Publicisti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, ka thënë se Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të mbrojnë interesin e shqiptarëve të Maqedonisë, e jo interesin e elitave politike shqiptare.
Ai ka treguar se ky Maqedonia për elitat është parajsë, por popullit shqiptar nuk i jep asgjë. Sipas tij, bashkëfajtorë për pozitën e rëndë të shqiptarëve në këtë vend janë edhe këto elita. “Vlerësoj se Tirana dhe Prishtina duhet të bëjnë dallim ndërmjet asaj ç’është mbrojtje e popullit, nga mbrojtja e interesit të elitave të këtushme partiake shqiptare, e për të cilat elita, Maqedonia është parajsë që atyre ua ofron të gjitha, e popullit shqiptar nuk i jep asgjë! Prandaj mendoj se Prishtina e Tirana zyrtare nuk duhet të shtiren se nuk e dinë se bashkëfajtorë për këtë pozitë mjerane të shqiptarëve të këtushëm janë edhe kryesuesit e partive shqiptare në Maqedoni”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka bërë me dije se reagimet e tyre, zyrtarët e Tiranës dhe Prishtinës duhet t’ua adresojnë edhe miqve të tyre shqiptarë të Maqedonisë me të cilët, sipas tij, hanë dreka e darka dhe kanë biznese të përbashkëta. “Prandaj, mendoj se Tirana e Prishtina duhet më në fund të vendosin se a do të vihen në mbrojtje të popullit, apo në mbrojtje të elitave të këtushme partiake shqiptare, me të cilat shumë nga politikanët në Shqipëri e Kosovë nuk i lidh interesi i popullit, po thellësia e xhepi”, është shprehur Mehemti. Duke folur për protestat e fundit në këtë vend, ai ka thënë se harmonia ndëretnike nuk ka ekzistuar kurrë në Maqedoni.
Mehmeti ka kritikuar shumë faktorin politik shqiptar në Maqedoni, duke thënë se shqiptarëve të këtij vendi u është vrarë shpresa nga ata që ua sollën në vitin 2001. “Ndonjëherë kam përshtypjen se ne shqiptarët e Maqedonisë nuk zgjedhim përfaqësues tanë politikë, por vëzhgues të cilët kanë për obligim ta monitorojnë situatën e këtushme politike dhe të dalin me deklarata nëpërmjet të cilave do t’u japin këshilla shqiptarëve të mos bien pre e provokimeve, që të jenë të durueshëm!? Por, pa treguar kush janë provokuesit e, mbase, duke harruar se ata i provokon regjimi, pjesë e të cilit është edhe BDI-ja”, ka thënë Mehmeti.
Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Maqedoni pas protestave të fundit? Po rrezikohet harmonia ndëretnike në këtë vend?
Nuk mund të rrezikohet diçka që nuk ka ekzistuar kurrë, diçka për të cilën asnjëherë nuk kanë kontribuar e nuk kanë qenë të interesuara elitat e këtushme politike, kulturore, shkencore… Si mund të flitet për harmoni ndëretnike në një shtet ku botohet “Enciklopedia” e financuar nga arka e shtetit që e mbushin edhe shqiptarët, e në të cilën fyhet tërë shqiptaria!? Si mund të flitet për harmoni ndëretnike në një shtet si Maqedonia ku shumëçka tregon se ky vend, shqiptarët i konsideron si armiq të brendshëm ngaqë kërkon që gjithmonë të jesh i gatshëm të mbrohesh nga ai!? Shkurt, regjimi i sotëm në Maqedoni, duke përdorur si mbulesë të ashtuquajturit përfaqësues të shqiptarëve të këtushëm, arriti të ndërtojë institucione shtetërore që e përbëjnë rrjetin mbrojtëse nga “rreziku shqiptar”. Prandaj sot ju nuk e kuptoni se ku përfundon politika e ku gjyqësori e veprimi policor. Aq më shumë, nuk e kuptoni se ku fillon e ku përfundon dyfytyrësia e përfaqësuesve politikë shqiptarë, të cilët sillen thuajse janë përfaqësues të Kombeve të Bashkuara e dalin me deklarata nëpërmjet të cilave e thirrin popullin të përmbahet nga dhuna. Por, thuajse asnjëherë nuk i treguan këtij populli se kush atë do ta mbrojë dhe si ai të mbrohet nga dhuna e institucioneve të shtetit.
A mund të themi se në këtë vend gota me padrejtësi ndaj shqiptarëve ishte e mbushur dhe rasti ‘Monstra’ vetëm e ka derdhur këtë gotë?
Vlerësoj se shqiptarëve të Maqedonisë ua vranë shpresën. Dhe atë shpresë ua vranë ata që ua sollën në vitin 2001. Shqiptarët kurrë nuk mund ta besonin se atyre që ua dhanë fëmijët e vet të rreshtohen nën emblemën e madhërishme të UÇK-së, e të cilëve pastaj ua dhanë edhe besimin politik, do të vini në këtë pozitë të vasalit ndaj sunduesit maqedonas. Dhe është shumë e rrezikshme kur një rinie ia vret shpresën, ngaqë me një “atentat” të tillë, atë lëre që e ke lënë pa të sotmen, por ia ke harxhuar edhe të ardhmen. Prandaj kjo rini duket aq jotolerante, aq e mllefosur. Prandaj ajo e ndjen veten të papërfaqësuar nga askush. Ndjehet si e tillë ngaqë ata që duhet ta përfaqësojnë, i rrëfejnë për të mirat që do t’i sjellë anëtarësimi në NATO e BE, duke dashur kështu t’i mbulojnë të këqijat që na ndodhin sot e që morën hovë gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
Sa ka qenë adekuat reagimi i faktorit shqiptar në Maqedoni ndaj situatës aktuale, konkretisht i BDI-së, e cila është në pushtet?
Ndonjëherë kam përshtypjen se ne shqiptarët e Maqedonisë nuk zgjedhim përfaqësues tanë politikë, por vëzhgues të cilët kanë për obligim ta monitorojnë situatën e këtushme politike dhe të dalin me deklarata nëpërmjet të cilave do t’u japin këshilla shqiptarëve të mos bien pre e provokimeve, që të jenë të durueshëm!? Por, pa treguar kush janë provokuesit e mbase, duke harruar se ata i provokon regjimi, pjesë e të cilit është edhe BDI-ja. Ky regjim i provokon shqiptarët e këtushëm me deshqiptarizimin e Shkupit, me getoizimin e rinisë shqiptare, me harxhimin e buxhetit të shtetit që e mbushin edhe shqiptarët, për t’u ngritur përmendore Car Dushanëve…! Kështu që, shtrohet pyetja logjike: Kush në këtë shtet duhet t’i mbrojë shqiptarët nga provokimet që ia bëjnë institucionet e shtetit si, për shembull, policia që të shpallë fajtorë ende pa arritur i akuzuara te godina e gjykatës?! Ata nuk shpjegojnë se pse policia e këtushme me aq vullnet përdorë bomba lotsjellëse e shokuese kundër protestuesve shqiptarë, por nuk duket askund kur, për shembull, digjen e shkatërrohen pronat e shqiptarëve në lagjen “Gjorçe Petrov” të Shkupit!? E ndërkohë, protestuesit shqiptarë nuk shkatërrojnë pronat e asnjë pronari me identitet tjetër etnik, por shpalosin mllefin e tyre ndaj institucioneve të shtetit!
Po Tirana e Prishtina, mendoni se kanë reaguar në mënyrën e duhur. Cili duhet të jetë pozicioni i tyre në këtë rast?
Kësaj radhe Tirana ka reaguar kënaqshëm, ndërkaq qeveria në detyrë e Thaçit, apo e kryeministrit që publikisht premtoi se do të jetë “gardian” i shqiptarëve të Maqedonisë, ka reaguar njësoj sikur të bëhej fjalë për protestat në ndonjë shtet të Lindjes së Mesme. Vlerësoj se Tirana dhe Prishtina duhet të bëjnë dallim ndërmjet asaj ç’është mbrojtje e popullit, nga mbrojtja e interesit të elitave të këtushme partiake shqiptare, e për të cilat elita Maqedonia është parajsë që atyre ua ofron të gjitha e popullit shqiptar nuk i jep asgjë! Andaj mendoj se Prishtina e Tirana zyrtare nuk duhet të shtiren se nuk e dinë se bashkëfajtorë për këtë pozitë mjerane të shqiptarëve të këtushëm janë edhe kryesuesit e partive shqiptare në Maqedoni! Dhe duhet reagimet e tyre t’ua adresojnë edhe miqve me të cilët hanë dreka e darka, madje kanë edhe biznese të përbashkëta. Prandaj mendoj se Tirana e Prishtina duhet të vendosin se a do të vihen në mbrojtje të popullit, apo në mbrojtje të elitave të këtushme partiake shqiptare, me të cilat shumë nga politikanët në Shqipëri e Kosovë nuk i lidh interesi i popullit, po thellësia e xhepi. / Epoka e Re/
/Shekulli Online/ E.L./


Leave a Reply