Zoti Rugova, i biri i ish presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dyshohet për përfshirje në krim të organizuar.
Vetëm pak pas lirimit nga Gjykata e Apelit, ish deputeti i Parlamentit të Kosovës Ukë Rugova është arrestuar sërish me urdhër të prokurorisë së posaçme të Kosovës.
Zoti Rugova qe arrestuar në fillim të muajit shkurt nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe që nga ajo kohë ndodhej në paraburgim. Zoti Rugova është i biri i presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Të premten ai ishte liruar nga paraburgimi me një vendim të Gjykatë së Apelit për t’u arrestuar menjëherë me urdhër të Prokurorisë së posaçme të Kosovës.
Në një njoftim të lëshuar nga Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, thuhet se “Ukë Rugova dyshohet për kryerje të këtyre veprave penale: krim i organizuar, vepër penale të mashtrimit, ushtrim të ndikimit, kontrabandë të emigrantëve dhe shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit”.
Ukë Rugova, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, bashkë me ish kryeministrin e shqiptarëve në mërgim, Bujar Bukoshi dhe disa veprimtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeloi listën me emrin e ish presidentit Rugova.
Me këtë listë mori pjesë në zgjedhje në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa pas tyre i qe bashkuar koalicionit qeverisës në Kosovë të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply