Një thënie (e përkthyer dhe përshtatur) nga Paolo Coelho thotë:“Kontradiktat tona. Ne nxitojmë që të rritemi dhe pastaj e kërkojmë fëmijërinë e humbur. Në sëmuremi në kërkim të parasë dhe pastaj shpenzojmë para për t’u shëruar. Në mendojmë aq shumë për të ardhmen, sa që e neglizhojmë të tashmen dhe kështu nuk e përjetojmë as të tashmen e as të ardhmen. Ne jetojmë sikurse kurrë nuk kemi për të vdekur dhe vdesim sikurse kurrë nuk kemi jetuar”
Të hutuar nga zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve dhe në përgjithësi nga dinamika e jetës së ditëve të sodit, ne shpesh e gjejmë vetën në situata në të cilat pyesim vetën “Si shkoj java/muaji/viti aq shpejtë?”. Dhe kur shohim çka kemi arritur, rrallë herë përputhet me atë se çka kemi ëndërruar apo dëshiruar të bëjmë. Në këtë mënyrë ikën jeta dhe ne mbetemi pa u plotësuar shpirtërisht, sepse më shumë kemi ekzistuar se sa që kemi jetuar. Duke u nisur nga fakti së vetëm një jetë kemi, është më së e rekomanduar që të mësojmë disa mësime, të cilat shumica i mësojnë atëherë kur është tepër vonë:
1. Duhet ta jetojmë çdo moment
Jeta zgjatë nga frymëmarrja në frymëmarrje. E tashmja është vetë jeta. Për këtë arsye duhet të jetojmë jetën në të tashmen dhe të shijojmë çdo moment. Duke e mbajtur mendjen vazhdimisht në të kaluarën apo të ardhmen, ne heqim dorë nga të jetuarit dhe vetëm ekzistojmë fizikisht. Ndoshta ju ka ndodhur që kur keni dalë ne natyrë për të ecur, ju keni kaluar një rrugë të gjatë dhe nuk keni kapur pothuajse asgjë nga bukuritë me të cilat jeni rrethuar, sepse keni qenë me mendime tek problemet që keni pasur dje apo tek problemet që ju presin nesër. I njëjtë është rasti kur jeni nisur me makinë për në shtëpi dhe nuk e dini se si keni arritur deri aty, sepse gjatë gjithë kohës keni qenë në mendime. Është mirë që më shpesh të ndalemi dhe t’iu përkushtohemi së tashmes, duke vështruar rreth nesh dhe duke e shijuar jetën me të gjitha shqisat që kemi.
2. Duhet të kuptojmë që jeta nuk është edhe aq e gjatë
Vetëm këtë jetë e kemi dhe duhet të luftojmë që ta jetojmë ne maksimum. Duhet të gjejmë forcën dhe guximin të luftojmë për gjërat që neve na duken të drejta dhe në të cilat ne besojmë. Duhet të luftojmë për njerëzit që i kemi për zemër dhe duhet t’iu tregojmë se sa me vlerë dhe të rëndësishëm janë për ne. Çka do që ka nevojë të bëhet, duhet t’ia fillojmë tani, sepse nesër mund të mos kemi këtë mundësi.
3. Duhet të gjejmë funksionin tonë në jetë
Duhet t’i kushtojmë kohë vetës dhe të gjejmë se çka ne dimë të bëjmë më së miri, çka bëjmë ne me pasion, çfarë vlere mund t’i ofrojmë rrethit në të cilin jetojmë. Pasi të gjejmë përgjigje mbi këto pyetje është me rëndësi të veçantë që ne të përkushtohemi maksimalisht në ofrimin e këtyre vlerave në shoqëri. Në të shumtën e rasteve jeta e një të riu fillon me ëndrra dhe pastaj ato ëndrra shkatërrohen nga sistemi të cilin vetë e kemi krijuar.
Jeta ka shumë mësime. Këto janë vetëm disa nga më baziket. Është me rëndësi që të gjejmë sa çka dëshirojmë në jetë, se çka dëshirojmë të bëjmë me jetën tonë – sepse nëse ne këtë nuk e dimë, atëherë dikush tjetër do të dijë se çka të bëj me jetën tonë, e kjo kurrë nuk do të jetë ne favorin tonë.


Leave a Reply