tij. (RYK! nr.4/2002)
Përkthyer në shqip nga Arben Çokaj
Burimi në danisht: http://ryk.dk/node/2154


Leave a Reply