Ngjarja në zonën e Bllokut. Pistat hetimore për vetëvrasjen e Iris Belbës, 22 vjeçe
Silvana Muça
Një vajzë 22-vjeçare është vetëvrarë dje në mënyrë makabre në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Iris Belba, studente në Fakultetin Ekonomik, dega Biznes, është hedhur rreth orës 14:00 nga kati i 16 i “Sky Tower”, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja, sipas personelit të lokalit ka qenë e shpejtë, pasi vajza nuk është menduar dy herë, por ka lënë çantën tek një tavolinë, ka kaluar një rrjetë sigurie dhe është hedhur për të përfunduar e pajetë në trotuar, rreth 50 metra më poshtë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku fillimisht është zbuluar identiteti i vajzës dhe më pas është marrë kontakt me familjarët dhe të afërmit e saj. Pista kryesore e hetimeve është depresioni i viktimës, pasi disa ditë më parë ajo kishte ngelur në provimin e matematikës. Megjithatë, grupi hetimor po heton edhe pista të tjera, që kanë të bëjnë me probleme në familje apo në ndonjë lidhje të mundshme dashurie.
Ngjarja
Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se 22-vjeçarja Iris Belba, në momentin që është hedhur nga lartësia e “Sky Tower”, ka qenë e vetme. Në ashensor e reja është ndeshur me tre gra, ndërsa ka shkuar në lokalin në katin e 16. Pa u ulur fare në tavolinë, i është drejtuar rrjetës së lokalit dhe është hedhur. Burimet nga mjekësia ligjore pohojnë se trupi është përplasur me një shtyllë dhe më pas ka përfunduar në trotuar. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave. Mësohet se në momentin e ngjarjes nuk ka pasur klientë jashtë lokalit, pasi ishte diell i nxehtë. Duke vënë re veprimet e vajzës ata kanë dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe mësuan se vajza ishte vetëvrarë. Pranë vendit të ngjarjes janë afruar edhe kalimtarë të rastit, të cilët përjetuar një skenë tmerri. Brenda disa minutave, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie. Trupi i pajetë ka mbetur për minuta të tëra i shtrirë përtokë. Më pas, ambulanca e ka dërguar në morgun e Tiranës.
Shoqërimet
Grupi hetimor ka shoqëruar dy mikeshat e studentes, të cilat kanë ndihmuar policinë në zbardhjen e shkaqeve paraprake. Ato janë pyetur për disa orë nga hetuesit dhe më pas janë lënë të lira. Hetuesit kanë shoqëruar edhe punonjësit e lokalit dhe disa klientë, që ishin prezent në momentin e ngjarjes. Ata kanë treguar ato pak lëvizje që viktima ka bërë sapo hyri në ambientet e lokalit. Ndër të tjera, grupi hetimor ka kërkuar sekuestrimin e kamerave të sigurisë të lokalit, për të vëzhguar pamjet filmike. Dyshohet se kamerat kanë regjistruar momentet e hedhjes së studentes nga lartësia. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet personale të viktimës. Në lokal është gjetur çanta e saj së bashku me telefonin celular. Policia është duke parë thirrjet që ka kryer 22-vjeçarja përpara se t’i jepte fund jetës.
Motivet
Grupi hetimor ka nisur zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale, pasi në vendin ku e reja vendosi të hidhej u gjet një xham i thyer. Gjithsesi, policia është duke e parë me vëmendje edhe këtë pistë, ndonëse më shumë po i mëshohet vetëvrasjes, të cilën e konfirmojnë edhe dëshmitarët në lokal. Iris Belba ishte studente e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, në degën e Biznesit. Paralelisht ajo studionte edhe për Shkenca Juridike. Disa ditë më parë Belba ka pasur një provim në të cilin nuk kishte mundur të merrte notë pozitive. Të njëjtin provim dyshohet se e kishte dhënë për të disatën herë. Një fakt të tillë e reja e kishte përjetuar shumë keq dhe prej ditësh ishte mbyllur në vetvete. Vajza dyshohet se ka kaluar në fazën e depresionit dhe si rrugëzgjidhje gjeti vetëvrasjen.
Sipas grupit hetimor, një tjetër motiv që mund ta ketë shtyrë vajzën të hidhet nga kati i 16, mund të jenë edhe problemet në familje. Vajza me origjinë nga Fieri thuhet se ka përjetuar marrëdhënie të acaruara në ambientin familjare. Një atmosferë e tillë, dyshohet sipas policisë, që ka ndikuar në shtimin e dozës së depresionit. Policia thotë se po sheh me vëmendje nëse vajza ka pasur ndonjë marrëdhënie sentimentale, që mund të ketë ndikuar në shëndetin mendor të saj.
Intervista
“Erdhi me ashensor, la çantën në verandë, kaloi rrjetën e sigurisë dhe u zhduk”
Punonjësja e lokalit: Vajza u hodh papritur
“Vajza është hedhur në mënyrë të rrufeshme. Mezi e kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Në verandën e lokalit nuk kishte klientë që të parandalonin vetëvrasjen, sepse ishte shumë nxehtë”. Kështu shprehet një punpnjëse e lokalit ku ndodhi ngjarja, N.A, e cila ka treguar për Shqip çfarë ndodhi në ato pak sekonda.
Ishte e shoqëruar vajza kur erdhi në lokal?
Ajo erdhi nga jashtë nëpërmjet ashensorit. Nuk ishte e shoqëruar me askënd.
Kontaktoi apo foli me ndonjë person?
Jo. Doli te veranda, hodhi çantën në dysheme, kaloi murin mbrojtjes dhe u zhduk. Nuk foli me askënd në telefon, as me ndonjë person në lokal. Nuk arriti që të ulej në tavolinë. Është një ngjarje shumë e rëndë. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave.
Kishte ndonjë klient në verandë?
Kur ndodhi ngjarja, ishte nxehtë, klientët ishin brenda. Askush nuk pati kohë që ta parandalonte ngjarjen. Ishte një tmerr i vërtetë, teksa e pamë trupin e pajetë në trotuar.
Kishte ardhur herë të tjera në lokal?
Unë kam kohë që punoj këtu, por nuk e kisha parë të ndjerën kurrë që të frekuentonte lokalin tonë. Ajo ka ardhur me ashensor deri tek ne dhe pa bërë asnjë veprim tjetër, shkoi direkt tek vendi ku u hodh.
Dëshmuat në polici?
Po, më pas erdhi policia dhe bëri të gjitha veprimet e nevojshme. Na mori në pyetje për atë që kishte ndodhur.
Rrëfimet
Kujtimet e deputetes Liljana Elmazi. Shoqëria thotë se Irisi ishte tip i ndrojtur
Pedagogia e Irisit: Vajzë shumë e urtë, me fytyrë engjëllore
Artemisa Hoxha
“Ajo ishte vajzë shumë e urtë. E kam fiksuar se kishte fytyrë engjëllore”, rrëfen Liljana Elmazi, pedagoge në Fakultetin e Ekonomikut, shkollë në të cilën studionte ish-studentja Iris Belba. Në një prononcim për gazetën Shqip, pedagogia e masterit shkencor në Fakultetin e Ekonomikut shpreh keqardhjen e madhe për studenten si dhe për familjarët. Në kujtimet e saj në lidhje me studenten, e cila u vetëflijua dje duke u hedhur nga një lartësi e madhe në një nga ndërtesat më të larta në zonën e Bllokut, pedagogia dhe njëherësh deputete në Kuvendin e Shqipërisë shprehet se që në vit të parë, Irisi është evidentuar si një studente e rregullt, e urtë dhe e komunikueshme me stafin pedagogjik si dhe studentët e degës së saj.
“E mbaj mend në vit të parë, e urtë, shumë e urtë, e komunikueshme, rrinte në bankë të parë. Duhet t’i kem vënë notë të mirë. Duhet pasur parasysh se kanë qenë shumë studentë në vit të parë në kohën kur unë isha shefe departamenti dhe jepja vetëm leksione në atë vit”, vijoi më tej rrëfimin e saj pedagogia në masterin shkencor për metodat e kërkimit.
Duke shprehur ngushëllimet për familjarët e ish-studentes që dje tronditi shoqërinë tonë me aktin e vetëflijimit, pedagogia e Fakultetit të Ekonomikut me dhimbje ngushëllon të afërmit e studentes së saj. “E trishtueshme! E dhimbshme! S’ka fjalë për të shprehur dhimbjen! E kam pasur studente! Zoti i dhëntë forcë familjes të përballojë dhimbjen e pamat! U prehtë në paqe Irisi! Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve e shoqeve e shokëve të Irisit!”, shprehet në ngushëllimin e saj pedagogia. Por të shumtë kanë qenë komentet edhe në rrjetet sociale, në të cilët shpreheshin ngushëllimet për familjarët, por edhe apelohej për të rinjtë që të parandalonin akte të tilla vetëflijimi. Ndërkaq një studente e Fakultetit Ekonomik, ka folur për karakterin e Belbës. Ajo thotë se e ndjera ka pasur probleme psikologjike edhe kohë më parë. “Unë jam studente tek Ekonomiku dhe e njihja Irisin nga larg. Ajo ishte shumë tip i ndrojtur. Gjithmonë ka pasur shqetësime psikologjike. Përpara një viti ajo merrte medikamente prej depresionit” janë disa nga fjalët që e reja tregon për viktimën. Ajo pretendon se Belba ka pasur probleme të theksuara me provimet. “Irisi nuk është se arrinte rezultate të mira në shkollë. Ajo nuk arrinte që t’i merrte provimet. Ishte tip shumë i ndjeshëm dhe aspak i shoqërueshëm. I pëlqente që të rrinte vetëm dhe jo të gjithë kishin guxim që t’i afroheshin. Më erdhi shumë keq që ajo i dha fund jetës në këtë mënyrë” thotë e njohura e viktimës, e cila nuk preferon që të identifikohet.
Gazeta Shqiptare





Leave a Reply