
Razip Mahmutaj dyshohet se ishte një nga personat që iu kundërvu me armë forcave policore gjatë operacionit kundër narkotikëve
Një person i kërkuar nga policia nga fshati Lazarat i Gjirokastërs iu vetëdorëzua policisë. Razip Mahmutaj u shoqërua nga forcat speciale në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.
Mahmutaj dyshohet se ishte një nga personat që iu kundërvu me armë forcave policore gjatë një operacioni dy ditë më parë.
Në një kapanon në pronësi të tij policia gjeti një sasi të madhe lëndësh narkotike.
Banorët në Lazarat po djegin sasi të mariuanës ndërkohë që tensionet mes personave të armatosur dhe policisë po vazhdojnë.
Në Gjiroakstër si pasojë e erës janë shpërndare re tymi nga djegia e hashashit ndërkohë që aroma e hashashit po ndihet në disa nga lagjet e qytetit. Vatra zjarri po shihen në zona të fshatit Lazarat për të cilat dëshmimatrët thonë se janë sasi mariaune që digjen nga vetë banorët.
Situata e tensionuar në fshatin jugor të vendit Lazarat, vazhdon prej më shumë se 48 orësh policia ka vazhdon një operacion të gjerë kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftimet nga Lazarati bëjnë të ditur se gjatë gjithë ditës së sotme ka patur shkëmbime të shpeshta zjarri mes policisë dhe një grupi personash që po kundërshtojnë ndërhyrjen e saj.
Dy barinj, të moshës 19 dhe 33 vjecare, të cilët nuk janë banorë të fshatit, mbetën të plagosur pasdite. Sipas policisë ata janë qëlluar nga personat që po bëjnë rezistencë të armatosur.
Të shtëna me armë ka patur edhe gjatë natës, ku sipas policisë është plagosur edhe një efektiv i forcave speciale. Ai ka marrë plumba në këmbë dhe në dorë, por është jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se nga dy banesa në fshat, ku sipas saj është grumbulluar një sasi e madhe armatimi, po qëllohet ndaj forcave të saj. Trupat e përfshira në operacion, janë përforcuar dhe numri i tyre është rritur nga 500 në 800 forca.
Të paktën katër mjete të blinduara të policisë mësohet se kanë mundur të hyjnë disa herë deri në brendësi të fshatit. Pasdite u njoftua se “janë kontrolluar 20 shtëpi në fshatin Lazarat.
Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur sasi të konsiderueshme bimë të kultivuara, boçe kanabisi, makineri per presimin e kanabisit dhe municione në sasi të mëdha”, shpjegon komunikata e Policisë.
Ndërkaq gjashtë persona janë arrestuar, pasi u paraqitën vetë në polici për të deklaruar se nuk ishin pjesë e grupit që po shfa rezistencë. Por sipas njoftimeve zyrtare ata dyshohen të kenë qëlluar ndaj policisë si dhe të kenë sulmuar ekipin e televizionit A1 Report, gjatë ditës së djeshme në Lazarat.
Ministria e Brendshme dhe policia kanë përsëritur sot thirrjet drejtuar banorëve që të mos lëvizin nga banesat e tyre, ndërsa u kanë kërkuar personave që kanë përdorur armë ndaj forcave të rendit që të dorëzohen. “Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën e tyre ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”, nënvizon komunikata e policisë.
Nga ana e tij Drejtori i përgjithshëm Artan Didi rikonfirmoi se “operacioni i nisur do të vazhdojë deri në fund. Ne jemi të vendosur që ligji te sundoje në cdo centimetër të hartës së vendit”.
Sipas zotit Didi, “operacioni i nisur si një ndërhyrje ndaj kultivimit të bimëve narkotike, është kthyer edhe në një operacion kundër një grupi kriminal që e ka mbajtur nën kthetra fshatin”, theksoi zoti Didi.
Edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili pas mesditës shkoi në Gjirokastër ku pati takime me drejtues lokalë dhe ata të policisë, deklaroi se “atij grushti kriminelësh, që kanë guxuar të ngrenë armët kundër policisë, iu ka ardhur ora”.
Përpjekjet ndër vite të autoriteteve për të ndërhyrë në Lazarat kanë dështuar. Në 2004, një helikopter i policisë italiane i cili po kryente një fluturim monitorimi mbi fshat, për llogari të policisë shqiptare, u qëllua me armë.
Para dy vjetësh mjetet e policisë italiane u vunë sërish në shërbim të autoriteteve për të kqyrur dhe zbuluar nga ajri plantacionet me marijuanë. Vitin e shkuar, përfaqësuesit italianë deklaruan në përfundim të një misioni një mujor se në Lazarat ishin 319 hektarë sipërfaqe e mbjellë me bimë narkotike, të cilat mund të jepnin një prodhim prej afër 900 tonësh.
Një sasi e cila nëse do të shitej në tregjet me pakicë në Europë do të vlente 4.5 miliard euro.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply