Ne foto- ( Ne varrimin e Tomsonit, Princi, Armstrong me Faik Konicen_1) – Kjo është një kronikë e Betejës së Urës së Dajlanit, kur principata shqiptare e Princit Vid u përball me një kryengritje të brendshme dhe me komplote të shumta të jashtme që synonin të shkatërronin ekzistencën e shtetit shqiptarFluturak Gërmenji
Qershori i vitit 1914 ishte tepër i nxehtë dhe i mbushur me krisma, por prapaskena e tij ishte data 17 Maj 1914. Në të njëjtën ditë, kur Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit firmoste “Protokollin e Korfuzit” nisi lëvizja ushtarake, si një rebelim fetar kundër Princ Vidit. Në fillim të saj, udhëheqësit zyrtarë ishin Haxhi Qamil Fejza dhe Musa Qazimi, por prapa qëndronte Esat Pashë Toptani. Rebelët sulmuan tek Ura e Limuthit një grup luftëtarësh që po niseshin për mbrojtjen e viseve jugore. Veprimet e rebelëve u drejtuan nga ish-ushtarakë të Perandorisë Osmane të cilët i dinin të gjitha shtigjet dhe mënyrat për të luftuar forcat e Princ Vidit. Në këtë kohë, grekët të maskuar si “Vorio-Epirotë” mbanin të pushtuar Jugun e vendit dhe kryenin veprime luftarake, duke djegur e duke plaçkitur fshatrat shqiptare, kurse Esat Pashë Toptani komplotonte vazhdimisht kundër qeverisë dhe Princ Vidit. Me mbështetjen e një grupi patriotësh me në krye Faik Konicën, siç përshkruan kapiteni irlandez Duncan Armstrong, sekretari personal i Princ Vidit, oficerët holandezë morën autorizimin mbretëror për arrestimin e Esat Pashë Toptanit më 20 maj 1914. Me këmbënguljen e kryediplomatit italian në Durrës, Baron Aliottit, Princ Vidi nuk e nxori para gjyqit ushtarak pashanë, por e lejoi të largohej në Itali. Duke e njohur karakterin e ish-ministrit të tij, Princi i mori një deklaratë të firmosur prej pashait. Ja deklarata e botuar më vonë nga Princ Vidi: “Unë zotohem me fjalën time të oficerit, të largohem nga Shqipëria dhe të mos rikthehem sërish, pa miratimin e nënshkruar personalisht nga Lartmadhëria e Tij, Mbreti. Unë zotohem, gjithashtu, të qëndroj larg çdo veprimtarie turbulluese të brendshme ose të jashtme. (Nënshkruar Esat Toptani)”.
Ne varrimin e Tomsonit, Princi, Armstrong me Faik Konicen_1
Tashmë dihet se Pashai nuk e mbajti fjalën e “oficerit”! Veprimtaria e tij vazhdonte, sepse ai kishte lidhur marrëveshje me grekët për të krijuar rebelimin shtetëror. Nga ana tjetër, serbët ndihmonin me para dhe kishin dërguar disa oficerë komandues pranë shtabit të rebelëve, që mbanin lidhje të drejtpërdrejtë me komandantin, Haxhi Qamilin. Këtë kontingjent oficerësh serbë e përmend edhe Kapiteni Armstrong, sekretari i Princit. Kurse Fuqitë e Mëdha, ndryshe nga zotimi solemn i Londrës, e kishin harruar Shqipërinë pasi po përplaseshin me njëra-tjetrën… Në librin e tij historik, “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja”, Kostë Çekrezi e konfirmon këtë: “Ajo çka i ndihmoi më shumë rebelët ishte pafuqia e Qeverisë së Durrësit, ekzistenca e një gjëndjeje lufte në Shqipërinë e Jugut dhe demoralizimi fill mbas plasjes së kryengritjes e që erdhi si pasojë e ndërhyrjes dhe i intrigave të huaja”. Për të rregulluar situatën, pikërisht në atë fillim qershori, Princi caktoi kolonelin Tomson si drejtor të Forcave të Armatosura, një post që “de facto” ishte ministër i Luftës. Ai u mundua që të vendoste rregull në Durrësin e mbushur me intriga nga agjenturat e huaja. Siç ka thënë Faik Konica, ai bashkëpunoi me komandantët popullorë si Isa Boletini, Bajram Curri, Simon Doda, por edhe me oficerët e njohur shqiptarë si kapiten Kamber Sejdini, kapiten Tole Arapi, toger Meleq Frashëri, si dhe luftëtarët Agustin Prizreni, Ceno Sharra, Ajdin Draga, martirët e Betejës së Durrësit…
…Në atë klimë tepër të nxehtë politike, në fillim të qershorit në vitin e largët 1914, veprimtaria shtetërore në Durrës ishte nën presionin e rebelimit fetar dhe të sulmeve dhe masakrave greke në Shqipërinë Jugore. Megjithatë, pas arrestimit dhe largimit të Esat Pashë Toptanit, jeta në kryeqytet vazhdonte normalisht. Oficerët holandezë zbuluan edhe një komplot mes disa diplomatësh dhe rebelëve, që komunikonin me sinjale me drita në muzg dhe në prag të agimit… Oficerët holandezë, pas kryerjes së detyrave ditore në zbatim të planit të kolonelit Tomson për mbrojtjen e Durrësit, mblidheshin së bashku në Hotel Klementi ose në vilën e inxhinierit Schmidt, siç bënë edhe atë mbrëmje të mesit të qershorit 1914. Ja se si e përshkruan kapiteni Jan Fabius këtë mbrëmje, që kishte të veçantë faktin se ishte mbrëmja e fundit e kolonelit Tomson në Durrës. Të nesërmen ai do të binte heroikisht në Betejën e Urës së Dajlanit: “Të gjithë ishim të ftuar tek Frau Schmidt. Aty ishte atmosferë jashtëzakonisht e këndëshme. Po luhej muzikë dhe po kërcehej. Në orën njëmbëdhjetë erdhi Koloneli. Ai menjëherë u fut brenda dhe atëhere na tregoi se Princi kishte refuzuar përfundimisht ta shkarkonte nga detyra atë dhe se Turhan Pasha kishte bërë gjithçka që të ndodhte e kundërta. (Shkarkimin e Tomsonit e kishte kërkuar ambasadori italian z. Aliotti, pasi holandezët kishin arrestuar italianët, që jepnin sinjale me drita me rebelët. – shënimi i autorit.) Koloneli kërceu edhe me Frau Schmidt dhe Frau Knothe. Unë kisha shërbimin e rojës jashtë. Pra, atë natë do të flija në kazermë… Kështu u largova kur gëzimi ende ishte në kulmin e tij. Kur dola jashtë i dëgjova zërat e tyre të lartë… Pas kësaj shkova tek rojet, pashë që gjithçka ishte në rregull dhe pastaj vajta të flija”.
Fatkeqësisht, plani i kolonelit Tomson për mbrojtjen e Durrësit dhe për sulmin e parashikuar më 17 qershor, ishte dekonspiruar… Rebelët, të komanduar nga ushtarakë të huaj, sulmuan Durrësin dy ditë përpara, më 15 qershor 1914. E famshmja Edith Durham e shpjegon këtë situatë në librin e saj “Njëzetë vjet ngatërresa ballkanike”. Ajo tregon se e kishte dëgjuar gazetarin italian Fakineti të porosiste hotelxhiun për ta zgjuar shpejt në mëngjez. Po kështu veproi edhe zonja Durham. Ajo shkoi pas tyre dhe arriti në fushëbetejë. Aty i ndaloi kapiteni Fabius, të cilit i komunikuan se Tomsoni ishte plagosur rëndë dhe mund të kishte vdekur. “Fabius, – shkruan Durham, – m’u lut të mos e bëja fjalë me njeri.”
Por si kishte ndodhur ngjarja, që mbeti në histori si “Beteja e Durrësit” apo “Beteja e Urës së Dajlanit”? Po sjellim një përshkrim të At Gjergj Fishtës, firmosur “Chronologus”, botuar në korrik 1914. Ja se si e përshkruan poeti i madh shqiptar momentin kulminant të betejës, çastin heroik të rënies së kolonelit Tomson: “Krisi lufta për gjithë anësh, a thua se shkjau ishte tue mbytë turkun e anadollit e jo se ishim tue u vra vlla me vlla, shqyptari me shqyptar. Në pushkët e para mbet Tomsoni e diq si burrat tue thanë: “Rrnofë Mbreti! Rrnoftë Shqypnija!” Ai, prej Holande, vjen e ep jetën për Shqypninë e des tue thanë “Rrnoftë Shqypnia!” E do qena shqyptarësh, tue pasë të gjallë Shqypninë, desin për me e humbë Shqypninë… I marroftë zoti!”…
Ngjarjet e Durrësit përshkruhen me hollësi edhe në dy libra të botuar nga kapiteni Jan Fabius, që komandonte artilerinë nga Kodra e Vilës dhe nga sekretari personal i Princit, kapiteni Armstrong, që kaloi nëpër transhetë e betejës së asaj dite. Edhe shumë dëshmitarë të tjerë, si dhe gazetarët, që ishin në Durrës, kanë përshkruar çastet e vdekjes së kolonelit Tomson. Ata tregojnë se koloneli Tomson kishte dalë herët në mëngjes dhe kishte shkuar afër Urës së Dajlanit, ku ishte një ndërtesë e vogël e xhandarmërisë. Ai po inspektonte fushën e betejës dhe kishte dhënë disa urdhra për lëvizjen e trupave shtetërore dhe të luftëtarëve nga Veriu, pasi rebelët kishin sulmuar që në orët e para të lindjes së diellit.
Koloneli Tomson kishte hipur në kalë dhe shoqërohej nga koloneli Roelfsema. Ata qëndruan para magazinës së karburantit, afër Urës dhe nisën kundërsulmin e forcave shqiptare. Kapiteni Fabius tregon atë që pa në vendngjarje: “Shpërtheu një zjarr i fuqishëm nga ana e sulmuesve dhe dukej sikur mburojave të topave u bihej me çekiça. Njerëzit që përdornin topat u shqetësuan. Unë arrita t’i mbaja ata në vendin e tyre dhe i bëra të gjuanin me zjarr të shpejtë. Kisha qendruar mes dy topave dhe papritmas pashë që sulmuesit u ngritën në një sulm të vrullshëm, por gjuajtjet e mija godisnin në distance prej shtatëqind metrash. Sulmi u ndërpre. Në të njëjtin çast erdhi tek unë një shqiptar, i cili më fliste anglisht: ‘Koloneli është plagosur!’. Unë nuk doja ta besoja, por një çast më vonë ai erdhi përsëri dhe tha ‘Koloneli vdiq!’ Unë nuk mund ta besoja, por ndërkohë pashë dr. Reddingus dhe kolonelin Roelfsema, që po vinin në drejtimin tim. Ata dukeshin shumë të trishtuar dhe pata menjëherë frikë se kishte ndodhur më e keqja! “Është e vërtetë?” pyeta unë me të shpejtë. “Po!”, u përgjigj Reddingus. “Ai u vra!”
Një dëshmi që na vjen nga Syrja Vlora tregon se “Komandanti holandez Tomson me shokë, përpiqej jashtëzakonisht për t’i organizuar malësorët. Ata ia dolën mbanë dhe i nisën deri tek Ura e Dajlanit. Tomsoni, i hipur mbi kalë, shkoi përpara deri tek vija e parë, por u qëllua në kraharor dhe ra në tokë. I gjori Tomson, kishte këshilluar një oficer që ndodhej pranë tij, të ruhej nga plumbat që vinin drejt tyre, por në fakt ra vetë i vrarë”.
Momentin e fundit të vdekjes së kolonelit Tomson e përshkruan Armstrong, që e kishte takuar përpara sulmit të rebelëve: “Ai ishte goditur në grykë, vetëm disa minuta pas largimit tim dhe kishte vdekur pothuajse menjëherë. Majori Roelfsema dhe z. Artur Moore i gazetës “Times”, kishin vrapuar mes plumbave dhe e kishin tërhequr deri tek vendi i mbrojtur.” Gazetari italian A. Italo Sullioti, në librin “Gjashtë muaj mbretërimi në Shqipëri” e përshkruan rrugën e kolonelit Tomson me kalë, nga Pallati Mbretëror, për tek linja e parë e mbrojtjes, deri tek ura e kënetës, ku u vra. Dëshmia e tij është e njëjtë me atë të Syrja bej Vlorës.
Koloneli Tomson dha shpirt në duart e bashkëluftëtarëve të tij holandezë, majorit Roelfsema dhe majorit Reddingus, mjekut ushtarak, që i dha dhe ndihmën e fundit, por pa mundur ta shpëtonte. Bashkë me atë, në betejën e 15 qershorit 1914 u vranë edhe shumë luftëtarë shqiptarë, ndër ta dëshmorët kapiten Kamber Sejdini, Haki Glina, Ceno Sharra, Ajdin Draga, Agustin Prizreni… Ishin 15 dëshmorë.
Me nota realiste, në librin e tij, kapiteni Fabius shpjegon se si kundërsulmi i forcave të xhandarmërisë dhe zjarri i zgjatur dhe i përpiktë i artilerisë, rivendosën situatën dhe Durrësi shpëtoi. Nga rebelët u vranë disa qindra vetë.
Ja se si e përshkruan këtë ditë Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në KNK, Harry H. Lamb: “Rreth orës 4.15 të mëngjesit u dëgjuan të shtëna të shumta në drejtimin e urës mbi rrugën që të çon në Shijak, vetëm rreth 1 milje larg nga qendra e qytetit, dhe, në një kohë mjaft të shkurtër, kryengritësit e pushtuan këtë pozicion, pastaj avancuan deri rreth 300 metra larg nga vija e fundit e mbrojtjes së llogoreve, të vendosura në rrethinat e qytetit. Këtu ata u pritën nga një zjarr i furishëm pushkësh dhe mitralozash, të ndihmuar në mënyrë të fuqishme edhe nga topat malorë, që gjendeshin në lartësitë pas qytetit, të cilët bënë një punë të mirë me predhat e tyre. Armiku u ndalua, por, fatkeqësisht, nënkoloneli Tomson, i cili ishte duke i komanduar vetë njerëzit e tij dhe duke i nxitur ata që të përparonin, u qëllua nga një plumb qorr dhe ra në tokë pothuajse menjëherë. Në çastin e vdekjes së tij, ishin me të vetëm një oficer tjetër holandez dhe korrespondenti i posaçëm i gazetës “Times” dhe të dy këta e mbajtën atë deri në strehën e një kasolleje të vogël. Në kohën kur mbërriti doktori, ai kishte vdekur”.
Dëshmitari kryesor okular, majori Lucas Roelfsema, i cili ishte bashkë me komandantin në fushëbetejë ka treguar: “Papritmas koloneli Tomson u kthye duke më thënë: ‘Unë jam plagosur!’ Pashë dy vrima të vogla në xhaketën e Tomsonit, njëra mbi gjoksin e djathtë, në afërsi të venës në qafë, ndërsa tjetra pak më lart, po në shpatullën e djathtë. Vrapova menjëherë me të plagosurin drejt ndërtesës më të afërt, për ta hequr nga fusha e betejës. Koloneli Tomson më foli përsëri: ‘Le të vinë të më marrin!’ dhe ra i shembur papritmas, pas tridhjetë hapash. Burrat, që erdhën, u përpoqën për ta sjellë Tomsonin në jetë por kjo nuk solli asnjë dobi. Doktori u afrua me nxitim, por mundi vetëm të identifikojë vdekjen e shkaktuar nga gjakderdhje e brendshme për shkak të prerjes së arteries kryesore.”
Një dëshmi tjetër nga bashkëkohësit është ajo e Sejfi Vllamasit, i cili shkruan në kujtimet e tij: “Një kavajas kalon tinëzisht nga Ura e Dajlanit e nëpër det i afrohet Gazhanës, fshihet prapa një shkoze dhe prej andej qëllon dhe e vret Tomsonin. Mbas tij e vret edhe Ajdin Dragën, të vëllanë e Nexhip Dragës, pa u kuptuar aspak se nga vinin plumbat. Por një xhandar kurveleshas e dikton kavajasin dhe midis dy palëve fillon një duel qitjesh, e cila merr fund me vrasjen e kavajasit”…
Atë mbrëmje lajmi u përhap në Durrës dhe kudo. Oborri Mbretëror, qeveria dhe populli i Durrësit filluan përgatitjet për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolonelit Tomson, që nuk kurseu as gjakun e tij për mbrojtjen e shtetit shqiptar. Siç kujton Syrja Bej Vlora, “në orën 7.30 xhenazja e kolonelit Tomson mbërriti në oborrin e Pallatit Mbretëror. Mbreti, personalisht, vuri mbi arkivolin e tij medaljen ‘Shqiponja e Shqipërisë’, të cilën e kishte krijuar vetë”. Ndërsa Princ Vidi shkruan: “Vdekja e kolonelit Tomson më tronditi jashtëzakonisht. Ai kishte punuar pa u lodhur e duke u vetësakrifikuar për fortifikimin e Durrësit dhe trajnimin e njësive ushtarake. Karakteri i tij i ndershëm e besnikëria e tij e pashoqe, kanë pasur për mua një vlerë të veçantë”.
Ceremonia e varrimit u zhvillua të nesërmen dhe morën pjesë të gjithë, që nga Princ Vidi, ministrat e Trupi Diplomatik, si dhe patriotët e shumtë që erdhën në Durrës, si Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Mehmet Deralla, Mehdi Frashëri, etj. Faik Konica mbajti në gjuhën frënge fjalën e rastit, që është botuar në revistën “Zana”, Durrës 1914. Ja fjala e tij, sipas këtij botimi, përkthyer nga prof. dr. Përparim Kabo:
“Ministri i Brendshëm m’u lut të flisja në emër të tij. Unë e pranova këtë nder të trishtuar për të thënë një lamtumirë supreme për Heroin Holandez, të cilin e qau gjithë Shqipëria.
Koloneli Tomson kishte ardhur në Shqipëri para gjashtë muajsh, me oficerë të tjerë holandezë, i ngarkuar me një mision të nderuar: Për të vënë sado pak rendin në këtë vend fatkeq! Komploti i Beqirit pat nxjerrë menjëherë në reliev karakterin e fortë dhe të drejtë, të përbërë nga një bllok i vetëm dhe shpirtin e lexueshëm dhe veprues të Tomsonit. Dihet se si Ai, me një gjakftohtësi të mrekullueshme, ndërhyri në anijen që vinte për të gjallëruar konspiratorët. Ai i çarmatosi një nga një, duke hedhur në det, me një gjest sublim, një bombë që u zbulua dhe i vuri fajtorët përballë gjyqit ushtarak.
Ky episod shpërthyes përflaku imagjinatën e popullit dhe fillimet e moshës sonë të re dhe emri i Tomsonit u bë menjëherë legjendar në oxhaqet tona. Një ngjarje, shumë më e dhimbshme, që ndodhi pas disa muajsh, ngriti tejet në shpërthim këtë emër dhe e shtoi më tepër admirimin dhe adhurimin që Tomsoni gëzonte në Shqipëri. Që prej rebelimit, që pat shpërthyer në Shijak dhe në Kavajë, nga të gjitha anët thuhej: “Po ku është, pra, Tomsoni?”
Pas disa ditësh, shkruhej me gëzim: “Tomsoni mbërriti!” Gjithçka do të shkojë në rregull! Besimi i përgjithshëm ishte plotësisht i justifikuar.
Porsa zbriti në Durrës, Tomsoni u vu në punë. Dhe, ndërsa kërkonte të kapte dorën misterioze, që kishte ndezur Luftën Civile dhe kishte aktivizuar zjarrin, Ai kombinoi një lëvizje të përgjithshme, të destinuar për pengimin e rebelëve në të gjitha drejtimet dhe i dërrmoi me një goditje forcat e tyre dhe shpresat e tyre të kota.
Sa keq! Komandanti heroik, nuk do të shihte realizimin e veprës, që kishte përgatitur!
Surprizuar nga një përpjekje e zjarrtë, që Ai zbatoi dhe e cila bëri që Durrësi të shpëtonte nga duart e rebelëve, koloneli Tomson e stabilizoi situatën në sajë të heroizmit të tij të rrufeshëm. Por Shqipëria, që ishte mësuar ta donte atë si mbrojtësin e rreptë të rendit publik, po e qan tani atë si një martir të Lirisë sonë.
Tomsoni kishte vdekur në fushën e nderit! Mirënjohja jonë për Holandën, që na e kishte dërguar atë, barazohet me admirimin për popullin, që rriti heronj të tillë!
Tomsoni gëzoi besimin e Princit, sovranit tonë august. Populli shqiptar e deshi atë me një nderim të thellë… Dhe vetë kundërshtarët ishin të detyruar ta çmonin atë.
Kalimi i tij i shkurtër në Shqipëri do të linte gjurmë të ndritur, e cila do të na ndriçojë në rrugën e detyrës.
Dhe shembulli i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe në historinë tonë, si një monument shumë më i pavdekshëm se ai prej bronxi…”.
Nderimi për kolonelin Tomson filloi atë ditë qershori të Ceremonisë së Lamtumirës, vazhdon edhe sot, si dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi ai ka derdhur gjakun në themelet e shtetit shqiptar. Ky nderim sublim filloi me lamtumirën mjeshtëror të Konicës, poezinë e Asdrenit dhe elegjinë e famshme të Fan S. Nolit…
Koloneli Lodevijk W. J. K. Tomson
Oficeri më me autoritet në Misionin Ushtarak Holandez ishte koloneli Lodevijk W. J. K. Tomson. Sipas biografëve dhe historianëve, Tomsoni në ato vite, ishte një nga oficerët holandezë më të spikatur në Mbretërinë e Holandës, si nga arsimimi e nga përvoja ushtarake, ashtu edhe nga intelekti dhe nga angazhimet konkrete ushtarake dhe politike. Si deputet, Tomsoni bëri përshtypje me fjalimet e tij për organizimin ushtarak në Holandën e fillimshekullit. Opozita e parashikonte Tomsonin si ministër të ardhshëm të Luftës, me treguesit më popullorë, të mundshëm në atë kohë. Edhe si natyrë njerëzore, koloneli Tomson ishte shumë i afrueshëm dhe i hapur.
Koloneli Tomson ishte oficeri më i shquar i Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri, në vitet 1913 – 1914. Ai ishte 44 vjeç kur erdhi në Vlorë. Siç shkruan Dr. C. M. Shulten, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Historianëve Ushtarakë, Lodevijk Willem John Karel Tomson, lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten, Hagë. I ati, Bernard Heideenreich Tomson, ishte mjek i marinës ushtarake dhe ka shërbyer në Shtabin e Flotës Mbretërore Holandeze. E ëma ishte Wilhemlina Pompe van Meerdervoort, nga një familje fisnike. Ajo i dha mësimet e para private, duke e edukuar atë me dashurinë për librat dhe kulturën ushtarake. Gjyshi i tij ka qenë oficer këmbësorie, me gradën major, pjesëmarrës në betejën e famshme të Vaterlosë. Tomsoni i vogël, e filloi shkollën në Bergen – op – zoon në Hagë dhe, më vonë, në Roterdam. Ai ishte një nxënës i zgjuar, me sy të bukur dhe të ndritshëm. Pasi mbaroi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, duke vazhduar edhe traditën familjare, Tomsoni u regjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1883. Tomsoni arriti ndër rezultatet më të larta në provimet e pranimit. Më 25 korrik 1888, ai e përfundon Akademinë Mbretërore Ushtarake me rezultate të shkëlqyera, duke e lënë emrin e tij të gdhendur në Librin e Artë të shkollës, edhe sot i afishuar në një faqe muri në Senatin e Akademisë. Emërimin e tij të parë ushtarak, i graduar si nëntoger këmbësorie më 1888, Tomsoni e pati në garnizonin Nijmegen, në Regjimentin e 5-të të Këmbësorisë. Tomsoni kishte një talent të veçantë si hartograf, talent të cilin e shfrytëzoi edhe Instituti i Topografisë Ushtarake në Hagë.
Në vitin 1892, Tomsoni gradohet toger dhe fiton dekoratën e lartë “Kryqi i Nderit”. Që në moshë të re, ai botoi në revistat ushtarake. Më 28 tetor 1893 caktohet me shërbim në Rezervat Koloniale, në Ushtrinë e Indisë Holandeze, në Batavia, sot Xhakarta në Indonezi. Tomsoni e vazhdoi karrierën e tij ushtarake, duke dhënë provimet e kualifikimit për Shkollën e Lartë të Luftës, ku studionin oficerët e shtabit. Me një Dekret të Mbretëreshës së Holandës, më 22 dhjetor 1899, Tomsoni caktohet si atashe ushtarak në Afrikën e Jugut. Pas kthimit, kapiteni Tomson u emërua në Shtabin Madhor, në Zyrën e Historisë Ushtarake. Këtu ai hartoi studime të mirëfillta shkencore ushtarake dhe realizoi ëndrrën e tij për të përgjithësuar përvojën ushtarake në analiza të thella dhe me konkluzione teorike dhe praktike. Në Bibliotekën e Akademisë Mbretërore Ushtarake në Breda, edhe sot studiohen librat e Tomsonit, të cilat janë shumë të vlefshme, si për anën shkencore, ashtu dhe forcën e tyre përgjithësuese. Në to shpalosen edhe ide të guximshme për kohën. Oficeri pasionant, shkruante se kishte ardhur koha që të ndryshohej organizimi ushtarak në Mbretërinë e Holandës. Ai vendosi të hynte në Parlament në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve më 1905, për përfaqësimin e Leuwardenit, duke zënë një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Katër vjet më pas, ai fitoi përsëri. Tomsoni mori shpesh nisma për të paraqitur idealet e tij demokratike në ushtri. Gjatë krizës qeveritare të vitit 1911, Tomsoni ishte ndër ata që u quajtën ministër Lufte, pozicion ky që në fakt i takoi H. Colijn. Më 1912 Colijni e dërgoi Tomsonin, me kërkesën e tij, si vëzhgues ushtarak në Ballkan…
Por koha e thirri Tomsonin përjetësisht në Shqipëri. Me dekret të Mbretëreshës së Holandës, Wilhemlina, ai erdhi në Vlorë më 10 nëntor 1913 dhe u vra në Betejën e Durrësit më 15 qershor 1914, 100 vjet më parë…
Gazeta Shqip



Leave a Reply