Tereza Babasuli
Zjarri i gënjeshtrave është historia e një familjeje, nga Lufta e Dytë Botërore deri në ditët tona. Federika dhe Ale
sandro janë motër e vëlla, të lidhur nga një ndjenjë e thellë, aq e thellë sa vetëm e “ndiejnë” por nuk e dinë. Një lidhje shumë “e fortë” që përligj gënjeshtrat dhe shtirjet, tinëzinë dhe të vërtetat e dhimbshme. Pas një heshtjeje të thellë gënjeshtrat dhe shtirjet do gjenerojnë, në rrjedhë të viteve, një dhimbje të madhe pas së cilës fshihen vuajtjet për mirëkuptimin e mohuar nga indiferenca.
Një botë zhgënjyese e shënjuar nga vuajtjet e luftës; në prapavijën e saj kompromise të dhimbshme që i njohin të gjithë, por që të gjithë i mohojnë për shkak të frikës.
Frika. Mes shumë emocioneve që ky libër shpalos natyrshëm, frika është e përhershme nga faqja e parë në të fundit. “Pas një çasti përgjimi, duke mos dëgjuar asnjë zhurmë, zgjati një dorë për ta mbyllur përsëri derën rrëshqitëse. Treni pati një lëkundje. Alesandro qëndroi pa lëvizur. Një përqethje e befasishme i gjarpëroi lart nëpër kurriz, iu shtua ndijimit të papërcaktuar të frikës, u bë alarm i menjëhershëm, i thau pështymën në gojë. Dhe në atë çast, me zhurmën e shurdhët të derës që hapej, një dritë e verdhë iu shkreh në fytyrë dhe e bëri të sprapset drejt fundit të vagonit. Tufa e dritës u rrotullua në brendësinë e zbrazët të vagonit dhe e lëvizi nga pozicioni djalin e strukur në një qoshe, me sy të shtrënguar, të verbuar. Kishte ftohtë dhe qe djersitur nga frika. Tani do të dëgjonte një nga ato zërat sokëllitëse gjermane, do ta kapnin dhe do ta merrnin me vete, në mos do ta linin të vdekur në vend”.
Një frikë e pashpjegueshme i hap udhën rrëmujës së gënjeshtrave që s’janë gjë tjetër veç frikë për të pohuar të vërtetën. Në këtë heshtje të dhimbshme zhvillohet, pak a shumë në normalitet, jeta e këtyre dy figurave të ngërthyera nga dyshimet dhe pasiguritë me të cilat janë rritur. “Heshtja ishte e pathyeshme, kaq e plotë sa të shurdhonte si një zhurmë. Të gjithë ishin kaq të palëvizshëm sa edhe ushtarët, vigjilentë dhe të frikësuar, dukej sikur lëviznin ngadalë.”
Të dy janë viktima të një marrëdhënieje të vështirë me të ëmën, janë rritur duke u mbështetur te njëri-tjetri: ajo, në dukje e brishtë dhe e ndrojtur, ai, i bukur, i mençur. Shfryrjet dhe inatin e së ëmës do ta vuante më shumë ajo. Federika do dëgjonte pa rreshtur grafullimin e hidhur, skërmitës, të fatkeqësisë femërore, që sipas së ëmës e përfaqësonte ajo. Kjo bëhej e padurueshme kur Matilde (e ëma) e shijonte paturpësisht kënaqësinë e dramës dhe të lotëve. “Kur prisja vëllanë tënd,- i tregonte Matilde së bijës,- isha mirë, isha e fortë, do ta kisha ngritur botën me një dorë. Kurse ti më bëre të vuaja, në fillim të përzierat, pastaj këmbët e fryra, isha e shëmtuar, me rrathë në sy. Dhe m’u desh të punoja njësoj sa më parë, gati deri ditën e fundit.”
Pas një fëmijërie dhe rinie problematike, me ulje-ngritje dhe andralla të shumta ata do dinë të ecin para pa e kthyer kokën pas. Gjithsesi, sipas moralit të kohës, të dy nuk do të ishin në rregull: ajo mama pa burrë, ai homoseksual. Por sjellja e tyre bindëse i shndërron në sytë e botës, atë, në një nënë të re me një martesë të palumtur pas krahëve, kurse djalin, në një beqar joshës. “Ndihej i ndjekur, apo i rrethuar?, nga imazhet femërore që e turbullonin. I sprapste, i përzinte, pastaj i rimerrte, i joshte, sundohej prej tyre dhe donte t’i sundonte. Nuk ia dilte dot mbanë.”
Por disa gënjeshtrave nis t’u besosh edhe vetë: Alesandro, tashmë industrialist i madh, vendos befas të martohet me një modele magjepsëse; Federika, sakaq fotografe e afirmuar, pas një historie të gjatë dashurie, zbulon më së fundi burrin e jetës, por prapë hesht dhe nuk i rrëfen së bijës të vërtetën për të atin që nuk e ka njohur kurrë.
Një libër kushtuar dashurisë: për nënën, motrën, vëllain, fëmijët, dashurive të deklaruara ose të heshtura, të ëmbla ose të ashpra. Dashuri, që vetëm në fund, përfshin edhe Federikën. Një dashuri që shndrit në faqet që ajo ka shkruar “për të mos harruar”, thotë Leri, nipi i saj. Në agim të mijëvjeçarit të ri, për t’i bërë homazh kësaj dashurie që ka karakterizuar gjithë jetën e saj, Federika vendos të ndezë e para “zjarrin e gënjeshtrave”. Ajo pret përgjithmonë fillin e gënjeshtrave që i ka peshuar si barrë e rëndë gjatë gjithë jetës. E hap zemrën e vet ndaj të vërtetave ndoshta pakëndshme dhe të dhimbshme, por transparente dhe paqësore.
Libër aktual, nëse i referohemi faktit se sot më shumë se në çdo kohë tjetër, frika pushton pjesën më të madhe të njerëzve që humbasin thelbin e vërtetë të jetës, duke u trembur se “nuk do ia dalin dot mbanë”, për të përballuar të vetmen dhimbje që mund të jetë shkatërruese në rast se nuk përballesh me të: dhimbjen nga e vërteta. Por harrojnë se vetëm nga pluhuri i kësaj dhimbjeje mund të lulëzojë një jetë të re. “Ja, tani po shkon më mirë dhe vazhdoj me ankth duke e ndier se e dua, se e dua Lerin siç kisha dashur Alesandron: “Të dua, Leri dhe nuk do të të mungoj. Kurrë! Por e vërteta jote do të jetë e vështirë për ne dhe për ty. Dhe këtë edhe ti e di… Nuk të kërkoj një gënjeshtër, vetëm një pauzë. Pastaj do të thërrasësh babanë tënd dhe nënën tënde pranë teje dhe do t’u flasësh me qartësi, por me dashuri. Unë do të jem pas krahëve të tu, e gatshme për të të mbështetur.”
Apasionues dhe tërheqës, një roman që me ndjenjat e holla, stilin e thukët dhe ritmin e fortë, përshkruan ëndrrat, shqetësimet dhe rebelimet e tri brezave, në sfondin e gjashtëdhjetë viteve të historisë italiane.
GAZETA SHQIPTARE



Leave a Reply