Ish të përndjekurit kërcënojnë se do të digjen të gjithë.Një tjetër grevist urie është vetëflijuar dje duke i vënë flakën vetes me benzinë. Lirak Bejko i ka vënë flakën vetes dhe kanë qenë po vetë grevistët e tjerë që kanë ndërhyrë në kohë duke shuar me batanije flakët në trupin e Bejkos. Mjekët e QSUT-së thonë se Bejko ka djegie të shkallës së tretë dhe se 50 për qind e trupit të tij është e dëmtuar. Gjithashtu ka marrë plagë të lehta dhe një tjetër grevist që ju hodh sipër me një batanije për të shuar flakët. Mjekët thonë se Agim Kollçaku ka marrë mjekim ambulator dhe është kthyer në ambientet e grevës. Akti i grevistit Bejko duket se nuk ka qenë spontan, pasi ata prej ditësh paralajmërojnë se do të ndërmarrin veprime të ngjashme, nëse qeveria nuk do të reagojë për kërkesat e tyre. Koordinatori i grevës së ish të përndjekurve, Skënder Tufa, konfirmon se plani do të zbatohet në pika të ndryshme të Tiranës.
Incidenti
Ky është incidenti i dytë i rëndë brenda pak ditësh me ish-të përndjekurit. Të hënën grevisti Gjergj Ndreca në mënyrë demonstrative mori veprimin ekstrem të tentativës për vetëflijim në shenjë proteste për mos reagim të Qeverisë ndaj kërkesave të tyre. Kreu i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë Skënder Tufa tha se pas aktit të rëndë deklaroi se të gjithë grevistët e urisë janë të vendosur që të vetëflijohen dhe se ata kanë përgatitur një listë ku kanë përcaktuar protestën ekstreme të radhës. “Këto janë akte shumë të rënda, por janë të fundit që mund të bëjmë, sepse nuk kemi çfarë të humbasim më. Ish të dënuarit janë kufoma që ecin në rrugë pa dinjitet”, thotë Tufa.
Gjendja shëndetësore
Mjeku, i cili po kujdeset për Bejkon thotë se ai është në gjendje të rëndë, me 50% të trupit të djegur. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo thotë se çdo gjë është nën kontroll, por nëse do të jetë i nevojshëm trajtimi jashtë vendit, do të ndërmerren hapat. Ndërsa gruaja e Bejkos thotë së gjendja e bashkëshortit të saj paraqitet e rëndë. Ndërkaq në vendin ku po zhvillohet greva pa Lirak Bejkon, situata është qetësuar pas ngjarjes. Çadra mbahet nën kontroll gjatë gjithë kohës nga policia. Ndërsa koordinatori i grevës, Skënder Tufa, thotë se kjo ngjarje ishte e paralajmëruar dhe nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave. Ndërkohë në ditën e 19 grevistët kanë vendosur për të mos pranuar politikanë në çadër, pasi sipas tyre grevës po i jepen ngjyra politike.
Berisha: Greva e ish të dënuarve, politike
Kryeministri Sali Berisha, gjatë një konference për media me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, ku ky i fundit i dorëzoi edhe progres raportin e KE-së, u pyet për çështjen e grevës së ish të përndjekurve, e cila sot është në ditën e 19-të të saj dhe deri më tani regjistrohen dy persona që tentuan të vetëflijohen. “I kam kërkuar ministrit të Shëndetësisë që të ketë kujdes maksimal për grevistët e lënduar. Në rastin e parë, ai që i vuri zjarrin shokut (Perikli Shqevi) duhet të përballet me ligjin. Ndërsa në rastin e dytë, unë vlerësoj se nuk janë marrë masat e duhura të sigurisë për grevën, sepse bashkë me ujin në ato ambiente është futur edhe benzinë”, u shpreh Berisha. Kryeministri, në këtë konferencë, konfirmoi qëndrimin e Qeverisë për grevën, duke e cilësuar atë krejtësisht si politike, e duke theksuar se protesta e këtyre njerëzve do të respektohet, ashtu sikurse do të garantohet edhe siguria e tyre. Sipas Kryeministrit Gjergj Ndreca, grevisti që tentoi të vetëflijohej ditën e hënë ka marrë fabrikën e miellit në Laç, ashtu sikurse ka marrë edhe kredi të butë për fermën e derrave, por që nuk mundi ta shlyejë.
Greva e urisë e ish të përndjekurve politik duket se ka dalë jashtë kontrolli. Në ditën e 19 të saj, Lirak Bejko, pjesëmarrës në greve ka djegur veten në tentativë për tu flijuar për kërkesat e tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda perimetrit të çadrës ku janë ngujuar ish të përndjekurit.
Arvizu: Jam i shqetësuar dhe i trishtuar
për vetëflijimin e Bejkos
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka reaguar për vetëdjegien e ish- të përndjekurit të dytë, Lirak Bejko. Arvizu tha se ndjehet i shqetësuar dhe i trishtuar.
“Jam i shqetësuar për atë që ndodhi me vetëflijimin. Ishte një gjë e trishtuar,” tha Arvizu. Ai deklaroi se do mendohet se si mund të dilet nga situata. “Do të mendojmë për një reagim gjatë gjithë natës se si mund të dilet nga kjo gjendje,” tha Arvizu.
Greva e urisë, ndër lajmet e para të BBC
Vetëflijimi i Lirak Bejkos ka bërë që mediat e huaja të merren më shumë me këtë ngjarje të rëndë, sesa me faktin se Shqipëria po merr një status gjysmak, për të hyrë në Bashkimin Europian. Lajmi për djegien e një ish- të burgosuri politik, ishte ndër kryesorët e gjigandit BBC. Më poshtë raporti i tyre: Një ish- i burgosur politik në Shqipëri po trajtohet në spital pasi i vuri vetes zjarrin- rasti i dytë ky në një javë. Lirak Bejko, 47 vjeç, pësoi djegie të rënda të mërkurën, po kështu bëri edhe Gjergj Ndreca, 61 vjeç, që i vuri flakën vetes të hënën. Ata janë mes 20 ish- disidentëve të ish- komunizmit, që nisën një grevë urie 19 ditë më parë. Ata thonë se qeveria nuk i ka kompensuar ashtu siç ishte rënë dakord. Ndërkohë, BE thotë se Shqipëria ka bërë progres në ofertën për tu bashkuar me bllokun. Komisioni Europian thotë se Shqipëria ka arritur një marrëveshje të fortë ndërpartiake për reformat kyçe për tu anëtarësuar në BE. Por statusi kandidat- një hap i rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit- do të jepet vetëm nëse Shqipëria kompleton reformat e domosdoshme në fushën e gjyqësorit dhe administratës publike.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply