![]()
E shkuara është e shkuar, por që kur ke zbuluar se ish e dashura e partnerit tënd ishte thjesht perfekte ndihesh më e pasigurt dhe joadekuate. Zili, frustrim, xhelozi, konkurrencë… si të dilni nga ky moçal emocional? Historitë e disa femrave ofrojnë pikënisje për të marrë këshilla nga ndonjë ekspert: ja se cilat janë 5 hapat për të “menaxhuar” këto emocione në mënyrën më të mirë pa shkatërruar marrëdhënien me të, jetën dhe autostimën tuaj
Psikologji
VERONICA MAZZA
Për atë kishe dëgjuar se ishte e këndshme dhe simpatike, por kurrën e kurrës nuk e kishe imagjinuar se mund të ishte një nga femrat më të bukura që kishte parë ndonjëherë. Edhe pse ne femrat spikasim në gjykimet estetike kundrejt të tjerave, sepse një defekt e gjejmë gjithmonë, edhe pse të vogël, me ish të dashurën e mashkullit tënd je e detyruar të ngresh “flamurin e bardhë”: duket si e dalë nga një kopertinë e një reviste mode. Thjesht perfekte! E vërtetë, e shkuara është e shkuar, por që kur zbulove se ish-ja e tij është një perëndeshë ndihesh më e pasigurt dhe joadekuate në raport me burrin tënd. Edhe pse e di se bukuria e jashtme është subjektive dhe se nuk është ajo baza ku mbështet një marrëdhënie me vlerë, përsëri nuk arrin t’i ndalësh dot mendimet negative, zilinë, frustacionin dhe konkurrencën. Por si mund të dalësh nga ky “moçal” emotiv? Si t’i “menaxhosh” në mënyrën më të mirë pa prishur marrëdhënien me atë, pa shkatërruar jetën dhe autostimën tënde? Këtyre pyetjeve, përgjigje u dha psikoterapeutja Marinela Kozolino (Marinella Cozzolino), që ka sugjeruar edhe mënyrat për të hequr qafe “fantazmën” e mrekullueshme.
![]()
Zgjidhja
“Manifestojeni dhe mos e fshihni problemin që ndieni, sepse kjo tregon qartësi dhe transparencë: besojini partnerit tuaj pa asnjë turp dhe siklet. Pranimi i një dobësie nuk duhet të jetë kurrë arsye turpi, përkundrazi është një shenjë maturimi”.
4 emocionet që duhet t’i “hidhni” tej
Konkurrenca
![]()
“Ky lloj emocioni manifestohet nëse ish-ja e tij është shumë e bukur, e arsimuar, e pasur…pra kur e konsiderojmë pothuajse më superiore nga ne. Konkurrenca mësohet në familje dhe është një dinamik tipike fëmijërore. Atë mund ta ‘menaxhosh’ me rritjen dhe me zhvillimin e besimit në vetvete, me aftësitë e tua, me njohjen dhe pranimin e limiteve”.
Zilia
![]()
“Shpesh është konsideruar si pak fisnike, megjithatë është një ndjenjë e shëndetshme. Kjo fjalë për fjalë është një lloj tendence për të njohur dhe vlerësuar diçka pozitive që i përket një tjetri dhe për ta përvetësuar. Mund të jetë një emocion pozitiv nëse bëhet nxitës i përmirësimit rival, më shumë sesa ndaj agresivitetit për të tjerët dhe pakënaqësisë ndaj vetvetes.
![]()
Frustacioni
“Vjen nga krahasimi me ish-en e tij, por varet nga respekti që gjithsecili ka për veten. Sa më i ulët të jetë ai, aq më shumë rritet ndjenja e pamjaftueshmërisë dhe e inferioritetit. Shpesh manifestohet te gratë që lidhen me partnerë narcistë dhe pak besnikë”.
Xhelozia
![]()
“Në raste si ky bëhet fjalë për xhelozi prapavepruese, përveçse kur mes ish-ëve ka ende një lidhje në vazhdim. Xhelozia prapavepruese çon në problemin e kontrollit të kaluarës së partnerit. Por një partner vërtet i dashuruar do të dijë si të sillet për të shmangur vuajtjet e padobishme. Nëse nuk e bën këtë gjë, atëherë vlen të pyesni veten se ku bazohet historia juaj”.
Formula: 5 gjërat që duhet t’i fiksoni në mendje për t’u çliruar nga “fantazma” e bukur e ish-es së tij
1. Ai të ka zgjedhur ty. Kujtojeni dhe përsëritjani shpesh vetes, sepse është pikërisht kështu. Ti je fatlumja!
2. Nëse do të kishte dashur atë, do të kishte bërë gjithçka për ta mbajtur. Por ja që ai është me ty.
3. Nëse do të ishte ende i dashuruar me ish-in e tij nuk do të kishte kuptim të qëndronit bashkë, pavarësisht bukurisë fizike të saj.
4. Është e bukur, vërtetë, por nuk mjafton kaq për ta dashur.
5. Padyshim ai të pëlqen më shumë ty sesa atë tjetrën që t’i mendon se është shumë e bukur: meshkujt dhe femrat, kanë ide krejt të ndryshme për bukurinë.
Gazeta Shqiptare


Leave a Reply