Elbasan/Dervish Toska nga Gramshi kishte vrarë në vitin 1993 bashkëshortin e të dashurës së tij ndërsa u vu në pranga dje nga policia e Elbasanit pas 19 vitesh arratie. Personi në fjale kishte qenë i fshehur pothuajse aq sa vite burgim sa kishte për të vuajtur për shkak të krimit të pasionit, ku pasi kishte bërë një plan kishte arritur të mbyste bashkë me të dashurën e tij bashkëshortin e saj. Nëse do të kishte nisur izolimin menjëherë pas procesit, mund do të ishte i lirë nga qelitë e ftohta të burgut. Por tani, pas 19 vitesh arratisje, Dervish Toskës i duhet të vuajë 23 vitet e burgimit të dhëna nga drejtësia shqiptare me akuzën e vrasjes me dashje dhe e kryer në bashkëpunim me gruan e viktimës në krim pasioni.
Arrestimi
Drejtoria e Policisë së Elbasanit konfirmoi finalizimin e operacionit që erdhi pas informatave operative se Toska ishte kthyer në Shqipëri. Aksioni është kryer orët e vona të së martës, duke zbardhur dita e djeshme, në fshatin Dragot të komunës Kajan të Elbasanit dhe pa asnjë bilanc dëmesh apo rezistencë. Dervish Toska, aktualisht 47-vjeçar, ishte arratisur prej vitit 1993, kur kreu krimin në zonën e Gramshit, por që pas kthimit, duke përfituar nga ndryshimi i pamjes së jashtme, gjeneraliteteve dhe fizikut, ka menduar se do të shpëtonte. “Gjykata e Rrethit Elbasan, në bazë të vendimit të dhënë, e ka dënuar me 23 vjet burgim për veprën penale të “vrasjes me dashjes e kryer në bashkëpunim”, bëri me dije policia vendore dje.
Krimi i pasionit
Krimi për të cilin akuzohet Toska ka ndodhur më 8 korrik të vitit 1993, në qytetin e Gramshit, kur ka vrarë për motive të dobëta, duke e mbytur, Agim Blogun, 38 vjeç, banues në këtë qytezë. Nga hetimet e kryera në atë kohë rezultoi se krimi është kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e viktimës, Qerime Blogu, 36 vjeç. Sipas policisë, bashkëpunëtorja në këtë ngjarje, Qerime Blogu, është dënuar me 20 vite burg, ku aktualisht ende vuan dënimin. Mësohet se gruaja ka dalë pas trazirave, por është rikthyer sërish në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Sipas dosjes hetimore, krimi ka pasur motive të forta xhelozie dhe është cilësuar si krim pasioni, për shkak të lidhjes së gruas me të dënuarin Toska. Ngjarja shokoi në atë kohë qytetin e Gramshit, ndërsa vetëm pas 19 vitesh është lokalizuar dhe kapur i dyshuari kryesor i ngjarjes. Një vrasje e ngjashme e përcaktuar si krim pasioni ka ndodhur disa javë më parë në qytetin e Korçës ku një grua dhe i dashuri i saj u masakruan deri në vdekje nga personi me të cilin kjo grua kishte lidhje paralele. Ngjarja u shënua në Kozarë të Korçës dhe vrasësi tashmë është pas hekurave.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply