![]()
Shpesh qëllon në një ambient pune kur dy punonjës nisin një histori dashurie, më së shumti, të fshehtë. Por kjo lidhje mund të sjellë probleme për punën e të tjerëve. Një menaxher burimesh njerëzore jep këshilla si duhet vepruar
Dilema
Pyetje: Dy kolegë pune në një skuadër të vogël kanë një histori dashurie: por ka një problem: njëri është i martuar me fëmijë, që po tradhton bashkëshorten. Tjetra është nënë e divorcuar. Ndërsa kjo nuk shkel politikat e burimeve njerëzore, marrëdhënia e tyre ka krijuar një situatë të pakëndshme për kolegët e tjerë. Çfarë mund të bëhet?
Përgjigje: Ka një problem etik këtu, por ky problem nuk është i yti. Është qartazi e gabuar të bësh hile ndaj bashkëshortes tënde. Gjithsesi nuk është përgjegjësia jote të raportosh çiftin klandestin te zyra e Burimeve Njerëzore për sa kohë sjellja e tyre nuk të shkakton probleme të drejtpërdrejta. Ti duhet të përzihesh me këtë punë vetëm në rast se lidhja shkaktoi probleme në produktivitetin e skuadrës.
![]()
“Realiteti i kësaj situate është se, veçanërisht në skuadrat e vogla, ti ke nevojë të gjesh mënyrat për të parë përtej sjelljeve personale të kolegëve të ty, të bësh qorrin, nëse mund ta themi kështu dhe të përqendrohesh në gjërat që ti mund t’i kontrollosh”, thotë Thorn Xhens (Jennes), drejtor ekzekutiv i një kompanie të menaxhimit të burimeve njerëzore në Nju Jork.
![]()
Megjithëse ca elemente të jetës personale të kolegëve të tu mund të duken të urryera, dhe shumë larg standardeve të tua morale, nuk duhet të lejosh që kjo ndjenjë të prekë ndërveprimin tuaj me ta në kontekstin e punës. Për sa kohë ti mund të bësh punën tënde dhe ata mund të bëjnë punën e tyre, është problemi i gjithsecilit se me kë krijojnë lidhje.
Gjithsesi, nëse mendon se kjo çështje do ta bëjë më të vështirë punën tënde, kërkoi menaxherit tuaj për të ndryshuar rol brenda kompanisë, por bëje këtë në mënyrë diskrete.
Personi që ka një problem real këtu është menaxheri juaj, i cili mbikëqyr secilin prej personave në këtë çift. E para, ajo duhet të vlerësojë nëse kjo situatë përbën shkelje të politikave të kompanisë. Nëse kjo është e vërtetë, problemi është zgjidhur: kompania sipas të gjitha gjasave ka një procedurë të parapërcaktuar të trajtimit të rasteve të dhunimit të politikave, gjë që e nxjerr problemin nga duart e menaxherit.
![]()
Por nëse nuk ka rregulla të kompanisë që janë shkelur, atëherë është koha që menaxheri dhe dy kolegët e tu të hyjnë në një dhomë diskrete, të mbyllin derën dhe të diskutojnë. Menaxheri duhet të përqendrohet te ndikimi që marrëdhënia po fillon të ketë në pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa duhet të përmbahet nga dhënia e opinionit nëse ajo i miraton apo nuk i miraton sjellje të tilla.
Menaxheri duhet gjithashtu t’i kërkojë çiftit të tregohen diskretë dhe t’i paralajmërojë se, nëse marrëdhënia fillon të shkaktojë probleme në punën e të tjerëve, ajo mund të detyrohet ta paraqesë problemin te shefat e saj – ose ta ndajë çiftin në skuadra të ndryshme pune.
“Si menaxher, në disa raste, gjëja më e vështirë është t’u tërheqësh vëmendjen vartësve të tu mbi faktin se si sjellja e tyre personale po prek pa e ditur anëtarët e tjerë të skuadrës”, thotë Xhens.
Njerëzit nuk pëlqejnë të dëgjojnë se jeta e tyre private është një sekret që dihet nga të gjithë në zyrë. Por ky është një rrezik që ata e marrin parasysh kur fillojnë të dalin për takime me kolegët.
Gazeta Shqip


Leave a Reply